Në Angli janë të sigurt, Çelsi do të blejë Paton
Pasi nuk arritën të blinin Pirlon, i cili qëndroi te Milani pas vendimit të Berluskonit, Çelsi synon të afrojë një tjetër yll të kuqezinjve, Aleksandre Paton. Sipas së përjavshmes angleze, "News of the World", skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti është e gatshme të blejë kartonin e sulmuesit brazilian dhe ta lërë në "San Siro" në formë huazimi për këtë sezon. Blutë kanë përgatitur ofertën 52.5 milionë euro (45 milionë sterlina) për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit. Nëse transferimi realizohet, kjo do të ishte një shifër rekord për një lojtar në moshë kaq të re. Pra, Pato do të qëndronte te Milani për edicionin 2009-2010 dhe do të luajë në Premierligën angleze vetëm pas Botërorit të vitit të ardhshëm në Afrikën e Jugut. Çelsi do t‘i sigurojë sulmuesit një rrogë mjaft të lartë: sa dyfishi i asaj që lojtari përfiton aktualisht në Serinë A. "Ançeloti e kërkon me aq ngulm Paton, sa është i gatshëm të paguajë një shifër rekord dhe ta lejojë që të qëndrojë edhe një sezon në Milano. Kjo tregon sesa e vlerëson trajneri sulmuesin brazilian", pohoi një burim anonim pranë londinezëve. Përgënjeshtrimi i klubit kuqezi nuk vonoi: "Pas spekulimeve në media, dëshirojmë të theksojmë se nuk ekziston asnjë negociatë për Paton, pasi lojtari nuk është në shitje".