E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kadriu urdhëroi për të ndërprerë gjurmimin e zbulimit jugosllav”

• Një ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit, sjell në procesin gjyqësor të gushtit ‘83 tri ngjarje që provojnë sipas tij, lidhjet e hershme të Kadri Hazbiut me zbulimin jugosllav.afrim imajDëshmitari Qani Tartale, ish-shef i sigurimit të hekurudhës Durrës-Tiranë në vitin ‘48, fillimisht pohon se pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Titon, ka marrë një raport të zgjeruar nga një kosovar i rekrutuar nga UDB-ja, i cili përveç reflektimit për aq sa kishte bërë, ka shprehur gatishmërinë për të punuar për zbulimin shqiptar në adresë të aktivitetit të UDB-së në Shqipëri. Po gatishmëria e tij është kthyer në një bumerang dhe kosovari Sadik Radeca ka përfunduar në pranga nga krerët e Ministrisë së Brendshme. Pas shpine sipas dëshmitarit Tartale, kishte një bashkëpunim të fshehtë midis Tiranës dhe Beogradit, me kupolë  në krye të Ministrisë së Brendshme. Me këtë argument ish-sigurimsi hedh dritë edhe mbi një ngjarje tjetër që daton në vitin ‘57. Teksa ndiqte dikur gjurmët e një misionari të UDB-së, që i çonte një letër Hulsi Spahiut në Durrës dhe raportoi në kohë për të prangosur agjentin e Beogradit, është këshilluar që herë tjetër mos të merret me të tilla çështje. I pari që e ka njohur me këtë qëndrim befasues ka qenë këshilltari rus në Tiranë, i cili e ka njoftuar zyrtarisht se tashmë gjurmimi i UDB-së  nga Sigurimi Shqiptar ishte ndërprerë me urdhër. E kësaj natyre ka qenë edhe porosia që ka marrë për mos t’u angazhuar me informacionet e Dhora Lekës për bashkëpunëtorët e hershëm të UDB-së, gjoja si të pa besueshme, pasi ajo njihej si grua me moral të ulët. Po sa janë të vërteta rrëfimet akuzuese të Tartales dhe si reagon ndaj tyre në proces Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu...(Seanca e 16)ARANIT ÇELA: Kalojmë në administrimin e provave lidhur me krimin e tradhtisë ndaj atdheut. Të thirrët dëshmitari Qani Tartale...QANI TARTALE: Po kryetar...ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur pikërisht për tri çështje. E para, lidhur me çështjen e Sadik Ramës...QANI TARTALE: Sadik Radeci...ARANIT ÇELA: Sadik Radeci si thua ti, e dyta, lidhur me atë rastin e diversantit që përmende lidhur me letrën e Hulsi Spahiut dhe e treta, lidhur me trajtimin nga ana e Feçor Shehut të materialit që ka të bëjë me Dhora Lekën. Shkurt na fol për këto tri çështje...QANI TARTALE: Në vitin ‘48 isha shef i sigurimit të hekurudhës. Ato ditë të prishjes me Jugosllavinë më vjen Sadik Radeci dhe denoncon se ishte rekrutuar agjent nga Savo Bozhidaroviçi. Savua e kishte takuar disa ditë pas prishjes së marrëdhënieve, se me atë punë merrej dhe i kishte dhënë nja pesë copë raporte të Kongresit të Pestë të Partisë së tyre revizioniste për t’i shpërndarë dhe i kishte dhënë si detyrë që nëse mund ta lidhte të vinte të bënte një takim me