Leskaj: Të largohet ministri Prifti, përgjegjës për situatën në Veri të vendit
Ish-kryetarja e Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Valentina Leskaj, ka kërkuar largimin e Dritan Priftit si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, duke e vlerësuar si përgjegjësin e drejtpërdrejtë të situatës së krijuar në Veri të vendit. Leskaj i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për shkaktarët, të cilët, sipas saj, kanë shkaktuar përmbytjen në zonat e Veriut. Sipas ish-kryetares së Grupit socialist, situata e përmbytjeve në Veri të vendit është krijuar si pasojë e planit korruptiv, me qëllim sa më shumë eksportimin e energjisë elektrike, duke tejkaluar masën e ujit të kaskadave të hidrocentraleve.
Deklarata
Në mënyrë të përsëritur, Partia Socialiste, në këtë situatë të vështirë të përmbytjeve, ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për të gjithë banorët e Veriut që janë dëmtuar. “Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për ato gra, burra, fëmijë e të moshuar që janë të detyruar të lënë shtëpi e pasuri, të mbjella, bagëti e çdo gjë që kanë vënë me mund e djersë, për të shpëtuar jetën, por edhe me të gjithë ata shqiptarë të tjerë që jetojnë pasigurinë e këtyre orëve dhe në të njëjtën kohë ankthin se situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment”, - u shpreh Leskaj. Ajo u ka bërë thirrje banorëve ende të paevakuuar të largohen menjëherë. “Jeta e tyre sot vlen më shumë se çdo gjë”, - tha Leskaj. Në emër të PS-së, Leskaj ka kërkuar edhe njëherë marrjen e çdo mase në ruajtje të jetës së njerëzve dhe lehtësimin e pasojave të situatës tejet të rëndë në zonat e përmbytura, pasi orë pas ore rreziku shtohet. Më tej Leskaj shtoi se shqiptarëve duhet t’u thuhet e vërteta e asaj që po ndodh sot në Veri të vendit.
Degradimi i situatës
Partia Socialiste, për degradimin e situatës në Veri të vendit, ka fajësuar drejtpërdrejt ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti. Sipas Leskajt, plani korruptiv i ministrit dhe i vartësve të tij ka bërë që kaskadat e hidrocentraleve ta tejkalojnë kapacitetin e tyre me ujë, me qëllim eksportimin e shumtë të energjisë elektrike dhe, si pasojë, duke sjellë përmbytjen. “Fatkeqësisht, të gjitha të dhënat, faktet dhe argumentet e specialistëve, tregojnë se situata ka degraduar në këtë pikë jo nga paaftësia e ministrit dhe vartësve të tij, por si rezultat i një plani të mirëfilltë korruptiv. Sipas një plani që kaskadat e hidrocentraleve të grumbullonin më shumë ujë nga sa e lejon kapaciteti i tyre, vetëm e vetëm që kjo qeveri të mund të eksportonte energji, për të tentuar mbylljen e pjesshme të gropës së zezë që ka krijuar në buxhet”, - tha Leskaj. Kjo tentativë për të shpëtuar qeverinë jolegjitime, sipas Leskajt, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit. Numri një i grupit parlamentar të PS-së nënvizoi se katastrofa do të ishte shmangur nëse në të do të veprohej në kohë dhe me përgjegjësi. “Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do të ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi, dhe jo në shkelje të plotë të rregullores”, - u shpreh Leskaj.
Dajç, Beqja: Banorët të bllokuar, nuk ka as shtet, as polici dhe ushtri
Deputetët e Partisë Socialiste, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme kanë vizituar zonat e përmbytura të Shkodrës. Të gjithë deputetët e këtij qarku kanë shkuar në të gjitha komunat e përmbytura. Niveli i ujit në këto zona vazhdon të rritet. “Në kthesën e Dajçit, në orën 9 të mëngjesit u vu re se shteti shqiptar ka mbaruar. Nuk ka as polici, as ushtri dhe asnjë shenjë të ekzistencës së shtetit. Kanë mbetur njerëz të bllokuar për të cilët nuk ka asnjë informacion se ç’do të ndodhë me jetën e tyre”, - është shprehur deputeti socialist, Ilir Beqja.
8 Janar 2010