“Kadriu mbante lidhje të fshehta me Bedri Spahiun e Tuk Jakovën”
• Një ish i burgosur në fillimet e viteve ’50, dëshmon në procesin e Kadri Hazbiut, se i ka raportuar atij, qysh në atë periudhë për lidhjet e fshehta të Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës me zbulimin jugosllav.afrim imajAkuza që adreson tropojani Myftar Memia për ish-ministrin e Brendshëm dhe zëvendësin e tij Mihallaq Ziçishti, ka për bazë të dhënat konfidenciale që ka marrë gjatë kohës së dënimit nga bashkëvuajtësi i tij, Ndoc Pal Guri, një prej eksponentëve të ndëshkuar për tradhti të lartë dhe bashkëpunim me agjenturat perëndimore. Malësori me të cilin ka ndarë të njëjtën qeli i ka thënë fillimisht në mirëbesim, se një grup komplotistësh në krye të udhëheqjes të kryesuar nga Bedri Spahiu dhe Tuk Jakova, po përgatisin një grusht shteti për të përmbysur diktaturën e proletariatit. I njëjti burim pak më vonë i ka thënë, se në këtë valle ka qenë edhe gjenerali Beqir Balluku me suitën e tij. Memia dëshmon në gjykatë, se menjëherë pas këtij informacioni ka gjetur rrugën e mundësinë për ta denoncuar gjëmën e madhe te kreu i shtetit i cili ia ka besuar ndjekjen e kësaj çështje titullarëve të ministrisë së Brendshme. Po pikërisht këtu është bllokuar çdo gjë, pasi, siç vëren dëshmitari nga Tropoja, të gjithë krerët e Sigurimit të Shtetit ishin pjesë e këtij komploti që kishte vepruar pas shpine qysh nga vitet e luftës. Në vijim, trupi gjykues kërkon shpjegimet e të pandehurve, të cilat çuditërisht janë të kundërta. Ndërkohë që Mihallaq Ziçishti pranon çdo gjë nga akuza e dëshmitarit Memia, duke pohuar, se ka qenë edhe vetë një nga protagonistët e kësaj bande armiqësore, Kadri Hazbiu shpërfill gjithçka nga deponimet në adresë të tij... ARANIT ÇELA: Të vijë Myftar Memia... MYFTAR MEMIA: Po, kam ardhur...ARANIT ÇELA: Je dënuar ndonjëherë ti...MYFTAR MEMIA: Jam dënuar për pakujdesi në janar 1953... ARANIT ÇELA: Ne të kemi thirrur lidhur me një çështje, të na i sqarosh këtu. Lidhur me të dhënat që ke pasur ti për Beqir Ballukun, Bedri Spahiun, e Tuk Jakovën dhe bisedat që ke zhvilluar, siç ke thënë në dëshminë tënde që ke bërë në hetuesi, me Kadri Hazbiun dhe Mihallaq Ziçishtin.MYFTAR MEMIA: E vërteta ka qenë kështu: duke qenë unë në artizanatin e Ministrisë së Brendshme në vitin 1955, më afrohet një person i dënuar për punë armiqësore i quajtur Ndoc Pal Guri dhe më hap biseda duke më shfaqur bindjet e tij se pushteti popullor i ka ditët e numëruara, për arsye se imperializmi anglo-amerikan dhe titizmi jugosllav kanë futur agjenturën e tyre nga brenda në organet e Partisë e të pushtetit, të ushtrisë në mos kanë dhe deri në instancat më të larta. Ky kishte një moshë të kaluar, siç thoshte u kishte shërbyer agjenturave të huaja austro-hungarezëve dhe pushtuesve të tjerë. Ishte një person inteligjent, dinte disa gjuhë të huaja. Mbasi e dëgjova deri në fund, doja të kuptoja se kush janë këta kuadro, apo këta njerëz të inteligjencës në shërbim të zbulimit amerikan, jugosllav e të tjerë. Ai mbllaçitej me muaj të tërë dhe nuk po më tregonte asnjë emër, se unë doja diçka konkrete. Përfundimisht pa hyrë në analizë të hollësishme, unë do ju shpjegoj të gjitha se i kam të shkruara në kokë, megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë, rreth 28 vjet. Më në