E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon shoqata: Dyshojmë te shifra e re e ministrisë

• Ish-ushtarakët dyshojnë te shifrat e bëra publike nga zv/ministri Karabina, sipas të cilit, në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin e ardhshëm janë 30 milionë euro për pagat dhe pensionet suplementare. Presidenti i Nderit i Shoqatës së Ushtarakëve në lirim, Zyhdi Kroi, tha dje në një intervistë për gazetën “Panorama”, se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duhet të mbrojë në qeveri ligjin që çoi në tetor të këtij viti. Zoti Kroi, zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka deklaruar sot se për vitin e ardhshëm janë parashikuar 30 milionë dollarë për pagat dhe pensionet suplementare. A është kjo një shumë e mjaftueshme?Eshtë për t’u përshëndetur deklarata e zv/ministrit të Mbrojtjes  Karabina, por duke iu referuar shifrave dyshoj në sinqeritetin e kësaj deklarate për shkak, se në datën 3 dhjetor 2007 Mediu u ka deklaruar përfaqësuesve të shoqatës se janë 22 milionë euro për pensionet dhe se ligji ndodhet në Ministrinë e Financave për të bërë kalkulimet. Pas dy javësh, në një debat televiziv Mediu ka deklaruar se janë 26 milionë dollarë në buxhetin e Mbrojtjes për pensionet e ushtarakëve. Nëse hyjmë te pyetja juaj, mendoj se secila nga këto tre shifra është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për shkak se në projektligjin që hyri në qeveri më 30 tetor, por që u shty, është saktësuar shifra 1.48 miliardë lekë në vit, ose 87 milionë lekë çdo muaj. Duke qëndruar te kjo deklaratë do të kisha dëshirë që Ministria e Mbrojtjes të shprehej më hapur nëse vërtetë lekët janë në buxhetin e Mbrojtjes dhe personalisht ministri i Mbrojtjes të kishte kurajën të mbronte ligjin, që ka çuar në qeveri dhe ne i kemi theksuar se nëse ai është dashamirës, siç edhe ne dëshirojmë, duhet t’i kërkojë kryeministrit të kalojë ligjin, në rast të kundërt ne këtë e quajmë demagogji ose mashtrim të radhës.  U bënë dy vjet që ende s’ka një ligj për pensionet suplementare...Eshtë e vërtetë që çështja e pensioneve të ushtarakëve ka kaluar stafetën nga njëra palë në tjetrën. Të dyja palët kanë luajtur me dinjitetin e ushtarakëve. Kështu qeveria “Nano” ditën e fundit të Parlamentit miratoi ligjin “Për pensionet suplementare” dhe me ndërrimin e qeverive, megjithëse ky ligj mori vlerësim maksimal gjatë raportimit që zoti Karabina bëri në Bruksel në nëntor 2005 dhe u rekomandua për zbatim, qeveria “Berisha” në shkurt 2006 e ndryshoi. Ne nuk u pajtuam me këto ndryshime dhe për këto arsye e çuam në Gjykatën Kushtetuese, e cila siç dihet me vendim nr. 9 datë 26.2.2007 shfuqizoi tre nene të ndryshimeve që u bënë në shkurt 2006, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe ngarkoi qeverinë dhe Kuvendin të bënin plotësimet përkatëse. Ne jemi në dijeni të punës që është bërë, kemi pasur kontakte deri në gusht me grupin e punës, me znj. Xhuka dhe zotin Sherefedin Shehu, kemi dhënë mendimet tona, por asgjë nuk është marrë parasysh në projektin që është paraqitur në qeveri, më 30 tetor. Pavarësisht nga këto, është e drejta e qeverisë ta miratonte ligjin nëse bëhet fjalë për shtet ligjor, ose siç ka deklaruar kryeministri se do zbatojmë të gjitha vendimet gjyqësore. Personalisht nuk besoj në deklarime të tilla, derisa nuk zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Si i komentoni deklaratat e zotit Karabina, i cili u bën thirrje të mos përdoreni politikisht?Ne në parim jemi dakord me kërkesën e tij. Gjatë tërë këtyre viteve të tranzicionit Shoqata e Ushtarakëve ka zhvilluar protesta kur ka qenë në pushtet si e majta, ashtu edhe e djathta. Madje, kur ka qenë në pushtet e majta, në një protestë të ushtarakëve ka ndërhyrë me forcë edhe policia. Nëse bëhet fjalë për protestën e fundit, ju keni ndjekur që deputetët e opozitës donin të dilnin dhe të flisnin dhe ne nuk i lejuam të dilnin as në podium dhe as të flisnin para ministrisë, pikërisht për të ruajtur një fenomen që zoti Karabina e ngre. Nëse u shqetëson kjo çështje, ne jemi plotësisht dakord që ta ngrini në Parlament, pasi për hir të së vërtetës ata nuk kanë të drejtë morale të na marrin në mbrojtje tani që janë në opozitë. Megjithatë është e drejtë e opozitës të shfrytëzojnë pakënaqësitë e shtresave të caktuara. Ne kemi lejuar të flasë vetëm një koleg i yni Piro Lutaj, i cili foli si ish-oficer, jo si përfaqësues partie. Do t’i vazhdoni protestat në të ardhmen?Nisur nga deklarata e zotit Karabina ne shpresojmë që javën tjetër të na presë në takim kryeministri, ose ministri i Mbrojtjes, të na garantojë që ky fond është për pensionet e ushtarakëve dhe të kalojnë projektligjin në qeveri dhe në Parlament para Vitit të Ri. Në rast se nuk realizohet kërkesa jonë ne jemi të vendosur t’i kërkojmë të drejtat tona jo vetëm nëpërmjet protestave, por edhe në organizmat ndërkombëtarë, siç është sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Presidenca e Konfederatës Aleate të Oficerëve në rezervë të NATO-s dhe presidenti i BE-së, Barroso. Ndërkohë për ç’ka thamë kemi vënë në dijeni ambasadorin e SHBA-së në Tiranë dhe përfaqësuesin e KE-së, Lohan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›