E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuotat vakante, MASH: Nisin regjistrimet në universitete

Nisën dje regjistrimet për studentët që kanë fituar të drejtën e studimit në rreth 3 mijë kuotat vakante të sistemit me kohë të plotë, bëhet e ditur nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. MASH ka përcaktuar se të gjithë maturantët fitues, që kanë plotësuar formularin A4 për pranimin në universitete, duhet të regjistrohen deri më 16 dhjetor. Për regjistrim kandidati duhet të dorëzojë dosjen individuale me dëftesën e pjekurisë, certifikatë lindjeje me fotografi, 2 fotografi dhe mandat-arkëtimin e tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. Kur maturanti fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, ai mund të paraqesë dublikatën e saj lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, e vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Aktualisht kuota të parealizuara studimi ka Universiteti i Tiranës (76 kuota), Universiteti Bujqësor i Tiranës (142 kuota), ai i Elbasanit (373 kuota), i Gjirokastrës (627 kuota), i Korçës (530 kuota), i Shkodrës (411 kuota), i Vlorës (574 kuota). Ndërkohë studentët që do të fitojnë të drejtën e regjistrimit pas datës 15 dhjetor në studimet me kohë të pjesshme (part-time), do të shpenzojnë më pak për të paguar tarifat vjetore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar ulje tarifash për programe studimi që më parë kushtonin më shtrenjtë. Në Universitetin e Tiranës, tarifat më të lira janë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degët Histori, Gjeografi dhe Gjuhë-Letërsi, me 52 mijë lekë. E njëjta shumë është vendosur edhe për fakultetin e Shkencave Sociale në degët Psikologji dhe Punë Sociale. Nga 9 degët universitare të UT-së, të cilat kanë mundësuar sistemin part- time, vetëm fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Ekonomisë kushtojnë më shtrenjtë. Në Fakultetin e Drejtësisë nga 150 mijë lekë që kushtonte një vit shkollim, tashmë studentët do të paguajnë 93 600 lekë në një vit akademik. Ulje tarifash ka dhe Fakulteti i Ekonomisë; nga 75 mijë lekë që ishte këtë vit akademik, studentët me kohë të pjesshme, do të paguajnë 72 800 lekë. Regjistrimi i studentëve që dëshirojnë të ndjekin studimet part-time këtë vit akademik përfundon më 15 dhjetor. Pas kësaj date pritet të publikohen edhe fituesit. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme, ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 15 deri më 19 dhjetor 2008, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›