E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet strategjia, vendosen grada për zyrtarët në administratë

 

Qeveria miratoi dje str-ategjinë e re për administratën publike, sipas të cilës, struktura e saj do të përcaktohet nga gradat që do t’u jepen zyrtarëve të lartë. Duke folur në mbledhjen e parë të kabinetit të ri, kreu i ekzekutivit u shpreh se kriter kryesor për marrjen e gradës do të jetë performanca e zyrtarëve gjatë punës. “Ky katërvjeçar duhet të shënojë një lëvizje të fuqishme, një përpjekje të madhe të kësaj qeverie për zhvillimin dhe konsolidimin më tej të administratës publike. Po ashtu, do të jepen gradimet, siç i kanë edhe vendet e tjera, si zyrtar i lartë civil. Ai, që me përpjekjet dhe performancën e tij, merr këtë nivel, e fiton kur dëshmon se është i aftë të jetë Sekretar i Përgjithshëm jo në një ministri, por në secilën ministri ku mund t’i ngarkohet detyra, ai që ka arritur atë stad formimi dhe pjekurie”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Eshtë urgjente dhe e domosdoshme zbatimi me seriozitet e rigorozitetin më të madh i strategjisë që miratojmë sot, në interesin më të mirë të vendit. Ne kemi të gjitha mundësitë që këtë katërvjeçar të konsolidojmë administratën publike si shtyllën kryesore të universit të reformave, për të cilat vendi ka nevojë, në procesin e integrimit”. Duke njoftuar se së shpejti Shqipëria do të marrë pyetësorin për integrimin në Bashkimin Evropian, kreu i ekzekutivit theksoi se vetëm administrata është ajo që përcakton ritmet e integrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›