E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperatura nën zero, dje viktima e parë nga akulli në rrugë

• E ftohta ka zbritur shumë shpejt në zero, duke i kapur në befasi të gjithë.Të mësuar me motin e butë, banorët e Vlorës, Gjirokastrës, Himarës e Tepelenës, janë çuditur kur e kanë parë veten nën reshjet e dëborës. Mbrëmjen e djeshme ato kanë pushtuar dhe kryeqytetin, kur prej shumë vitesh nuk ishte e pranishme kjo dukuri e natyrës. Flokët të mëdhenj dëbore kanë nisur në Tiranë rreth orës 20:00 për të vazhduar gjatë natës, duke shoqëruar uljen e temperaturave. Ndërkohë temperatura mjaft të ulëta ka pasur edhe në Fier, ku është shënuar edhe viktima e parë me vdekje nga akulli në rrugë. E njëjta situatë ka qenë dhe në Kukës, Dibër, e Librazhd. Sipas sinoptikanëve, pritet që nesër temperaturat të shkojnë deri në -9 gradë celsius. Moti i keq ka shënuar edhe viktimën e parë në qytetin e Fierit, duke shtuar përgjakjet nëpër rrugë. Akulli i madh dhe ngricat që kishin bllokuar rrugën ka-në bërë që një drejtues  mjeti të humbë jetën. Pikërisht ka qenë ky shkaku i një aksidenti rrugor të shënuar mëngjesin e së shtunës, në aksin rrugor Fier-Berat. Pasojat e këtij aksidenti kanë qenë fatale për shtetasin 54-vjeçar, Gëzim Zikaj, lindur dhe banues në Berat. Zikaj ka qenë duke udhëtuar drejt qytetit të tij të lindjes, pasi kishte gdhirë natën tek të afërmit e tij në Fier. Gjatë rrugës së kthimit, kur janë ndodhur në vendin e quajtur “Kthesa e Marinzës”, një aks i ngushtë rruge që ka pasur dhe një sasi të konsiderueshme akulli e ngrice, ka bërë që automjeti tip “Mercedes Benz” me targa BR 8100 A të rrëshqasë dhe të humbasë tërësisht kontrollin. Pas kësaj, automjeti ka bërë disa salto në ajër, duke e nxjerrë jashtë tij shtetasin Zikaj dhe duke e hedhur në një lartësi rreth 30 metra larg vendit ku u shemb makina. Si rrjedhojë e kësaj, 54-vjeçari nga Berati ka pësuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, Gjirokastra dhe rrethinat përreth janë zbardhur nga dëbora, e cila është bërë e dendur, sidomos në orët e vona të mbasdites së të shtunës. Deri në orën 18:00 në qytet trashësia e borës arriti deri në 2 cm, ndërsa në zonat e thella malore reshjet kanë qenë më të dendura dhe rrjedhimisht trashësia e saj ka qenë mbi 10 cm. Akset rrugore në territorin jugor kanë qenë të kalueshme, përveç pjesës që lidh rrethin e Gjirokastrës me Sarandën. Në Qafën e Muzinës, ku lartësia e zonës është mbi 600 metra nga niveli i detit bora ka bllokuar lëvizjen e automjeteve nga të dy anët e kundërta të aksit. Për punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët janë instaluar me urgjencë në këtë pjesë të rrugës që lidh dy qytetet jugore, ka qenë e pamundur të qarkullohet pa pasur në gomat e makinave zinxhirë. Afro dhjetë automjete të vogla janë kthyer mbrapsht për në Sarandë në mungesë të zinxhirëve, pasi dështuan në tentativën për të kaluar rrëpirën e rrezikshme të kësaj qafe.                         m.r/ p.n/q.b Ngrin Qafa e LlogorasëGjatë pasdites së djeshme, mësohet se në Qafën e Llogorasë kanë rënë reshje të dëborës dhe të breshrit për rreth 2 orë. Si pasojë e ngrirjes është bllokuar rruga nacionale Vlorë-Himarë. Shumë shpejt, dëbora e rënë është kthyer në akull dhe forcat e policisë të stacionuara me shërbime në këtë zonë, nuk kanë lënë të kalojnë mjete pa vënë zinxhirë. Megjithatë mjaft makina kanë dalë nga rruga, bashkë me një autobus, por pa shkaktuar viktima.Bora vështirësi dhe në veriQarku i Kukësit nuk i ka shpëtuar dëborës. Aksi rrugor Morin- Kukës-Qafë Mali, ku trashësia e dëborës arrin në 10 centimetër, është i kalueshëm, por qarkullimi vështirësohet nga akulli. E njëjta situatë paraqitet dhe në akset rrugore Kukës-Krumë dhe Krumë-Bajram Curri, ku për shkak të erërave, evidentohen grumbullime të mëdha të borës. Situata paraqitet e rënduar dhe në akset rrugore Kukës-Shishtavec dhe Kukës- Peshkopi, ku dëbora ka arritur në rreth 20 centimetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›