kosovarët e Rozhbullit. Mbasi na i tha neve këto dhe na tha situatën, se në cilat kushte ishte vënë në shërbim dhe si kosovar ishte gati që çdo detyrë që t’i jepnim neve ta realizonte qoftë me likuidimin e Savos ose të vinte dorë, çfarëdo detyre që t’i jepnim ishte gati. Kjo iu relatua ministrisë, ministria nuk na dha asnjë përgjigje. Në ministri ishin bërë ndryshime, kishin ikur ata dhe kishin ardhur këta të tjerët. Në fakt, Savua ditën e caktuar me gjithë Qamilin nuk morën porosira, masat i morën vetë, po Savua nuk erdhi. Mbas kësaj, Savua erdhi disa herë të tjera në Durrës, bëri takime të tjera dhe ne, me ato mundësi që kishim i zbuluam edhe disa baza. Po Sadikun nuk e takuam më. Kaloi kohë dhe ne Sadikun e mbajtëm afër. Kishin kaluar disa muaj, tani ministria ishte në dijeni të punës së Sadikut, por koha kishte kaluar. Një ditë të bukur na lajmërojnë ta marrim Sadikun e ta biem në Tiranë. Ai mendonte, meqenëse puna e tij ishte vlerësuar dhe dëshironte të takohej me Mehmet Shehun. Në një aksham e marr unë dhe e sjell në Tiranë. Në Drejtorinë e Tiranës që ishte te rruga e “Dibrës”, na priti Kleanthi Andoni. Sa e zbrita nga makina Kleanthi i hodhi hekurat dhe e futi brenda. I them, si është kjo punë? Do ta bisedojmë më vonë, më tha. Ikëm në Durrës pastaj na bëjnë një shkresë nga ministria e na thonë që Sadiku ishte përgjegjës i një rezidenture në uzinën “Enver”. Kjo na çuditi se Sadiku as ishte i këtij niveli dhe as kishte punë me Tiranën, ai banonte në Durrës. Megjithatë, ministria mund të ketë të dhëna a nuk e di, e mbajtën. Kaluan pesë-gjashtë muaj na thërrasin dhe na thonë, e çfarë keni, merrni Sadikun tashti, aneksojani grupit të sabotatorëve të hekurudhës, megjithëse nuk kishte lidhje me ta dhe të dalë në gjyq të demaskojë ato krimet jugosllave ku ai kishte jetuar, që ishin bërë ato masakrat në Jugosllavi pas çlirimit. Edhe kështu u bë, neve na vinte turp tani si ky njeri?! Edhe e trajtuam mirë, megjithatë ai i shkreti nuk tha gjë. Mbas gjyqit, u vendos që ai të dalë nga salla e gjyqit pas përfundimit se u lirua në seancën e fundit edhe ai pësoi një traumë psikike për disa vite. Tani kam vite që nuk e kam parë, por di që deri vonë ka jetuar në Kavajë, krijoi familje se atëherë i prishëm edhe familjen, qe i fejuar. Shkurt, kaq është puna e Sadik Radecit. Për këtë çështjen tjetër duhet të ketë qenë viti ‘57, nuk e mbaj mend saktë, kemi marrë një detyrë nga Kadri Hazbiu, Nevzat Haznedari, Filat Muçua dhe unë. Mbasi ishte marrë një e dhënë se një i dënuar, i cili kishte vepruar si diversant i kishte thënë një të dënuari tjetër në burg se, kur ka ardhur një herë me detyrat e UDB-së ka prurë një letër për Hulsi Spahinë, që në atë kohë ishte komandant i Brigadës bregdetare në Durrës. Ka shkuar në Durrës, sipas të dhënave, ka gjetur dhe shtëpinë, nuk e mbaj mend mirë se ka vajtur tashti, po më duket se qe edhe në shtëpi, piu edhe kafe dhe priti e priti dhe meqë u vonua ai, ky