E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trazirë në OKB

22/03/2005  I gjendur nën zjarr pas një viti skandalesh, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, po kërkon të qetësojë armiqtë më të egër. Por vetë vartësit e tij mendojnë se Anan po i bën temenara kaq shumë SHBA, dhe në në mënyrë që do t`i bëjë dëm organit global. Por, edhe sikur ofensiva joshëse e tij të ketë efekt, gjithsesi ditët mund t`i ketë të numëruara

Anan do të dëshironte ta përfundonte mandatin e tij. Në fund të fundit, ai dëshiron të kujtohet si njeriu që reformoi OKB. Në raportin e tij për ristrukturimin e OKB, ai parashikon një rindërtim total të Këshillit të Sigurimit. Këshilltarët e tij thonë se, nëse Anan përulet përpara trysnisë së SHBA, atëherë kjo do të ishte këmbana e vdekjes për OKB-në

Këto kohë është e lehtë të dallosh lodhjen në sytë e Kofi Anan – edhe buzëqeshja e tij djaloshare vështirë të fshehë atë lodhje të shaktuar nga ai që vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB e ka quajtur “annus horriblis”. Por gjërat mund të përkeqësohen në atë që pritet të jetë viti më i mundimshëm i Anan në krye të organizmit ndërkombëtar.

Ai tashmë është torturuar me skandale seksi, si dhe korrupsionin që rrethon programin “Ushqim për Naftë” në Irak – një marrëveshje që i lejonte regjimit të Sadam Huseinit, pavarësisht embargos ndaj Bagdadit nga ana e komunitetit ndërkombëtar, që të fitonte miliarda dollarë. Zbulimet, sipas të cilëve, punonjësit e OKB së bashku me zyrtarin përgjegjës për mbikëqyrjen e programit kishin nxjerrë përfitime, kanë shkaktuar një prej krizave më të këqija të këtij institucioni. Kapitulli tjetër i skandalit pritet të vijë këtë muaj, kur një komision hetues i OKB do të vendosë nëse i biri, biznesmen, i Ananit, Kojo, ishte pjesë e skemës. Nëse akuzat ndaj të birit rezultojnë të jenë të vërteta, episodi mund të shënojë edhe fundin e epokës Anan.

“Deri në Krishtlindje, Kofi do të jetë larguar”, tha një senator amerikan, gjatë një konference për sigurinë në Mynih, një muaj më parë.

Zyrtarisht, fituesi i çmimit Nobel, Anan duhet të qëndrojë edhe dy vjet në detyrë, por ai e di se mund të ikë edhe më parë. Një rezolutë po përgatitet në Kongresin e SHBA, e cila i kërkon atij të largohet. Ai ka gjithnjë e më pak miq në Shtëpinë e Bardhë. Që nga koha e kritikave të tij mbi paligjshmërinë e luftës në Irak, gjatë fushatës presidenciale, Anan është akuzuar se ka dashur të pengojë rizgjedhjen e Bushit.

Ujk me lëkurë deleje

Javën e kaluar, Presidenti Bush emëroi ish-nënsekretarin e Shtetit, John Bolton, si ambasador të SHBA në OKB. Ky i fundit nuk e ka fshehur kurrë pakënaqësinë ndaj OKB. “Nëse ndërtesa e Sekretariatit të OKB në Nju Jork do të humbte dhjetë kate, ka thënë ai një herë, nuk do të kishte asnjë ndryshim. Por kryevepra moderniste e OKB nuk është e vetmja gjë që Bolton do të donte të shkurtonte: një tjetër qëndrim i tij i famshëm është që, Këshilli i Sigurimit duhet të ketë vetëm një anëtar të përhershëm – Shtetet e Bashkuara. Duke komentuar emërimin e Boltonit nga ana e Bushit, gazeta e majtë gjermane “Die Tageszeitung” thoshte se është nëjsoj si “t’i kërkosh Iranit të marrë përsipër presidencën e Komisionit të OKB për të drejtat e grave”.

Megjithatë, Anan do të dëshironte ta përfundonte mandatin e tij. Në fund të fundit, ai dëshiron të kujtohet si njeriu që reformoi OKB.

Në një raport, që i është paraqitur OKB-së, zoti Anan thotë se kërcënimet e tanishme globale si krimi i organizuar, varfëria e terrorizmi, janë të ndërlidhura dhe përbëjnë një kërcënim universal. Zoti Anan tha se siguria, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut ishin të gjitha të ndërlidhura.

Ai nënvizoi veçanërisht rëndësinë e vazhdueshme të multi-lateralizmit përballë kërcënimeve globale si terrorizmi dhe armët e shkatërrimit në masë. Ai bëri thirrje për një gjetjen e një përcaktimi të përbashkët për terrorizmin si dhe që vendet të mbajnë nën kontroll armët bërthamore, kimike e biologjike. Raporti i tij vjen dy vjet pas pushtimit të Irakut, që ngriti pikëpyetje lidhur me rolin e ardhshëm të OKB-së në çështjet ndërkombëtare.

