Të kapërcejmë mbi veten
• ERMIRA BABALIUDua të shpreh një impresion timin pasi dëgjova lajmet e TVSH-së të nesërmen e natës së fundit të festivalit. Për një moment harrova që po shihja TVSH-në, kur dëgjova një lumë sharjesh për jurinë e festivalit, të cilin ata vetë e kishin krijuar e ftuar.Pasi lexova edhe opinionet e shkruara në shtypin e shkruar, nuk mund të rrija pa shkruar dy fjalë.Së pari si qytetare emigrante e interesuar pozitivisht për ecurinë e muzikës së mirëfilltë shqiptare, si pjesë e identitetit kombëtar dhe si vlerë që i duhet së ardhmes, por edhe si pjesëmarrëse e festivaleve në vitet 1985-1995 të asaj kohe, midis dy etapave – komuniste me shumë kufizime dhe asaj demokratike, ku presupozohet të paktën të respektohet hapësira që iu duhet krijimeve muzikore, e aq më tepër liria e shprehjes, e përfaqësimit të shijes të individit pa ndikime të tjera.TROÇ!... Ajo që duhet të them: - E tërë pamja dhe zhurma që u bë pas festivalit, ngjasonte fiks e njëjtë me atmosferën e para ‘90-ës. PSE? E njëjta mënyrë e paravendosjes së çmimeve (shumë ofenduese kjo për të gjithë këngëtarët, poetët dhe kompozitorët pjesëmarrës). E njëjta dëshirë për unifikim mendimi, pavarësisht kohëve moderne. I njëjti presion për anëtarët “e pavarur” të ftuar të jurisë për t’u bërë gjëmën me sensibilizimin e medias, siç provuan të bëjnë, sepse - nuk e di a ua mbushin dot mendjen - të gjithë atyre që i njohin këto lloj metodash me fjalët e ofendimet që u thanë për një pjesë të jurisë, e konkretisht për Xhuvanin e Skënderajn, dy emra shumë të nderuar TE PROVUAR në kontributin që kanë dhënë, njëri në kinematografi dhe tjetri në muzikën e lehtë shqiptare.Në këtë kontekst, unë jam realisht e shqetësuar për dëmin që mund t’i shkaktohet karrierës së tyre të ardhshme, duke i cilësuar si gangsterë apo racistë.Racistë? Papërgjegjshmëri e plotë ose e qëllimshme...Të vësh duart në kokë. Alban Skënderaj (të cilin unë nuk e njoh fare personalisht) të gjithëve na ka impresionuar e futur në sedër me krijimet origjinale muzikore dhe fuqinë e mesazheve shumë të goditur që ai transmeton me tekstet e këngëve të tij, si edhe me modestinë që rrezaton në tërësi në të gjitha intervistat që ka dhënë, gjë që e bën atë akoma më të madh me gjithë moshën e re që ka.Për Gjergj Xhuvanin përpos karrierës besoj se mjaftojnë vetëm dy filmat e fundit “Parullat” dhe “I dashur armik”, për të kuptuar shijet e tij të holla estetike dhe personalitetin artistik.Unë mendoj që në konkurrim, për arsye të konfliktit të interesave, nuk duhet të marrin pjesë drejtues të spektakleve të ndryshme. (I lutem shumë z.Zhulali të mos ma keqkuptojë qëllimin e sa më sipër). Më erdhi shumë keq që edhe zonja Koleci i kishte quajtur gangsterë dy zotërinjtë (shpresoj të jetë një lapsus i medias). Sa vështirë vazhdojnë ta kenë drejtuesit shqiptarë kur u thonë JO. Sa shpjet e japin përgjigjen dhe pa e menduar se ç’thonë, edhe sikur nesër t’ju vijë keq për këtë?! Me çfarë ritmesh të ngadalshme paska ecur mekanizmi i lëvizjes së mentalitetit nga drejtuesit e muzikës sonë?Oh, sa keq!.Të kthehem te lajmet. Kur shikoja që në ekran u duk një Window kompjuteri me fjalët turp, turp m’u mblodh një lëmsh në grykë e thashë me vete: “Kush në fakt është turp”?-Mesazhet që vinë kushedi nga ku, nga kush e për ç’qëllime, apo lajmi i sapothënë, që të kujton kovën e sapoderdhur të qumështit të ngrohtë? Automatikisht e ndjeva veten të dëshpëruar dhe ofenduar për të gjithë këngëtarët, poetët e kompozitorët që morën pjesë në natën finale, me të drejtën e gjithsecilit për të pretenduar vendin e parë. Futet në festival kënga, s’ka më koment se kush fiton. Secila është njëlloj, pretendente për çmimin e parë. Ose justifiko qëllimin që thua kur ky festival është për të gjithë, ose bëj nja 10 këngë vetë, vëri emra të ndryshëm e konkurro me veten, si qëmoti. Pa diskutuar këtu një lloj xhelozie të ndjeshme për dy emra të fuqishëm të muzikës, për kontributin e vyer që kanë dhënë me krijimet e tyre origjinale, të ndjeshme, emocion të Pandi Laços e Adi Hilës. Ndërkohë që këngëtaret e reja, të tria të bukura, me zëra të bukur, bëhen edhe ato instrumente në gojën e atyre, që s’i futin fare në refene efektet emocionale negative, si e kosovareve të vogla që ishin të lumtura që morën pjesë në këtë festival, edhe të voglës bukuroshe, me një zë të mrekullueshëm që krijoi një emocion real tek të gjithë spektatorët dhe telespektatorët (në emisionin 7x7 te z.Bala), të rinjtë e vërtetuan drejtpërdrejt këtë emocion të shkaktuar prej saj. Prandaj më duhet t’u transmetoj një mesazh shumë miqësor artistëve krijues të muzikës, të dalim mbi vetveten, të shohim pak më larg nga ajo që “bëra unë” e të fillojmë të themi “ç’bëmë ne?”.Të pranojmë në fund se të rinjtë e sotëm ecin me ritme më të shpejta se ne për të sjellë atë ç’ka është e kohës. Vetëm me këtë mentalitet do të mundemi të kapërcejmë amullinë që ka kapluar muzikën e sotme shqiptare dhe të krijojmë vlerat reale muzikore të asaj ç’ka i duhet kombit për nesër!