nuk ndenji, u tremb. Tani nuk ishte e qartë a e kishte dorëzuar letrën apo jo. Kadri Hazbiu na këshilloi që të bisedojmë edhe me këshilltarin sovjetik të hetuesisë. Shkuam bëmë një plan sipas porosisë së tij dhe bashkë me planin kemi shkuar më duket unë dhe Nevzati, nuk mbaj mend ishte dhe Filati apo jo. Përkthyesi i tij ka qenë Nuredin Gërxhalli. Menjëherë rusi mbasi mori dijeni për këtë punë tha, pse nuk e dini ju që ka porosi se në drejtimin jugosllav nuk bëhen veprime, janë ndërprerë. Nevzati i tha, po ti nuk e di që Titua është agjent i imperializmit, bile më falni se i tha edhe këtë, ka zbardhur brekët. Ai nuk foli. Kush ka dhënë porosi për këtë tha, ministri. Mirë, më lini mua. Ia lamë atij, të nesërmen na thirri dhe na tha, nuk japim mendim për këtë, nuk na dha asnjë mendim. Nevzat Haznedari vuri në dijeni Kadri Hazbiun dhe ai i tha, mirë ju bëni punën nuk ka gjë, le të thonë ata. Kam shkuar unë në Rinas se u informova që ky duhet të jetë në Rinas, në atë kohë ndërtohej aeroporti i Rinasit. E kërkuam nuk ishte atje. Mund të ishte në qytetin Stalin, në atë kohë gjithashtu ndërtohej edhe atje aeroporti. Mirë po unë u vonova se bëmë këto veprime dhe kur u ktheva në shtëpi më thanë të ka kërkuar Filati është alarmuar, të vini në ministri. Alarm i madh, qe gjë urgjente. Siç më thanë ishte inatosur Kadri Hazbiu dhe nuk na ngarkoi më neve me këtë punë. Seç u bë më tej, unë nuk e di. Për atë punën e Dhora Lekës. Unë kam qenë që përpara Konferencës së Tiranës edhe shumë kohë në sektorin që merrej me elementin antiparti. Dhora Lekën si fytyrë e njihja, po nuk kisha punë direkt me të, me një fjalë materialin e dija. Pasi lëviza, më ra që mbas disa viteve të vij prapë në këtë sektor, pasi erdha nga Shkodra. Pas ca kohe pas meje erdhi edhe Feçor Shehu si drejtor i Drejtorisë së Sigurimit. Me deponimet e Dhora Lekës kemi punuar shumë kohë, kishte gjëra që u konsumuan në gjyq, kishte gjëra që u konsumuan në rrugë operative, po mbetën shumë gjëra të tjera nëpër duar që kërkonin verifikim. Disa nga këto do t’i verifikonte, do t’i vërtetonte edhe koha natyrisht kur vjen drejtor Feçor Shehu filluam të merremi me këtë punë, shumë herë na ka thënë, e hu! Jeni marrë me Dhora Lekën, unë nuk i besoj, më falni për shprehjen, një p.... Një herë në Drejtorinë e Tiranës lindi ky problem, kemi qenë ai, Stavri Madhi dhe unë. Stavri Madhi në atë kohë ishte kryetar i degës së parë. Meqë na u dha mundësia për të dhënë një mendim e thashë dhe unë një mendim. Atij nuk i erdhi mirë, atje nuk më tha gjë. Rrugës duke shkuar në ministri, ishte aksham, më tha mua që ti bëre gabim. Pse bëra gabim, i thashë, deri sa na u dha mundësia dhe ky është mendimi im, kështu të paktën mendoj. Ti duhet të më mbështesje mua tha, ne vemi si ministri. Unë i thosha që Dhora Leka, disa nga deponimet e saj janë vërtetuar, por disa jo. Kishim fjalën për një person konkret. Ajo thoshte, që Skreçko Kovaçiçi më ka kërkuar t’i