Kadilli: Lufta kundër korrupsionit, një nga reformat më të suksesshme të qeverisë
Lufta me tolerancë zero kundër fenomeve të dëmshme të shoqërisë shqiptare dhe të vetë shtetit në mënyrë të vecantë, ka sjellë vazhdimisht frytet e saj të dobishme në zhdukjen dhe ndëshkimin e formave të tij të përhapjes. Këshilltari i Kryeministrit për Antikorrupsionin, Fatbardh Kadilli deklaroi dje se qeveria shqiptare ka sjellë një ndryshim rrënjësor në luftën kundër korrupsionit. Duke marrë parasysh faktin se lufta kundër korrupsionit është vlerësuar si një nga reformat më të suksesshme të qeverisë, Kadilli u shpreh se “gjithë aksioni i qeverisë është drejtuar në mënyrë të balancuar si në kryerjen e reformave ligjore dhe institucionale me karakter parandalues, ashtu edhe në masat për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e praktikave dhe individëve të korruptuar”. “Qeveria ka çliruar ekipet politike dhe teknike të administratës nga konflikti i interesave, ka shkurtuar shpenzimet administrative me gati 1/3, si rrjedhim i një administrimi të ndershëm të financave publike, ka rritur me 1.2 miliardë euro të ardhurat nga tatimet e doganat dhe ka ulur mbi 10% koston e prokurimeve”, theksoi Kadilli. Gjithashtu, sipas tij futja e maturës shtetërore dhe alterteksit ka reduktuar ndjeshëm korrupsionin në pranimet në universitete dhe në botimin e teksteve mësimore. Ndërsa duke u ndalur te masat që janë marrë për biznesin, z. Kadilli theksoi se “ngritja e sistemit elektronik të prokurimeve, deklarimit të taksave dhe regjistrimit të bizneseve ka përmirësuar klimën e biznesit dhe ka garantuar lirinë dhe barazinë e konkurrencës së tregut”. Gjithashtu, sipas tij qeveria ka zgjeruar bashkëpunimin me qytetarët duke marrë në mbrojtje dhe shpërblyer me ligj qytetarët për denoncimet që çojnë në zbulimin e korrupsionit. “Departamenti antikorrupsion ka ndërmarrë hetime të menjëhershme për çdo denoncim dhe ka propozuar masa administrative për mbi 300 nëpunës, si dhe ka bërë kallëzime penale për mbi 200 raste”, u shpreh ndër të tjera Kadilli. Në këtë drejtim, ai theksoi se nga puna hetimore vetëm në 8-9 muajt e fundit janë arrestuar mbi 50 zyrtarë të lartë që nga nivel zëvendësministri, kryetar komunash dhe drejtues të rëndësishëm”. “Rezultat i punës së qeverisë është përmirësimi i treguesit të perceptimit të korrupsionit të publikuar nga Transparency International”, tha Kadilli. Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe konkretisht lufta kundër korrupsionit janë vlerësuar tepër pozitivisht nga ndërkombëtarët. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, Kryeministri Berisha vlerësoi, se “ftesa do të ishte e pamundur, në rast se nuk do të ndërmerrej lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe nuk do të regjistroheshin rezultate të qarta dhe ndër më spektakolaret në këtë luftë”.