E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditet akademiku serb për urrejtje racore

Beograd- Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut "Yukom" dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, kanë ngritur aktpadi kundër akademikut serb Dobrica Qosiq, për "nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare". Në kallëzimin penal të këtyre organizatave të publikuar në internet, ndodhet edhe një pjesë e tekstit nga libri i Qosiqit "Koha e gjarpërinjve".

"Fundërrina sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar, e mori për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftën kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar ballkanik - popullit serb", ka shkruar Qosiq për shqiptarët. Bilana Kovaçeviq në emër të Yukom dhe Sonja Biserko në emër të Komitetit të Helsinkit, i kanë kërkuar prokurorisë që kundër Qosiqit të ngrejë procedurë penale, për kryerjen e veprave të lartpërmendura.

Në vazhdim thuhet se, sipas Konventës ndërkombëtare për parandalimin e formave të diskriminimit racor, të cilën e ka nënshkruar edhe Serbia, shprehja diskriminim racor "ka të bëjë me çdo jobarazi, përjashtim, kufizim ose dhënie të përparësisë, që bazohet në racë, ngjyrë, paraardhës, prejardhje nacionale ose etnike, dhe që ka si rezultat prishjen ose komprometimin e pranimit, posedimit ose ushtrimit nën kushte të barabarta - të të drejtave dhe lirive elementare të njeriut në fushën e politikës, ekonomisë, socializimit dhe kulturës, ose në cilëndo fushë tjetër të jetës publike".

Bilana Kovaçeviq Vuço ka deklaruar për media se fjalia e Dobrica Qosiqit për shkak të së cilës është ngritur kallëzimi penal, ndodhet në faqen 211 të librit, dhe se ajo paraqet një dukuri të rrezikshme të shprehur nga goja e njeriut që veten e prezanton si "baba i kombit", dhe ndaj së cilës deri tani nuk ka reaguar askush, edhe pse është cituar disa herë.

"Ky është një fjalor par excellence dhe i drejtpërdrejtë i urrejtjes, dhe një propagandim i idesë së supremacisë së një kombi ndaj një tjetri. Në këtë rast të atij serb mbi atë shqiptar", theksoi përfaqësuesja e Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se Qosiq, megjithatë, nuk është paditur edhe për ideologji. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›