organizoj një takim. Unë ia organizova po e takoi apo jo unë nuk di gjë, kaq thoshte. Pse t’i besojmë asaj. Edhe kishte një mani tjetër, mbetët me kontingjentet e Konferencës së Tiranës, seleksionojini. Ne i shikonim herë pas here kë të heqim, si ta heqim, si ta lëmë. Me një fjalë ai nuk kishte bindje se këto deponimet e Dhora Lekës vlenin për organet e sigurimit dhe për partinë. Unë direkt me Dhora Lekën nuk jam takuar asnjëherë, vetëm një herë në ministri kur erdhi si e internuar. Kërkonte takim me Rexhep Kollin dhe ai më ngarkoi mua. Unë historinë e saj e dija, por nuk i dola në atë. Pati një ankesë dhe kaq...ARANIT ÇELA: Keni ndonjë pyetje...RRAPI MINO: Nga Ministria e Punëve të Brendshme u implikuan kuadro dhe çfarë masash u morën, për Konferencën e Tiranës e kam fjalën...QANI TARTALE: Në Konferencën e Tiranës u implikuan shumë. Në atë kohë edhe neve vetë bëmë një propozim, ku kemi pasur Rasim Deden kryetar dhe dhamë këtë mendim meqenëse implikoheshin shumë kuadro të ministrisë, të bëjmë një gjë, se ne bënim informacionin ditor që në fillim u shkonte të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike më vonë u reduktua në sekretarët e KQ dhe pastaj vetëm disave, kjo vazhdoi më tepër se një vit. Shfaqa këtë mendim që të bënim një listë të veçantë dhe materialin që i implikon këta ta shikojë Kadri Hazbiu si ministër dhe mundet të thirren, të konsumohet nëpër organizatat e Partisë se të them të drejtën kishte shumë nga shokët tanë që nuk mendonim se ishin në pozita armiqësore. Kjo u miratua, ra dakord Rasimi që në atë kohë ishte kryetar dege dhe e bëmë këtë. Me sa di, një pjesë i thirri Kadri Hazbiu, një pjesë i thirri Stavri Naçi që ishte sekretar i Komitetit të Partisë. U konsumua kjo dhe nuk na u dhanë më porosira për këto. Kishte edhe të tjerë që u relatuan lart dhe u morën edhe masa. Mbas kaq vjetësh doli problemi i Çome Çinit. Çome Çini ishte drejtor i Dajtit seç bëri atje dhe u arrestua. Në këtë kohë ndodhesha në Durrës me pushime. Më thotë Shim Kolli që ishte kryetar i degës së Elbasanit dhe kalonte atje më tha mua, u dogje. Ishte bërë një mbledhje në ministri dhe kishte thënë Farudin Jaho, shef i sigurimit të Ushtrisë për Çome Cinin, i kam dhënë materiale personalisht Qaniut dhe në qoftë se ai nuk i ka konsumuar, ai ka përgjegjësi. Kadri Hazbiu jep urdhër që kjo të sqarohet edhe në qoftë se është kështu File Muço, Raqi Zavalani e Qani Tartale të venë në gjyq. Mirëpo mua më kujtohej mirë që u rrah kjo. Më thërrasin këta të alarmuar dhe ishte ngarkuar Pilo Shantua për ta sqaruar këtë punë. Vij në ministri, më thonë ç’na ke bërë ç’ne ashtu. U thashë që e mbaj mend shumë mirë që u konsumua në këtë rrugë. Ne nuk kishim mundësi të takonim Kadri Hazbiun si ministër dhe shkuam te Stavri Naçi. Të kujtohet mirë ty, nuk më kujtohet tha, por unë kam ca materiale atje tha, i kisha për të djegur dhe nuk i kam djegur shikoni aty. I gjetëm ato me shënime nga Kadri Hazbiu dhe