E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laporta: Kalimi i Kakasë prish tregun e lojtarëve

Joan Laporta, presidenti i Barcelonës, e ka cilësuar "të ekzagjeruar" shifrën e paguar nga Reali i Madridit për blerjen e Kaka. Kartoni i mesfushorit brazilian i ka kushtuar 67.2 milionë euro klubit të Florentino Perezit, që duket se do të fillojë një tjetër epokë "galaktike" në "Bernabeu". Laporta deklaroi: "Kjo marrëveshje është një shembull për të treguar se merkatoja bëhet në nivele të tjera, pagesa e këtyre shifrave është e ekzagjeruar". Sipas njëshit të katalanëve, që në sezonin e kaluar fituan kampionatin, Kupën dhe Champions-in, "një shumë e tillë financiare vetëm për një lojtar nuk është e përshtatshme për tregun real, madje ndikon duke e prishur atë". Më tej Laporta ka folur për Barcelonën. Sipas tij, kontingjenti i drejtuar nga Pep Guardiola nuk ka nevojë për investime të tilla për t‘u përforcuar: "Duhet të bëjmë vetëm disa riparime për të qenë sërish në majë. Rreth kësaj çështjeje jemi mjaft të qetë".

Ndërkohë që Laporta kritikon shifrat e paguara nga Reali, tifozët e Milanit mendojnë se Berluskoni dhe Galiani janë fajtorët e vetëm për largimin e Kaka. Mbështetësit kuqezi vazhdojnë të shprehen pro lojtarit, i cili "u detyrua të largohej" dhe akuzojnë klubin. "Po i shesim lojtarët më të mirë, sikur të ishim një skuadër e vogël", ishte një koment në forum. Dje në mbrëmje, drejtuesit e grupimeve të tifozëve në tribunën jugore (ultras-it), u takuan për të diskutuar si do të kontestonin drejtuesit e klubit për shitjen e idhullit të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›