fund më tregon vetëm një emër, pasi kaluan disa muaj dhe këtë emër ma tregon mua ai në maj të ‘55-ës. Edhe pse thotë është Tuk Jakova agjent i UDB-së Jugosllave, Tuk Jakova në këtë kohë ishte ministër i Financave dhe në mos u gabofsha zëvendësministër i Këshillit të Ministrave, në maj të 1955. Më tregon pas ca ditësh se unë gjithnjë e gërmoja, sepse ndërgjegjja ime kombëtare e edukuar nga Partia donte që unë të luftoj e të gjykoj si komunist, si qytetar pavarësisht se përse isha i dënuar. E dija që partia nuk ka asnjë problem me mua edhe mua nuk më kishte asnjë faj, asnjë gjë pavarësisht se ç’kishin personat ose kush kishte ndikuar që unë të dënohem. Se unë më parë, një parantezë të shkurtër, para dënimit isha shef i agjitacionit e propagandës, kisha mbaruar edhe shkollën e partisë. Tani nga ky problem më tregon pas ca ditësh edhe Bedri Spahiun, më përmend edhe këtë. Ky problem më shqetësoi jashtëzakonisht shumë. Edhe të them të drejtën e ndjeva veten në dilemë. Domethënë, si të bëj se isha në kushte të tilla që ta njoftoja apo jo udhëheqjen. Zgjodha një rrugë, edhe këtë unë nuk e zgjodha rastësisht ose në mënyrë të nxituar, por të paktën këtë le ta gjykojë sot trupi gjykues domethënë partia, por mendova që meqenëse ky më shpreh bindjen dhe më thotë se agjenturat e huaja kanë futur njerëzit e tyre në ushtri, në parti, në pushtet, në organet e Punëve të Brendshme etj., unë duhet t’i drejtohem vetëm udhëheqësit të Partisë e të Shtetit se kjo çështje duhet të bjerë medoemos. Po nga ta çoj letrën, si t’ia bëj?Mora dhe shkrova një letër me këtë përmbajtje, “Për probleme jashtëzakonisht të rëndësishme të partisë e të shtetit, për karakterin e tyre tepër sekret, ju lutem në pamundësi takimi me juve, caktoni një nga sekretarët e Komitetit të Partisë për të biseduar me mua”. Një nga sekretarët e cilësoj, për arsye se nuk dija cilin të kërkoja se nuk dija se ku po bija, si të thuash në dorën e agjenturës së huaj. Edhe këtë letër e nis në emër të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë, shokut Enver. Letrën, prandaj kam marrë me vete dhe këtë bllok në qoftë se i duhet trupit gjykues, është i asaj kohe që konspektoja ekonominë politike dhe është blloku autentik që e kam ruajtur që atëherë deri sot.. ARANIT ÇELA: Lëre.MYFTAR MEMIA: Këtu kam shënuar datat kur kam bërë takim me atë që më ka dërguar udhëheqësi, takimin me Mihallaqin, datën e dërgimit të letrës, informacionet që i kam dërguar udhëheqjes së partisë. E kam hapur këtë më gusht të ‘75-ës. Letrën e parë e kam dërguar më 26 maj drejtuar shokut Enver. Më datën 13 qershor 1955 më ka ardhur Mihallaq Ziçishti dhe më ka kërkuar në drejtorinë e burgut, ku drejtor ka qenë Sotir Vullkani. Më ka thënë të kërkojnë në drejtori. Unë Mihallaq Ziçishtin si emër e kisha dëgjuar, funksionet ia dija, por si fytyrë nuk e njihja. U ul aty, i tha drejtorit Sotir Vullkanit, dil përjashta dhe ai u ul në anën e tavolinës ku rri drejtori dhe unë në anën tjetër. Si e ke emrin ti, kush je ti? Jam filani. Kujt i ke shkruar letër? Familjes. Kujt tjetër? Askujt. Posi tha, ke shkruar letër. Më fal, me parë më tha, më njeh mua. Jo. Unë jam zëvendësministri i parë i Sigurimit të Shtetit, gjeneral major Mihallaq Ziçishti, anëtar i KQ. Ka qenë i veshur me një kostum bojë krem. Ke dërguar letër, s’kam dërguar, nxori