E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka te Reali për 67.2 milionë euro

Mungonte vetëm lajmërimi zyrtar dhe ai erdhi. Pak pas mesnatës, presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, njoftoi se Kaka është lojtar i madrilenëve. Tashmë askush nuk dyshonte më, pasi pasditen e së hënës braziliani u ishte nënshtruar edhe vizitave mjekësore me mjekët e spanjollëve. Në vizitat mjekësore Kaka shoqërohej nga babai-menaxher, Bosko Leite. Në mesnatë, të përditshmet "As" dhe "Marca" dhanë konfirmimin e presidentit Perez: "Po, Kaka ka firmosur tashmë për 6 sezone". Pastaj doli edhe lajmërimi zyrtar në sajtin e Realit dhe të Milanit. Kaka u shit për 67.2 milionë euro: ai do të firmosë një kontratë 6-vjeçare 9 milionë euro neto në sezon.

Konferenca

Të hënën, pas orës 21:00 braziliane, 00:02 e natës me orën evropiane, Kaka ka prononcuar fjalitë e tij të para si lojtar i Realit të Madridit. "I uroj Milanit që të fitojë titullin kampion dhe gjithçka tjetër... Jo gjithçka, gjithçka jo. Champions-in do të provoj ta fitoj me Realin e Madridit". Riki Kaka provon të buzëqeshë. Por ky largim është dëshpërues. Është nata e lamtumirës nga Milani, nga futbolli italian. "E di që tifozët kuqezinj janë të trishtuar. Ata qajnë, qaj edhe unë. Milanit i detyrohem gjithçka. Më solli në Evropë, më futi në një projekt futbollistik dhe më ndihmoi të bëhesha numri 1 në botë. Me Milanin kam fituar Topin e Artë. Me klubin kuqezi përfundon një marrëdhënie profesionale, por do ta vazhdoj për gjithmonë një marrëdhënie sentimentale".

Pse u arrit në këtë divorc?

Në botë po ndodhin gjëra të rënda nga pikëpamja ekonomike. Kriza ka goditur ndërmarrjet dhe Milani është një ndërmarrje futbollistike. Paratë e transferimit tim mund ta ndihmojnë klubin kuqezi ta kalojnë këtë moment të vështirë dhe të ndërtojë një të ardhme edhe më të rëndësishme.

Po Reali?

Është një klub legjendar. Kur m‘u propozua mundësia për të shkuar te Reali, e pranova menjëherë. Është një sfidë e bukur, një tjetër derë që hapet. E di mirë se, kur erdha te Milani, askush nuk kërkonte ndonjë gjë speciale nga unë. Te Reali duhet të bëj diçka speciale.

Presidenti Florentino Perez ju ka propozuar të mbani bluzën me numër 5, atë të Zidane.

Do të mendohem. Zidane ka qenë një kampion. Ka bërë historinë e Realit. Edhe unë dua të kontribuoj për të fituar diçka të rëndësishme. Presidenti Perez më ka treguar një projekt ambicioz, por te Reali ka tashmë shumë kampionë si Raul, Kasijas etj.

Ëndrra e madrilenëve është t‘i rrëmbejnë Champions-in Barcelonës?

Do ta provojmë. Sigurisht që Barcelona ka demonstruar se është një klub i madh. Kanë një Mesi...

Kur u nisët nga Italia, cila ishte ideja juaj?

Të qëndroja te Milani. Por, të jetë e qartë, Reali nuk ka qenë vetëm një zgjedhje ekonomike. Reali më pëlqen.

Kë lini si pasardhësin tuaj me bluzën kuqezi?

Paton. Është njeriu i duhur për të tashmen dhe të ardhmen. Por te Milani nuk lë vetëm kampionë, por edhe shumë miq, si Gatuzo, Nesta, Sedorf, Ronaldinjo. Disa prej tyre më kanë ndihmuar të bëhem Kaka.

Po Leonardo?

Do të demonstrojë se është një trajneri i madh.

Një mendim për klubin kuqezi...

