E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaidanow: Më shumë për marrëdhëniet ndëretnike

Prishtinë- Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow, u bëri thirrje të enjten qytetarëve të Kosovës që të punojnë më shumë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndëretnike. Ajo i bëri këto komente gjatë vizitës në komunën e Kamenicës e banuar me popullatë të përzier, duke u bërë thirrje edhe komunave të tjera të Kosovës që të marrin shembullin e kësaj komune e cila sipas Kaidanow, ka një traditë të mirë të marrëdhënieve ndëretnike.

“Kamenica është një model për marrëdhënie të mira ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe pakicave të tjera, dhe do të doja të shihja edhe komunat e tjetra duke e ndjekur modelin e Kamenicës. Unë mund të jap vetëm përkrahjen time të fuqishme, të ambasadës sime, të qeverisë sime për këso lloj projektesh”, tha ajo. Gjatë qëndrimit të saj në Kamenicë, ambasadorja amerikane vizitoi edhe një ambulancë serbe, e cila ishte dëmtuar rëndë nga zjarri si pasojë e një prishjeje në sistemin elektrik.

Ditë më parë, qeveria e Kosovës mori përsipër rinovimin e kësaj ambulance, duke nxitur reagime të ashpra të opozitës e cila e akuzoi qeverinë për siç thuhet financimin e strukturave paralele serbe. Kjo ambulancë e shfrytëzuar nga qytetarët e komunitetit serb mban edhe mbishkrimet e Republikës së Serbisë. Por, ambasadorja amerikane e mbështeti vendimin e qeverisë për të punuar, siç tha ajo, në të mirë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. /VoA/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›