nga xhepi i brendshëm letrën time, na zarfin tha, ia keni dërguar shokut Enver këtë letër. Shoku Enver më ka ngarkuar mua personalisht të bisedoj me ju. Unë u binda sepse kisha bindje të plotë që një njeri me këto funksione që i ka besuar partia e shteti e unë i thashë çfarë më kishte thënë ai personi, duke i thënë edhe këto dy emrat. Emrin e Tuk Jakovës e të Bedri Spahiut, domethënë si agjentë të UDB-së jugosllave. Në këtë kohë Mihallaqi më thotë kështu: Të lumtë! Unë ju përgëzoj shumë. Për një përgëzim të tillë unë nuk kisha nevojë, kjo ishte detyra ime, mua nuk më ka ngarkuar askush por ndërgjegjja kombëtare, ndërgjegjja që ka kalitur Partia tek unë, se unë e di, unë e quaj veten sepse jam këtu për një faj, me të drejtë apo me të padrejtë është gjë tjetër, unë e quaj për detyrë që të punoj si komunist e si qytetar. Më thotë se për çfarë ke nevojë se mua ushqimet që më dërgonte familja i ndaja për muaj të tërë me Ndoc Pal Gurin se desha me e tërheq atë që ta mjel. Më tha çfarë ke nevojë ti, të vë në dispozicion fonde. Asgjë, nuk pranoj asnjë send dhe nuk pranova asnjë dhjetë qindarkë. Mirë a do t’i bisedosh dhe njëherë tha dhe një herë tjetër e një herë tjetër për ditë me radhë këto biseda pale po të ndryshon ndonjë gjë Ndoc Pal Guri apo po t’i thotë njëlloj. Pastaj tha do të takohemi prapë bashkë. Mirë i them unë. Shkoj unë dhe ja përsëris Ndocit se luanim bashkë, nga ai mësova dhe shahun. Më datën 27 qershor Mihallaqi dërgon dy oficerë madhorë. Unë nuk e njihja asnjërin. Njëri ishte Idriz Seiti dhe tjetri Kristaq Mushi. Vijnë të dy nuk më kujtohet çfarë ishin nënkolonelë apo kolonelë, takohen me mua pasi më gjetën dhe pa këpucë, po vetëm me nallane. Më hipën në një gaz. Ku do të shkoj, u thashë unë. Të kërkon Mihallaqi, të kërkon gjeneral Mihallaqi. Më falni, u thashë unë, po kështu nuk shkohet. S’ka gjë thanë hajde futu këtu. U futa në gaz dhe më kanë prurë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme tek Selvia. Shkoj atje ngjitem në katin e dytë, këta të dy ulur në gaz nga të dyja anët, Idrizi në krah të djathtë e Kristaqi në krah të majtë, u ngjitëm lart, më futën në një zyrë. Kristua ndenji me mua ndërsa Idrizi shkoi në një zyrë tjetër mori në telefon Mihallaqin. I tha që e kemi sjelle filanin. Erdhi Idrizi pas disa minutash dhe tha që gjeneral Mihallaqi nuk vjen se është në një mbledhje prandaj ta bëj me shkrim. Informacionin e parë pastaj që kam dërguar e kam dërguar në datën 18 korrik, kam dërguar informacionin e parë për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun si agjentë të UDB-së, si armiq të pushtetit popullor. Tani kur në qershor u demaskuan nga Plenumi i Komitetit Qendror këta dy persona, unë kujtova se çështja mori rrugëzgjidhje dhe gjeta një qetësi shpirtërore, thashë që çështja mori rrugë. Tani kërkoja ta vjel prapë atë se thoshte ka shumë, ka gjeneralë ka këtë e atë deri gju për gju me Enver Hoxhën, thoshte ai janë agjentët e imperializmit amerikan dhe të UDB-së. Kurse bandat që dërgojnë domethënë titistët e tjerë domethënë i dërgojnë vetëm me bërë tym me qëllim se ata e dinë që pushtetit s’i bëjnë asgjë vetëm me krijuar një situatë pasigurie, për këtë e kanë marrë përsipër për të përmbysur pushtetin nga brenda. Më vonë, duke ndjekur këta të dy po vinin vazhdimisht Idriz Seiti dhe