E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jesh artist… Sa turp!

• Iva TiçoI keni parasysh konkurset e miss-eve? Atë momentin kur sapo shpallet ...fituesja dhe ajo shkon me lot në sy të bëjë paradën e nderit, ndërsa konkurrentet e tjera nxitojnë kush e kush më parë për ta përqafuar e për ta uruar? E nëse mendoni se edhe në të tjera gara artistike ndodh pikërisht kjo, atëherë gaboheni rëndë. Me siguri që nuk është ndonjë gjë e re të thuash që aktorët e teatrit nuk shkojnë të shohin shfaqjet e njëri–tjetrit, apo edhe nëse i shohin, me përjashtim të shokëve të ngushtë (të ngushtë në këtë rast duhet përkthyer ata që flasin me gojë me njëri-tjetrin), tjetërkush nuk shkon t’u japë dorën dhe nëse suksesi është vërtet i madh, ata shokët e ngushtë bëhen armiqtë e betuar… Nuk është gjë e re sigurisht edhe që të nesërmen e një festivali, siç ishte dhe ky i TVSH-së, faqet e gazetave të jenë të mbushur me tituj e artikuj për blerje e shitje çmimesh. Nëse ke vite të tëra që hyn e del në ambientet artistike, në ato ambiente, ato që shumica e atyre që ngjarjet i ndjekin veç në televizor i quan shtresa më elitare e shoqërisë, të tilla episode nuk të bëjnë aspak përshtypje. Por sado me stomak të fortë të jesh bërë nga keqdashja, hidhësia dhe servilizimi i kësaj “elite”, nuk mund të mbetesh indiferente kur sheh një vajzë të vogël 16-vjeçare, si Olta Boka, e cila sapo ka ngritur peshë me duartrokitje një sallë aq të ftohtë si ajo e Pallatit të Kongreseve, teksa gjendet e mbështetur pas një dere në pas-skenë me lulet e fitores ende në dorë dhe lotët që nuk duan t’i binden vullnetit të saj për t’u dukur e fortë, përpiqet të buzëqeshë nën blicet e aparateve, teksa ata këngëtarët “big” dalin gjithë tërsëllëmë duke sharë e duke kërcënuar organizatorë, drejtorë, juri, regjisorë… Kalojnë të gjithë njëri pas tjetrit te këmbët e saj, kush duke kërcitur takat, dikush tjetër duke bërë me dorë një shenjë përbuzjeje, ndokush duke bërë plane me gazetarët për të ngritur akuzat kundër jurisë e ndonjë tjetër, duke shpikur një grup armiqësor brenda organizatorëve të festivalit, që i ka prishur interpretimin dhe nuk e ka lënë të performojë siç duhet.Atë natë, pasi ke asistuar në një ndër të paktët spektakle të ngritur mirë fund e krye, të duken të gjithë qesharakë teksa vrapojnë nëpër makina, duke iu shmangur një feste që është organizuar vetëm për ta. Kurse të nesërmen, kur të gjitha gazetat janë të treg, e kupton se e paskan pasur seriozisht. Janë aty edhe akuzat për grupin armiqësor që ka vënë dorë në foni, edhe ato për favorizim klanesh të caktuar, edhe ato të shumëpërfolurat akuza ndaj jurisë. Ndaj një jurie që për hir të së vërtetës ka bërë një nga ato veprime kurajoze që në Shqipëri pakkush i bën: ka votuar publikisht këngë për këngë, emër për emër. Për të tjera shoqëri kjo do ishte një gjë normale, por për këtë të tonën, jo. Jo për rrethet artistike shqiptare, ku festivali “Kënga magjike”, ku thuhet se janë vetë këngëtarët ata që votojnë njëri–tjetrin, nuk e ka shfaqur kurrë publikisht se kush ka votuar për kë. Ndoshta Ardit Gjebrea e ka të pamundur t’ua mbushë mendjen këngëtarëve që ta bëjnë një gjë të tillë, nëse do t’i detyronte, jam e bindur se më shumë se gjysma e tyre do të tërhiqeshin fill nga gara. Vetëm votimi i fshehtë, ai ku bëjnë gjithë makinacionet kundër njëri-tjetrit, plus dhe siguria se do të marrin një nga çmimet e shumta të festivalit, i bën që të shkojnë me qejf në këtë festival. Jam e sigurt se nëse në Festivalin e TVSH-së, këngëtarët dhe autorët e këngëve do të detyroheshin të votonin hapur publikisht, ashtu si juria e anatemuar prej tyre, nuk do të guxonin ta bënin. Do t’i shmangeshin medoemos. E di këtë, sepse pata rastin të ndaj me disa prej tyre një juri spektakli siç ishte “C’est la vie”: asnjëri nuk dëshironte të votonte hapur. Thjesht sepse nuk donin të futeshin në ngatërresa me kolegët. Në “ngatërresa” janë futur me siguri të shtatë anëtarët e jurisë. Ndonjë nga “Big”-ët e skenës me siguri që nuk do t’ia falë profesor Krajkës apo Gjergj Lekës që harruan ta vlerësonin apo i dhanë minimalen. Ashtu si ndokush tjetër do t’ia ketë vath në vesh Rudina Magjistarit, Baton Haxhit apo David Tukiqit që i lanë jashtë zonës së çmimeve. Ashtu si Edmond Zhulali do të vazhdojë të mos lërë gjë pa thënë ndaj Gjergj Xhuvanit e Alban Skënderajt, sepse shija e tyre personale, për të cilën ai si drejtor artistik i festivalit (ooops, konflikt i pastër interesi!) kishte qenë dakord, e vlerësoi këngën e tij me zero pikë. Shpresoj që gjithsesi askush prej të shtatëve të mos jetë penduar që iu fut kësaj valleje. Sepse do të ishte zhgënjim i madh të mësosh se kurajoja qytetare është diçka që i takon vetëm shembujve të mirë nga letërsia. Një zhgënjim po aq i madh sa ç’është të shohësh Oltën e vogël të përlotur, që triumfin e vet mund ta ndajë vetëm me Roselën, Samantën, Flakën e Doruntinën, të rejat e skenës të ngjashme me të... Edhe nëse ke vite që je mësuar me hipokrizitë e “elitës artistike”, nuk mund të mos mendosh se në fund të fundit do të qe më me mend në kokë që në nerva e sipër ata të mëdhenjtë e skenës, të vishnin maskat hipokrite e ta uronin atë vajzë të vogël që ka ende shumë rrugë përpara vetes... Edhe vajzat që konkurrojnë për “Miss” si zor se gëzohen kur njëra prej tyre vë në kokë kurorën. Hedh bast që e mallkojnë dhe janë gati t’i vënë stërkëmbëshin... Por zakoni e do që përkundrazi, të buzëqeshin, të bëjnë sikur gëzohen, të përqafohen. Paskan më shumë mend në kokë. Kot i paskemi paragjykuar!.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›