Stavri Naçi. Ta marrim i thamë. Po. Ia shpunë Pilo Shantos që ishte ngarkuar. Pilua tha ikni tani rrini rehat. Mbas kaq vitesh u dënuam në kolegjium për tjetër gjë, nuk dua ta ngre këtu. Po edhe atëherë kot e hëngrëm edhe doli në kolegjium që ne jemi dënuar edhe një herë tjetër, thotë vetë Kadriu. Është kështu i thotë atij. Po ne nuk ishim dënuar, ky problem u sqarua dhe nuk ishim dënuar. Kaq...ARANIT ÇELA: Keni ndonjë pyetje. Mihallaq Ziçishti ke pyetje lidhur me dëshmitarin…  MIHALLAQ ZIÇISHTI: Jo...ARANIT ÇELA: Jo. Gani Kodra ke...GANI KODRA: Nuk kamARIANIT ÇELA: Nuk ke. Ali Çeno ke...ALI ÇENO: JoARANIT ÇELA: Llambi Peçini...LLAMBI PEÇINI: Jo..ARANIT ÇELA: Nuk ke. I pandehur Feçor Shehu ke pyetje…FEÇOR SHEHU: Po. Unë nuk e dëgjova mirë atje që gjoja nuk kam pasur besim te deponimet e Dhora Lekës...ARANIT ÇELA: Nuk i besoj i ke thënë ti, ajo është një putanë...FEÇOR SHEHU: Të gjitha këto apo pjesë të deponimeve të sajARANIT ÇELA: Ti ke folur në përgjithësi thotë ky qe vetëm me Dhora LekënQANI TARTALE: Një herë Feçor Shehu, si drejtor dhe si zëvendësministër nuk mori kurrë në analizë sektorin që t’i diskutonim një për një, megjithëse ne e kemi kërkuar dhe nuk u mor ndonjëherë. Tashti ka rënë rasti për persona konkretë, por ky e kishte në përgjithësi që Dhora Lekën nuk donte ta dëgjonte, nuk e besoj unë, juini marrë me një të tillë të poshtër...ARANIT ÇELA: E qartë, tjetër pyetje ke...FEÇOR SHEHU: Domethënë...ARANIT ÇELA: Çfarë domethënë, ja atë përgjigje dha ai Feçor Shehu…FEÇOR SHEHU: Ai e tha atë, unë them…ARANIT ÇELA: Çfarë thua ti nuk ke kujt i thua se ai është dëshmitar, nuk jep llogari. Ti mbaj shënim atë që thotë ai… FEÇOR SHEHU: Të mbaj shënime unë se ai është dëshmitar dhe mund të thotë si të dojë...ARANIT ÇELA: Ai këtë thotë, ti i bën pyetje ai përgjigjet, diskutim nuk ka. Pyetje tjetër ke...FEÇOR SHEHU: Unë pyetje tjetër në qoftë se është kështu...ARANIT ÇELA: Pyetje t’i bësh dhe ai do të përgjigjet, kaq është, nuk kemi ç’i bëjmë ne ai dëshmitar është...FEÇOR SHEHU: Dëshmitar është, po nuk është e vërteta kështu...ARANIT ÇELA: Mirë, nuk është e vërtetë, ke pyetje tjetër...FEÇOR SHEHU: Jo.ARANIT ÇELA: I nderuar Kadri Hazbiu, ke pyetje...KADRI HAZBIU: Si urdhëron. Për saktësi. Dëshmitari Qani thotë, se ishin bërë ndryshime në ministri për atë rastin që përmendi të atij Sadik Radecit. A mundet të identifikojë domethënë ta specifikojë në ministri ky problem nga kush u trajtua domethënë vlen për mua...ARANIT ÇELA: Dikush e trajtoi këtë punë. QANI TARTALE: Tashti, në cilën datë ka ardhur Kadri Hazbiu dhe shokët e tjerë në atë kohë në ministri unë nuk e di, por unë ngul këmbë te kjo më shumë që arrestimi i Sadik Radecit, është bërë në kohën që qenë tamam këta në funksion, se Kleanth Andoni, nuk e di këta e dinë më mirë, në atë kohë qe në Degën e Tretë të Ministrisë mandej edhe dega e tretë e ka trajtuar se ne ishim në bazë nuk e dinim kush e trajtonte mundet Dega e