Kristo Mushi, në rastet më të shumta erdhi Idriz Seiti. Në fillim erdhën të dy bashkë pastaj vinte vetëm Idriz Seiti. Unë kam dhënë ekzaktësisht informacionet i pari i është dhënë në 15 korrik, i dyti është dhënë më 26 korrik, i treti më 5 gusht, i katërti më 8 gusht, i pesti më 9 gusht dhe i fundit më 29 gusht. Çfarë kishte i fundit tani? Ne të tjerët po merrnim informacione çfarë më thoshte ai edhe me emra kuadrosh, filan gjeneral e filan ky e ai.Tashi po ndalem tek ky më kryesori, një nga komplotistët më të rrezikshëm i cili ka marrë dënimin nga drejtësia popullore. Më del më se fundi më tha emrin e Beqir Ballukut. Beqir Balluku thotë ka marrë përsipër që në provokacionet e gushtit që ishin bërë më parë të përmbyste pushtetin popullor me puç. Kjo nuk u bë tha, por tashti këta janë një grup i tërë, Beqir Balluku në këtë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike. Këtë informacion e ka marrë Idriz Seiti. Duke qenë se këta u goditën këtë kohë Bedri Spahiu e Tuk Jakova unë besova se çështja mori rrugëzgjidhje. Në janar të 1956 lirohem nga burgu. Kaluan vite e vjen çështja e Konferencës së Tiranës. Në këtë kohë unë po kërkoja poshtë e lart me gjet punë. Më bëri përshtypje të madhe, si është kjo punë. I shkruaj një letër Mihallaq Ziçishtit, po asnjë përgjigje. Mendova edhe mora një letër dhe i shkrova një anëtari të udhëheqjes së partisë, s’është nevoja ta përmend emrin meqë s’lidhet me çështjen dhe i them që unë jam filani kështu e kështu, jam liruar para se me krye gjysmën e dënimit ju lutem shumë, o më gjeni një punë e të jetoj në mënyrë të ndershme, o më çoni në burg. Duke kërkuar këto ditë të takoja ndonjë drejtor ndonjë shok me njërin e tjetrin filloi Konferenca e Tiranës. Filluan njerëzit zjarr i madh domethënë reaksioni, siç i dimë të gjithë njerëzit, po kërcet. Unë u shqetësova shumë se më kujtoheshin ato që më kishte thënë Ndoc Pal Guri, që zieka diçka, se më kish thënë shumë emra, Beqir Balluku ishte brenda ishte në Byronë Politike, shkova drejt e në Ministri të Brendshme. Kërkova Mihallaqin me u takuar me të, por nuk më pret. Kërkova Idriz Seitin. Del Idrizi dhe i them, por mos po flasin, ka llafe, ka gjëra, situata është keq. S’merrem me këtë punë tha Idrizi. Ai s’merret me këtë punë, ç’është kjo. Kërkoj Kristo Mushin. Kristo Mushi më priti shumë mirë, më tha shikoni se neve i kemi sektorët e ndarë, më qiti një oficer tjetër i cili tha merret me këtë sektor dhe më vuri në dijeni. E mbyllim thashë dhe këtë problem po gjithnjë isha i shqetësuar. Vijnë ngjarjet në Hungari. Unë prapë i shqetësuar, ç’janë këto them, bëhet atje po çdo të ndodhë këtu tani, se janë njerëzit mirë, dolën dy të parët, siç tha ai po mund të jenë edhe këta të tjerët. Shkoj, e kërkoj me u taku këtej e andej, nuk çava dot. Do të shkruaj letër thashë po me letër nuk bisedoja dot për anëtarët e Byrosë Politike se ishte me shumë zarar, për çështjen jo për mua. Përfundimisht iku dhe kjo punë. Unë mbeta 6 muaj pa punë deri sa i shkrova anëtarit të udhëheqjes edhe mua më sistemuam me punë. Kaluan vite unë gjithnjë veshin e kisha si të thuash edhe shikoja tani përveç dy të parëve që më kish thënë ai dolën edhe të tjerë. Kur më vonë në vitin 1975 doli tradhtia e Beqir Ballukut, Beqir Balluku ishte përjashtuar nga KQ, por ishte përjashta i