E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Akademinë, reagon edhe Brukseli: Mos cënoni autonominë

• Pas Këshillit të Akademive të Evropës Juglindore, të cilët me anë të një letre kanë shprehur qëndrimin e tyre në mbështetje tëAkademisë së Shkencave, reagon edhe Komiteti Përfaqësues i Bashkimit Ndërkombëtar të Akademive (IUA) me seli në Bruksel. Gjithashtu në adresë të Akademisë shqiptare ka mbërritur edhe një letër nga presidenti i Nderit të Akademive të gjithë Evropës (ALLEA) Pieter J.D.Drenth. “Për Komitetin Përfaqësues të IUA është e qartë se masat e reja të parashikuara nga qeveria shqiptare janë tërësisht në kundërshtim me parimin themelor dhe thelbësor të të gjithë Akademive në botë, dhe veçanërisht të atyre të ngritura në Evropë dhe Amerikë. Pavarësia e Akademive –  nuk është një fjalë e thjeshtë, por për më tepër është një domosdoshmëri për lirinë e kërkimit shkencor dhe për analizën objektive të çështjeve të rëndësishme dhe themelore, kombëtare dhe ndërkombëtare, pavarësi kjo që do të mbrohet dhe duhet të mbrohet nga shteti, në interes të këtij të fundit”, thuhet në letrën e Komitetit Përfaqësues të Bashkimit Ndërkombëtar të Akademive. Në letër thuhet gjithashtu se, praktikisht kjo do të thotë zgjedhje plotësisht e lirë e anëtarëve të Akademisë, një mënyrë kolegjiale e pranimit dhe zgjedhjes, një anëtarësi për tërë jetën (duke mirëkuptuar që anëtarët e zgjedhur mund të vendosin vetë për këtë apo të kenë status të detyruar, të bëhen anëtarë nderi në moshën 70, 75 apo 80). “Nëse një liri e tillë nuk sigurohet fuqimisht, atëherë kalohet në dhunimin e një  tradite dhe rregulli ndërkombëtar, në kundërshtim të plotë me procedurat standarde të pranuara kudo në botë. Meqenëse tashmë ekziston Akademia e Shkencave e Shqipërisë, atëherë është në dorë të anëtarëve të saj të tanishëm që të procedojnë për zgjedhjet e ardhshme të anëtarëve të rinj, pa asnjë shtrëngim apo vendim”, theksohet në letër. Të njëjtin mendim ndan edhe presidenti i Nderit të Akademive të gjithë Evropës (ALLEA) Pieter J.D.Drenth”. “Arsyeja më shtrënguese për pakënaqësinë time qëndron në sulmin ndaj vlerës më thelbësore të një Akademie Shkencash: pavarësisë së saj. Që nga fillimet e para të themelimit të tyre, si në kohët e lashta dhe ashtu edhe në ripërtëritjen e tyre në kohën e Rilindjes, akademitë kanë gëzuar vetëqeverisjen e tyre dhe pavarësinë nga sundimtarët politikë apo fetarë”, theksohet në letrën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›