Tretë, po mundet edhe Dega e Parë. Po meqë Kleanthi erdhi atje u interesua dhe na priti...ARANIT ÇELA: Kaq di ky kaq...KADRI HAZBIU: Mirë, dakord.ARANIT ÇELA: Tjetër pyetje..KADRI HAZBIU: E dyta, i lutem shumë dëshmitarit në qoftë se nuk e kuptova unë, lidhur me çështjen në vitin 1957, që thotë në rastin konkret kur ka ardhur problemi tek unë, kështu siç u ka ndodhur këtyre, kështu e dëgjova unë Kadriu tha, veproni. Është kështu kjo?QANI TARTALE: Këtë na i tha Nevzat Haznedari, që pavarësisht çfarë thotë këshilltari sovjetik shkoni e veproni...KADRI HAZBIU: Nuk kam gjë tjetër...RRAPI MINO: Po pastaj, më vonë, tha që ndërpriteni...QANI TARTALE: Unë nuk e takova më, më tha kryetari im, ai u inatos pse u vonova dhe nuk na ngarkoi më ne me këtë punë, po do ngarkonte të tjera...Mehmeti pas takimit të fundit me Kadriun: Juda do më hajë kokën! “Mehmet Shehu vrau veten vetëm pak çaste pas vizitës së Kadri Hazbiut!”. Në dëshminë e Fiqrete Shehut në përballjen me ish-ministrin e Brendshëm gjatë procesit gjyqësor të gushtit ‘83, hidhet dritë mbi misterin e ngjarjes më të bujshme të historisë komuniste. Kadri Hazbiu i ka transmetuar Mehmet Shehut urdhrin për t’u vetasgjësuar, me qëllimin e vetëm për të ruajtur veprimtarinë agjenturore të organizatës kundërrevolucionare që vepronte në Shqipëri që nga periudha e luftës! Më herët se të zbardhë këtë moment kulminant që daton me ditëvdekjen e të shoqit, Fiqrete Shehu ka pohuar, se një ultimatum të tillë një mbrëmje më parë ia kishte sjellë në shtëpi Mehmet Shehut, por nga zbulimi jugosllav. I vetmi ndryshim nga mesazhi më i fundit që i transmetoi Hazbiu nga KGB-ja, ishte atentati ndaj Enverit. Këtë herë Mehmeti mesa dukej nuk kishte hapësirë për të qëlluar mbi Enverin. Dhe për të ruajtur çfarë mund të ruhej, së paku për familjen e tij, kryeministrit nuk i mbetej gjë tjetër vetëm të merrte pistoletën dhe të qëllonte mbi gjoksin e tij. Argumenti me të cilën Kadri Hazbiu e shkërmoq qysh në fillim akuzën monstruoze, ka të bëjë me pohimet e dyshimta të së vesë së ish-kryeministrit për tetë muaj me radhë në procesin e hetimit, sipas të cilave njeriu që ka çuar mesazhin e KGB-së mbrëmjen e 17 dhjetorit te Mehmet Shehu, ka qenë Nesti Nasja(!). Ka mjaftuar kjo që dialogët e Hazbiut me Fiqreten të ashpërsohen gjithnjë e më tepër...neser do te lexoniRrëfimi i shoferit të Kadri Hazbiut: Ja lëvizjet që kemi bërë me automjetin qeveritar mbrëmjen e 17 dhjetorit.Misteri i rrugëtimit të fshehtë nga Ministria e Mbrojtjes te blloku i udhëheqjes. Pse Hazbiu e urdhëroi shoferin për të ndërruar rrugën e zakonshme.A ishte e vërtetë që në orën 21:30 të mbrëmjes së 17 dhjetorit Kadri Hazbiu ka mbërritur në vilën e kryeministrit dhe pasi ka biseduar me të 5 minuta është kthyer sërish.Dëshmia e sekretares së Hazbiut: Mbrëmjen e 17 dhjetorit, me ministrin ishim në datëlindjen e shefit të kabinetit, Ismet Isufi në Laprakë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›