paarrestuar. Na punohet letra e KQ dhe midis të tjerave thuhej që Partia deri sot nuk ka pasur asnjë të dhënë për Beqir Ballukun. Kjo mua më vrau veshin. Ç’është kjo, si s’ka pasur asnjë të dhënë, kam dhënë unë të dhëna. Atë natë të them të drejtën nuk fjeta. Kërkoj të takoj Kadri Hazbiun. U them më bëni një fletë takimi, më thonë nuk pret ministri. Duhet të më presë se kam një problem shumë të rëndësishëm. Ma thuaj mua. Nuk të takon ty. Ma shkruaj me letër. Nuk ta shkruaj as me letër, as hiç. Thuaji o do të më presë, ose unë do t’i drejtohem udhëheqësit kryesor i thashë. Edhe ika, po të lë ty adresën jam në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. I lashë adresën dhe ika unë. Kur shkoj atë ditë Faredini më thotë nuk është këtu. Kur të vijë i thuaj kështu ka kërkuar filani i thashë. Në orën një e gjysmë më merr në telefon edhe më thotë: Shoku Myftar ti je. Po unë. Jam filani tha, ministri të pret thotë, a të dërgoj veturën me të marrë. Jo thashë s’ka nevojë për veturë se vij vetë. Nuk desha të bija në sy, që të thoshin erdhën e morën me veturë.“Kur Mehmeti jepte shpirt në shtrat, Kadriu ngrinte dolli në Laprakë” Ka ndodhur pikërisht kështu në mbrëmjen e ftohtë të 17 dhjetorit ‘81. Teksa Mehmet Shehu jepte shpirt në vilën qeveritare, Kadri Hazbiu ngrinte dolli e këndonte labçe në shtëpinë e shefit të kabinetit të tij në Laprakë! Shpalosen kështu në proces të tjera dëshmi përballë atyre të Fiqrete Shehut dhe shoferit të Kadriut, të cilët kanë pohuar për një takim të fshehtë në shtëpinë e kryeministrit pas mbledhjes së bujshme të Byrosë Politike dhe pak çaste para vetëvrasjes së Mehmetit. “Kadri Hazbiu mbrëmjen e 17 dhjetorit, ka qenë në shtëpinë time në Laprakë, i ftuar në 35 vjetorin e datëlindjes”. Njeriu që zbardh këtë fakt quhet Ismet Isufi, ish-shefi i Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, i cili ka pasur për mysafir shefin e tij në këtë festë familjare, që ka filluar në orën tetë të mbrëmjes dhe është mbyllur diku pas mesnate. Për të dhe të pranishmit e tjerë ka qenë e paditur lëvizja e Kadri Hazbiut para se të mbërrinte aty. I bindur për këtë, trupi gjykues këmbëngul të mësojë diçka tjetër, që mesa duket nuk ka të bëjë me vizitën e dyshimtë, po me një fakt disi të çuditshëm. Aranit Çela disa herë kërkon nga Ismet Isufi, po edhe nga dëshmitarët e tjerë për të mësuar nëse këndonte e ngrinte dolli Kadri Hazbiu atë mbrëmje tragjike për ish-kryeministrin. Mbetet kështu, për një çast në periferi të procesit, vërtetimi i vizitës misterioze në vilën e Mehmetit natën e vetëvrasjes, për t’u befasuar nga gjendja shpirtërore e Kadriut, i cili e kishte marrë vesh çfarë kishte ndodhur me kryeministrin dhe vazhdonte të ngrinte dolli e të këndonte deri pas mesnate.neser do te lexoniÇfarë ka ndodhur me letrën e Myftar Memisë të vitit ’55, ku denoncohej Beqir Balluku. A ishte e vërtetë që e fshehu Kadri Hazbiu.Pse nuk vihej në dijeni Enver Hoxha për të dhënat e Sigurimit me objekt veprimtarinë agjenturore në radhët e udhëheqësve të lartë.Kush ishte i dënuari politik Ndoc Pali dhe nga i siguronte të dhënat për pucin që përgatitej para Konferencës së Tiranës së ‘56.Protesta e Hazbiut: Nuk duhen përdorur dëshmitarët për fyerje. Reagimi i prokurorit: Unë edhe para vendimit të gjykatës mund të quaj kriminel, terrorist, tradhtar.