Tatimet zbarkojnë në treg, aksion para festave
• Policia Tatimore ka ndërmarrë një aksion ndaj biznesit vendas. Gjatë këtyre dy ditëve, tatimorët kanë kontrolluar të gjithë biznesin e vogël dhe atë të .......madh dhe në rastet kur këta të fundit nuk kanë qenë të pajisur me faturën e blerjes së mallit, atëherë ndaj tyre është vendosur gjobë, ose u është konfiskuar malli. Konkretisht, pas kontrollit të ushtruar në tregun e shumicës pranë Qytetit të Nxënësve, janë sekuestruar 45 kg kafe, pasi ky mall nuk ishte i shoqëruar me faturën e blerjes. Për të njëjtën arsye janë gjobitur me 10 mijë lekë 17 biznese të vogla. Të njëjtin fat kanë pasur dhe subjektet e mëdha, për të cilët gjoba ka qenë disi më e rëndë. Sipas tatimeve, 6 subjekte të mëdha janë gjobitur me 50 mijë lekë. Vetëm pak kohë më parë, drejtues të Ministrisë së Financave deklaruan se të gjithë bizneset duhet të pajisen me fatura blerje, pasi në rast të kundërt ata do të gjobiten. Por sfida më e madhe për Policinë Tatimore është kontrollimi i çmimeve, pra evidentimi i bizneseve që rrisin në mënyrë spekulative çmimet. Pak ditë më parë numri dy i Ministrisë së Financave, Florjon Mima, deklaroi se Qeveria ka vendosur të aplikojë taksa më të larta për ata tregtarë që do të rrisin në mënyrë spekulative çmimet e produkteve ushqimore gjatë festave të fundvitit. Me anë të kësaj mase, Ministria e Financave synon që të mbajë nën kontroll rritjen e çmimeve të mallrave të shportës, gjë e cila ndodh pothuajse çdo fundviti. Zëvendësministri i Financave theksoi se të gjithë tregtarët që do të abuzojnë me çmimet, ndaj tyre do të kryhet një rivlerësim tatimor. E thënë më thjesht, kjo do të thotë se nëse një tregtar ka deklaruar një normë të caktuar fitimi me rritjen e çmimit, në mënyrë të pajustifikueshme rritet edhe fitimi i tij e, për rrjedhojë, atij do t’i duhet që të paguajë më shumë tatim mbi fitim.