LSI: Proporcional të pastër
• Deklarata e LSI-së për sistem proporcional të pastër solli reagime nga partitë e vogla.Aristir LumeziSekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp, se “LSI-ja mbështet dhe preferon aplikimin e një sistemi të pastër proporcional, i cili zgjidh në mënyrë të plotë veçanërisht dy çështje të mëdha të përfaqësimit; atë të votës së emigrantëve dhe një përfaqësim më të gjerë të grave dhe eliminon fenomenin e Dushkut”. Vasili theksoi, se “LSI-ja ka qenë dhe është e hapur dhe për sisteme të tjera, të cilët mund të ndihmojnë në kapërcimin e problemeve të deritanishme”. Duke u ndalur në përfaqësimin e grave në Parlament, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u shpreh, se “kjo barazi e garantuar në Parlament do të siguronte edhe një përfaqësim të tillë edhe në qeverisje, në të gjitha nivelet, duke i dhënë fund diskriminimit të pavend të grave dhe përfaqësimit të papërfillshëm të tyre në drejtimin e vendit”. “Sistemi proporcional i pastër do të rrisë cilësinë e Parlamentit dhe të bërjes së ligjeve. Megjithatë LSI-ja thekson, se çështja e sistemit zgjedhor është produkt i një konsensusi sa më të gjerë, i cili nuk duhet të vonojë dhe që duhet të vërë në themel të tij interesat e vendit dhe qëndrueshmërisë së tij përpara interesave të ngushta partiake dhe personale”, tha Vasili. Ndërsa dy partitë e vogla të grupimit opozitar, PAD-ja dhe PSD-ja nuk ndajnë të njëjtin mendim.Divergjencat Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka dhe nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, reaguan ndaj qëndrimit të LSI-së, për sistemin e pastër proporcional. Nënkryetari i PSD-së Engjëll Bejtaj, tha dje, se “për këtë çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim” dhe shtoi, se sistemi gjerman, për të cilin janë shprehur partitë e vogla, “është një sistem proporcional, madje proporcional gati i pastër. Përveçse krijon përshtypjen e një maxhoritari, përsa i përket 70 zonave, përsëri ai është tërësisht i korrektueshëm në planin proporcional”. Në lidhje me qëndrimin e LSI-së, Bejtaj shprehet se ajo “ka qenë një deklaratë në kuadër të përfshirjes së grave në politikë, për t’u dhënë mundësi atyre që të kenë përfshirje në Parlament”. Bejtaj u shpreh, se “PSD-ja nuk ka kundërshtuar në asnjë rast një proporcional të pastër, por vlerëson se për mentalitetin shqiptar elektorati ka ende nevojë të ketë një referencë përsa i takon një zone të caktuar, ku votuesit duan të dinë se kush do të jetë deputeti i tyre. Këtë mundësi proporcionali i pastër nuk e krijon, kurse ai gjerman po”. Ndërsa kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, tha dje se “sistemi elektoral i zgjedhur nga partitë e vogla është një sistem i pastër proporcional, ndërsa modeli është një proporcional i personalizuar”. “Lidhur me propozimin e LSI-së nuk shoh ndonjë kontradiktë dhe në fakt ky model i saj zgjidh edhe kërkesën kryesore të kësaj partie, që është dhe pikënisje e reformës, eliminimi i ‘Dushkut””, u shpreh Ceka. Kryetari i PAD-së theksoi se “çdo parti merr aq vende në Parlament sa vota ka, dhe nga ana tjetër njehsohet vota e subjektit me votën e kandidatit. Pra, nuk ka asnjë mundësi të bëhet “Dushku”, ndërkohë që të gjitha partitë futen në garë pa aleatë dhe aleancat bëhen pas zgjedhjeve”. PS-PDDy partitë e mëdha, PS-ja dhe PD-ja ende nuk janë shprehur në terma konkretë për sistemin zgjedhor që pritet të diskutohet në komisionin e posaçëm parlamentar. Bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Kastriot Islami, ka hedhur idenë e mbështetjes së sistemit zgjedhor gjerman, por nuk përjashton edhe sistemin spanjoll zgjedhor, si një nga variantet referuese që OSBE-ODIHR i ka paraqitur partive parlamentare shqiptare për reformën zgjedhore. Nga ana e saj, PD-ja dhe bashkëkryetari i saj në komisionin e reformës Ilir Rusmali, nuk është shprehur asnjëherë për një opsion të caktuar zgjedhor, por i ka kërkuar opozitës të sjellë atë sistem që asaj i duket më i përshtatshëm. Milo: Gjerman, me listë të hapur Kreu i PDS-së, Paskal Milo, mbështet sistemin gjerman të personalizuar. “Partitë e vogla mbeten të prirura ndaj sistemit elektoral gjerman, i cili nuk do të prekë vlerat e konkurrimit të të gjitha partive politike. Synohet që të identifikohet një sistem zgjedhor, i cili të mos prekë çështjen e pragut elektoral, si dhe që do t’u japë mundësi disa partive që të përfaqësohen gjatë fushatës elektorale me përfaqësues në të gjitha zonat zgjedhore që do të përcaktohen. Mbështesim sistemin gjerman me listë të hapur, i cili ruan konkurrimin e partive me një listë dhe unifikon votën e partisë me votën e individit”.PR: Mbështesim proporcionalinKryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha dje, se kjo forcë politike mbështet sistemin proporcional në kuadër të reformës në sistemin zgjedhor. Sipas Mediut, “Mendoj se kjo reformë nuk është thjesht standardi i kartave të identitetit, regjistri i gjendjes civile, përfaqësimi në komisionet zgjedhore, por ka të bëjë me gjykimin tonë të përbashkët për organizimin e sistemit tonë partiak në Shqipëri, i cili shpesh nuk përfaqëson grupet e interesit. Ne kemi qenë nga të parët që kemi mbështetur një sistem proporcional, një sistem që nuk do të krijonte një autoritet politik që do të vendoste, por një kompeticion të shëndetshëm që të zgjidhen ata njerëz që duhen”.