Të parët në botë, 30% e shqiptarëve emigrantë
• Shqipëria renditet e para në botë për numrin e emigrantëve. Rreth 30% e popullsisë ka emigruar legalisht, por numri i tyre mund të jetë më i lartë, pasi jo pak persona kanë zgjedhur rrugët ilegale.Ndërkaq paratë që kanë hyrë në vend për 2006 dhe 2007 nga kjo kategori llogariten në 1 miliard dollarë në vit. Në këto kushte, Ministria e Punës do të nxisë politikat e saj për kthimin e emigrimit në një fenomen që do të ndikojë në zhvillimin e vendit. Gjithçka u prezantua dje në ditën ndërkombëtare të emigrantëve, nga kreu i këtij dikasteri, Kosta Barka. “Duke u nisur nga ky kontekst, politikat migratore të Qeverisë shqiptare nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit”, tha ministri. Dekurajimi i potencialit e fluksit migrator, nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve për punë e jetesë normale e dinjitoze në vend, është një prej objektivave që synohet të arrihet në kuadër të këtyre politikave. Përpos kësaj, zgjerimi i kanaleve legale të emigrimit, krahas luftës ndaj emigrimit klandestin dhe trafikut të qenieve njerëzore, mbetet një tjetër prioritet. “Ka filluar tashmë bashkëpunimi me vendet pritëse për të siguruar kushte për shkollimin e brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve në gjuhën amtare, me synim kombinimin e integrimit të komunitetit të emigrantëve me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor”, theksoi Kosta Barka. Ai shtoi se do të merren masa edhe për nxitjen e kthimit vullnetar të emigrantëve të suksesshëm, nëpërmjet iniciativave ekonomike, fiskale, ligjore, bankare.