Konflikti i pronave, vëllezërit Plaku tërheqin zvarrë fqinjin
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Gostimë të Elbasanit. Dy vëllezër, Xhevahir e Ismail Plaku, kanë lidhur me litar pas makinës së tyre komshiun, 37-vjeçarin Kujtim Boja, dhe më pas e kanë tërhequr zvarrë për 100 metra. Ngjarja ndodhi dy net më parë në fshatin Gostimë të Elbasanit dhe sipas policisë, konflikti ka nisur për një çështje të vjetër pronësie. Dy vëllezërit dhe fqinji i tyre kanë qenë në një lokal kur ka filluar sherri. Por, me sa duket, vëllezërit nuk janë mjaftuar duke e rrahur barbarisht Kujtim Bojën, por e kanë lidhur me litar pas makinës së tyre, autoveturë Volksvagen me targa të huaja, DE 734 RT, i drejtuar nga Ismail Plaka, dhe e kanë tërhequr zvarrë për rreth 100 metra. Të gjithë qytetarët që kanë qenë në ato momente janë tmerruar nga skena dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Vetë drejtori i policisë së Elbasanit i shoqëruar nga grupi i gatshëm mbërriti në vendngjarje dhe ka mundur të arrestojë njërin nga vëllezërit, Xhevahir Plaku, 40 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai tjetër, Ismail Plaku, 26 vjeç. Policia e Elbasanit ka ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe vazhdon ndjekjen dhe kontrollet e shumta në zonën përreth Gostimës, me qëllim kapjen e Ismail Plakut. Ndërkohë që vëllai tjetër merret në pyetje, policia ka shoqëruar në komisariat edhe disa nga familjarët e të dy familjeve për t’u marrë në pyetje rreth konfliktit. Policia shoqëroi në spitalin e Elbasanit Kujtim Bojën, dhe sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Është gjetur edhe makina dhe është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që mbi dy vëllezërit rëndon akuza e “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë.
Detaj
100 metra është tërhequr zvarrë 37-vjeçari Boja nga dy vëllezërit Plaku
Detaj
100 metra është tërhequr zvarrë 37-vjeçari Boja nga dy vëllezërit Plaku