Me Berluskonin kam pasur një marrëdhënie të mirë dhe me Galianin ka pasur gjithmonë qartësi e ndershmëri. Së bashku, për shembull, vendosëm dimrin e kaluar të refuzonim hipotezën Mançester Siti.

Keni firmosur një kontratë për 6 vite.

Koha për të hyrë në historinë e Realit dhe ndoshta për të fituar Botërorin Brazil 2014.

Skenarët

Duke shitur Kakanë, Milani ka evituar ta humbasë atë në vitin e ardhshëm me një shifër shumë herë më të vogël, sepse Riki, në 2010-ën, mbush 28 vjeç dhe do të mund të lirohej nga kontrata e tij për një shifër te rreth 20 milionë euro, në bazë të të famshmit nen 17 të Rregullores së FIFA-s, i cili i mundëson një lojtari që ka mbushur 28 vjeç dhe që ka luajtur të paktën për 3 sezone në një klub të vetëm, të lirohet nga kontrata ekzistuese

Shifrat

Kaka, transferimi i dytë

më i shtrenjtë në histori

Për "të zhvatur" Kaka nga Milani, Reali i Madridit ka shpenzuar plot 67.2 milionë euro. Kjo është shifra që qarkullon nëpër mediat spanjolle, sipas të cilave braziliani do të përfitojë rreth 9 milionë euro rrogë në sezon, deri në vitin 2015, kur skadon kontrata e tij në "Santiago Bernabeu". Në këtë mënyrë, fantazisti do të bëhet lojtari më i paguar në La Liga. Babai-menaxher i Kakasë, Bosko Leite, ka përfituar 4.5 milionë euro komision nga transferimi, plus 10 për qind në vit për gjashtë sezone (shifra përllogaritet në afro 912 mijë euro). Nga çeku me vlerë 67.2 milionë euro i Realit, 64.5 do të shkojnë në arkat e Milanit, ndërsa 2.7 milionë euro do të përfitohen nga San Paolo, klubi ku mesfushori u rrit si profesionist. Natyrshëm kanë filluar edhe llogaritë: Kaka është blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e futbollit, pas Zinedin Zidan. Në vitin 2001, për të marrë francezin nga Juventusi, Florentino Perez pagoi 71.6 milionë euro. Në klasifikimin special të blerjeve më të shtrenjta në futboll, Reali paraqitet me shifra "galaktike". Madrilenët i kanë të gjitha arsyet përse mund të mburren, pasi tre transferimet më të shtrenjta u takojnë pikërisht atyre. Pas Zidan e Kaka, në vendin e tretë ndodhet Luis Figo, që në vitin 2000 u ble për 61.4 milionë euro nga Barcelona. Në listën e 20 transferimeve më të shtrenjta, klubi "merengue" shfaqet edhe tri herë të tjera: dy blerje (Ronaldo nga Interi e Robinjo nga Çelsi) dhe një shitje (Robinjo drejt Mançester Sitit).

Transferimet më të

kushtueshme në histori

1. Zidane (Juventus/Real M.) 71.6 mln

2. Kaka (Milan/Real Madrid) 67.2

3. Figo (Barcelona/Real M.) 61.4

4. Krespo (Parma/Lacio) 53,6

5. Robinjo (Real Madrid/Man. Siti) 51.1

6. Bufon (Parma/Juventus) 49.2

7. Vieri (Lacio/Inter) 48.3

8. Berbatov (Totenhem/Man. UTD) 46.4

9. Shevçenko (Milan/Çelsi) 45.3

10. Rio Ferdinand (Lids/Man. UTD) 43.9

11. Mendieta (Valencia/Lacio) 43.7

12. Ronaldo (Inter/Real M.) 43

13. Veron (Lacio/Man. UTD) 42.4

14. Rui Kosta (Fiorentina/Milan) 42.2

15. Torres (At.Madrid/Liverpul) 39

16. Nedved (Lacio/Juventus) 38.5

17. D. Alvesh (Sevilja/Barcelona) 38.2

18. Roben (Çelsi/Real M.) 36.9

19. Esien (Lion/Çelsi) 36.8

20. Drogba (Marsejë/Çelsi) 36.2



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›