Një anketë e ndërmarrë nga BBC-ja, lidhur me qëndrimet ndaj OKB-së, tregon se ka një mbështetje praktikisht universale për reforma të thella në OKB.

Anketa e bërë nga Globescan, në emër të Shërbimit Botëror të BBC-së, pyeti më shumë se 23 mijë vetë në 23 vende. Ajo gjeti se në të gjitha vendet, përveç dy - Turqi dhe Argjentinë - një shumicë absolute e të anketuarve thanë se do ta konsideronin rritjen e fuqisë së OKB-së si zhvillim kryesisht pozitiv.

Njëkohësisht, në të gjitha vendet, përveç Rusisë, më shumë se 50 për qind e të anketuarve dëshironin që Këshilli i Sigurimit të kishte më shumë anëtarë të përhershëm.

Në të njëjtën kohë, Anan e di mirë që nuk mund të sfidojë Bushin në të njëjtën kohë që kërkon të realizojë reforma në organizmin ndërkombëtar. Kështu që, këto kohë, ai po kërkon të zbusë dhe të afrohet me kundërshtarët e tij më të egër në Uashington. Duke bërë këtë, ai duket se po ndjek këshillën e ish-ambasadorit të ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, Richard Hollbruk, i cili i ofroi disa ide për të shpëtuar postin, gjatë një takimi të fshehtë në dhjetor. “OKB nuk mund të jetë e suksesshme nëse ka mosmarrëveshje dhe fërkime të vazhdueshme me vendin që e ka themeluar, vendin ku ka qendrën dhe kontribuesin më të madh”, ka thënë Hollbruk.

Dhe veprimet e menjëhershme të Anan kanë qenë befasuese. Kaq shumë, saqë shumë vetë në Nju Jork e krahasojnë ofensivën e tij të joshjes me atë që kreu Bushi vetë për të çimentuar lidhjet transatlantike gjatë vizitës muajin e kaluar në Evropë.

“Eshtë shumë e rëndësishme që të rivendosen marrëdhëniet me SHBA”, deklaroi shefi i ri i kabinetit të Anan, britaniku Malloch Brown – i cili konsiderohet si njeriu që lëviz në të vërtetë fijet brenda OKB sot. Brown, një komunikues i talentuar që më parë ka drejtuar Programin e Zhvillimit të OKB, shkoi menjëherë në Uashignton pas marrjes së detyrës, ku u premtoi kongresmenëve një hetim të plotë dhe të detajuar të skandalit të Irakut.

Në zyrën e tij, në katin e 38 të zyrave të OKB, Brown pret sot gazetarë thuajse çdo ditë – dhe ai shpesh madje kritikon institucionin ku punon. “Ne duhet të rivendosim besimin e popullit amerikan në integritetin moral të OKB”, thotë ai. Problemi nuk është i vogël. Bushi ka kërcënuar se do të ndërpresë pagesat nga Uashingtoni, kontribuesi më i madh, nëse skandali nuk zgjidhet plotësisht.

Britaniku ka qenë po kaq aktiv edhe jashtë OKB. Në fund të shkurtit, pasi një punonjëse akuzoi Ruud Lubbers për ngacmim seksual, Brown i dha një ultimatum Komisionerit të atëhershëm të Lartë për Refugjatët: ose do të jepte dorëheqjen vetë, ose do ta shkarkonte Anan. Ish-kryeministri holandez pranoi të largohet vetë.

Gjithsesi, kursi i ri që po ndjek Anan ka shqetësuar shumë vetë brenda OKB, ku diplomatët veteranë ankohen se ai po ulet në gjunjë përpara SHBA.

“Shumë njerëz këtu janë vërtet të irrituar”, thotë Peter Hansen, i cili do të lërë detyrën këtë muaj. Ka shumë shenja që tregojnë se SHBA po përdorin në mënyrë cinike hetimet që po kryhen në OKB, si një shans për të vënë në dyshim vetë ekzistencën e organizatës, dhe kjo zemëron shumë njerëz.

Edhe sot, vetëm veprimet e diplomatëve të OKB po hetohen – pavarësisht faktit që SHBA jo vetëm e dinte se embargoja kundër Irakut po thyhej, por edhe e sanksionoi atë. Sipas dokumenteve të klasifikuar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për hir të “interesave kombëtare të sigurisë”, Uashingtoni lejoi që miliarda dollarë furnizim në naftë të shkonin për aleatët e tij në Jordani dhe Turqi. Zyrtarët në Aman dhe Ankara thanë se nuk mund të bënin pa naftën e lirë të Sadamit. Edhe vetë britaniku Malloch Brown nuk lë rast pa i shpëtuar për t’u kujtuar njerëzve përfshirjen e SHBA në pjesën më të madhe të skandalit.

Por, ai nuk dëshiron që kjo të shkaktojë një zënkë edhe më të madhe me SHBA. “Mendoj se një pjesë e madhe e helmit do të nisë të avullojë”, thotë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›