E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopsa

• Skënder MinxhoziNë pasazhet e tij të pafund politiko-poetike, gjatë tetë vjetëve që ndodhej në opozitë, kreu i PD Sali Berisha ngulmonte papushim se problemi madhor i shqiptarëve është korrupsioni. Miliarda dollarë dhe euro të vjedhura, ministra që përvetësonin çdo sekondë fondet e buxhetit të shtetit, tendera pa mbarim... që manipuloheshin, duke i sjellë arkës së shqiptarëve humbje përrallore – këto kanë qenë, vetëm dy vjet e gjysmë më parë, armët propogandistike që sollën në pushtet opozitën e kohës. Në fakt e gjitha kjo ka shumë mundësi që të mos ketë qenë vetëm propagandë. Nuk përjashtohet që kjo të ketë qenë, në një pjesë të konsiderueshme, e vërtetë. Korrupsioni financiar i të majtës, pas tetë vjetësh në pushtet, ka qenë një fenomen i pranuar edhe nga vetë e majta. Kush e kthen kokën pas e kujton KPD-në e famshme, e kupton që është kështu dhe jo ndryshe. Por a është ky geni i vërtetë i fenomenit? A ndodhet këtu ADN-ja e të keqes së këtij vendi? A shërohet gjithçka, duke futur në burg zyrtarët, doganierët dhe tatimorët hajdutë? Edhe po, edhe jo. Në pamje të parë duket se dhe vetë Berisha vijon të jetë i bindur (ose bën sikur), se këtu qëndron diagnoza e sëmundjes sonë historike dhe aktuale. Ka shumë arsye për t’i besuar Doktorit, por edhe më shumë për të dyshuar në atë që ai predikon papushim.Historia 17-vjeçare e Shqipërisë e sidomos kjo e fundit, pas 3 korrikut, ka treguar se vjedhja materiale e parasë ose gjësë publike, nuk është ndoshta e keqja më e madhe. Për ta shpjeguar me fjalë të tjera, sot ka shumë arsye të besohet se kjo e keqe është më shumë pasojë, se shkak. Ata që duan të kërkojnë dhe gjejnë rrënjët reale të sindromës që e mban lidhur në shtrat Shqipërinë, duhet të kërkojnë më së pari korrupsionin politik, si të keqen e madhe të këtij vendi. Eshtë e vërtetë se korrupsioni financiar është një fenomen që tërheq më shumë vëmendje, është më i perceptueshëm dhe më i dukshëm në sytë e publikut. Tringëllima e parasë vazhdon të jetë intriguese për veshët njerëzore, ashtu sikurse janë të zhurmshme dhe plot bujë shifrat me gjashtë dhe shtatë zero prapa. I gjithë ky spektakël në Shqipëri është konsumuar në boshllëk, pa aktorë, pa viktima, fytyra dhe emra të përveçëm. E gjitha kjo ka ndodhur sepse në themel të këtij korrupsioni, në origjinën e tij më të thellë dhe bazike, ndodhet një tjetër deviacion, një tjetër keqformim shoqëror. Ky është korrupsioni politik, burimi i të gjitha të këqijave në këtë vend, që nga sistemi i drejtësisë e deri tek biznesi, që nga mediat e deri tek shoqëria civile, që nga administrata e deri tek institucionet më të larta të vendit.Në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje, janë votuar zyrtarë të lartë dhe zgjedhur ofiqarë pa fund. Shpirt, zemreku i kësaj gare të pafund, ka qenë akuza ndaj kundërshtarëve, për vjedhje fondesh dhe pasurim financiar të paligjshëm. Asnjëherë nuk është folur me seriozitet dhe realisht për pjesën e padukshme të këtij fenomeni, korrupsionin politik. Pa e pasur maninë klasike të fajësimit me çdo kusht të politikës dhe produkteve të saj, duhet thënë se korrupsioni politik është sot shfaqja më e lartë e korrupsionit. Një prokuror i emëruar për të kurdisur procese kundër kundërshtarëve politikë, një kandidat për deputet që vjedh votat apo një president i zgjedhur me deputetë të blerë – i gjithë ky peizazh në dukje ka pak lidhje me doganierin që merr para nën dorë në ndonjë cep të këtij shteti, apo me nëpunësin që ndryshon listën e fituesve në tenderin e radhës. Nuk ka gabim më të madh sesa të mendosh kështu. Një proces i nisur shtrembër në kokë të shtetit dhe politikës, prodhon institucione të deformuara, tendencioze dhe të këqija, të cilat më pas prodhojnë edhe ato cilësi të keqe e të manipuluar qeverisjeje dhe drejtimi. Korrupsioni politik ka pjellë në 17 vjet rregullisht korrupsionin ekonomik, dhunimin e ligjeve, klientelizmin dhe deformimin moral të të gjithë shoqërisë. Ai është gangrena e vërtetë e këtij vendi, ai duhet shëruar më së pari, si e vetmja garanci për të likuiduar pjesën tjetër të kartelës sonë mjekësore.Korrupsioni politik, ky zinxhir i padukshëm kanceroz, duket se është rruga misterioze nëpër të cilën kalon dhe konsolidohet e keqja jonë kombëtare, që ka sot fytyrën e shtetit të munguar dhe të një mijë të këqijave të tjera. Korrupsioni politik i shfaqur dhjetëra herë në vitrinën tonë politike në forma nga më të ndryshmet, ka bërë që ne sot të mos kemi as institucione, as rregulla loje. E kur xhaketa mbërthehet keq që në kopsën e parë, kështu do të jetë edhe për kopsën e fundit. Dhe e dini cili është problemi ynë më i madh?! Aktualisht të gjitha xhaketat që kemi në gardërobën tonë politike (megjithë të zotët e tyre brenda), janë të mbërthyera po në këtë mënyrë – keq!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›