Ish-imami i Marinës: Do marr avokat për të vënë drejtësinë
Xhemal Duka, ish-imami i Marinës së Komunës të Skënderajt në Kosovë, e ka cilësuar veprimin e ndërmarrë nga autoritetet lokale si shkelje të të drejtave të njeriut. “Kreu i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, më ka fyer duke më thënë se Shqipëria, si vend ish-komunist, kishte më tepër nevojë për misionarë fetarë islamë se sa Kosova që ka pasur qoftë dhe një liri të kufizuar në atë sistem”, ka pohuar Xhemal Duka, paraditen e djeshme. Ndërkaq, ai ka shtuar se është duke kontaktuar me një avokat në kryeqytetin shqiptar për të vënë në vend padrejtësinë dhe dinjitetin e tij si misionar i fesë myslimane dhe i ndihmave humanitare në këtë trevë. “Tashmë nuk më mbetet gjë tjetër veçse të drejtoj ndihmat e shoqatës sime vetëm në zonën e Labinotit. Aty do të jem edhe imam i xhamisë së fshatit Mengël, ku edhe banoj”, ka deklaruar Duka. Ndërkohë, pritet që me kërkesë të Myftinisë së Elbasanit, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të dalë publikisht me qëndrim zyrtar rreth këtij problemi.
#