E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabineti “Berisha”: Shqipëria mbështet fuqimisht aspiratat e Malit të Zi drejt NATO-s

Shqipëria, e cila ka qenë nëntë vite radhazi në Procesin e Planit të Aksionit për Anëtarësim në NATO, është e gatshme që t’i ofrojë mbështetje të plotë Malit të Zi, në mënyrë që këtë rrugë ta kalojë për një periudhë sa më të shkurtër. Kështu ka deklaruar dje ndihmësministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Petrit Karabina për të përditshmen “Vijesti” të Podgoricës. Ai thekson se qeveria shqiptare e sheh Malin e Zi si një partner shumë të rëndësishëm dhe të afërt. Ndërsa ka shtuar se Tirana zyrtare është e gatshme që, jo vetëm në kontaktet bilaterale, por edhe në skenën ndërkombëtare “të japë një kontribut modest” që Mali i Zi të kyçet në proceset e sigurisë në rajon. Shqipëria, e cila kohë më parë është bërë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, është ftuar në PAA në Samitin e NATO-s në vitin 1999, atëherë kur janë ftuar edhe vendet baltike, Sllovenia, Bullgaria dhe Sllovakia, të cilat pas pesë vitesh janë bërë anëtare e kësaj organizate. Nga ky grupacion vetëm Maqedonia ende nuk e ka marrë ftesën për shkak të kon testit me Greqinë lidhur me emrin e atij vendi. “Ne në PAA kemi realizuar nëntë faza, e kjo është një përvojë e mirë, të cilën jemi të gatshëm ta ndajmë me Malin e Zi. Mbi këto baza, janë të mirëseardhur të nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Jashtme që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, në mënyrë që Mali i Zi sa më parë të kapërcejë të gjitha kërkesat për në NATO”, nënvizon Karabina. Ai shton se tashmë kanë filluar aktivitete të përbashkëta të përkrahjes së Shqipërisë në nisma të shumta në kuadër të Partneritetit për paqe, të cilat Mali i Zi i ka filluar. Duke komentuar faktin se në Malin e Zi anëtarësimin në NATO e përkrah vetëm një e treta e qytetarëve ndërsa në Shqipëri kjo masë është mbi 90 për qind, Karabina ka thënë se nuk dëshiron të hyjë në vlerësimin përse njerëzit në Malin e Zi ashtu “ndjehen dhe mendojnë”, por beson se NATO është e rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe konsolidimin e rajonit në këtë fushë. Nëse anëtarësia është e mirë për Shqipërinë, shton ai, kjo në aspektin politik do të jetë e dobishme edhe për Malin e Zi. Por, sa i përket sigurisë, jam plotësisht i bindur se anëtarësia e Malit të Zi në NATO do t’i kontribuojë dukshëm integrimit, jo vetëm të Malit të Zi, por edhe të të gjitha vendeve të rajonit”, vlerëson Karabina. Ai ka thënë se deklaratat e ndryshme mbi neutralitetin janë “absurde” kur kemi parasysh fqinjësinë gjeopolitike në rajon. “Kur e shikojmë Ballkanin, Mali i Zi kufizohet me Kroacinë dhe Shqipërinë të cilat janë anëtare, Boshnja dhe Hercegovina e cila dëshiron anëtarësi dhe me Serbinë, e cila është në Partneritetin për paqe. Nuk besoj se Mali i Zi nuk dëshiron të jetë anëtar i atij klubi”, shprehet Karabina. Duke folur mbi bashkëpunimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi dhe asaj të Shqipërisë, Karabina ka thënë se fjala është për një “lidhje shumë të mirë” dhe se bashkërisht duhet të shikojmë se në cilën mënyrë duhet bërë që ai bashkëpunim të jetë edhe më intensiv dhe më i dobishëm. Ai ka përkujtuar se Protokolli bilateral i bashkëpunimit, të cilin e kanë nënshkruar dy ministrat e Mbrojtjes së dy vendeve, me të cilin janë definuar aktiviteteve dhe programe të shumta të përbashkëta. Karabina ka paralajmëruar edhe pjesëmarrjen e ushtrisë së Malit të Zi dhe të Shqipërisë në ushtrime të përbashkëta, rajonale si dhe në ato që do të bëjnë forcat e armatosura vetëm të të dy vendeve. Ai ka thënë se në Kolegjin ushtarak në Tiranë që ofron studime specialistike të sigurisë, ndodhet një grup i Ushtrisë së Malit të Zi. Dëshirojmë të avancojmë një nismë të këtillë rajonale në mënyrë që pjesëtarët e ushtrive tona sa më shpesh e sa më shumë të bashkëpunojnë, ka nënvizuar ndihmësministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Petrit Karabina....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›