Lushnje, gjendet i masakruar e i djegur një shtetas
Një kufomë është gjendur paraditen e djeshme ne vendin e quajtur 3 Urat në fshatin Grabian të Lushnjes. Sipas informacioneve të para, kufoma që është e seksit mashkull, u gjet nga barinjtë e zonës dhe mendohet të jetë vrarë e më pas të jetë djegur. Viktima u gjet në një rrugë dytësore paralel me autostradën Lushnje - Fier. Sipas policisë, në fillim viktima është dhunuar dhe goditur me mjete të forta, si sëpatë e pjesë hekuri. Nga sasia e gjakut e gjendur në vendin e ngjarjes, arrihet në përfundimin se viktima ka mbërritur i plagosur dhe aty atij i është hedhur benzina dhe i është vënë flaka. Sipas burimeve zyrtare policore, viktima mendohet se i përket një moshe nga 20 deri në 22 vjeç. Ai ka qenë i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurta, si dhe shapka në këmbë. “Torturat që janë ushtruar mbi të tregojnë se është një hakmarrje”, - thonë pjesëtarë nga grupi i hetimit. Policia ka nisur të kryejë verifikimin e banorëve të fshatrave të zonës pranë vendit të ngjarjes, ndërkohë që të dhënat e viktimës i ka publikuar edhe në mediat lokale me qëllim interesimin e ndonjë të afërmi për të.
Ekzaminimi
Kufoma e gjetur nga barinjtë në Lushnje u nis qysh dje drejt Tiranës për ekzaminime, në mënyrë që të mundësohet gjetja e identitetit. Policia e zonës ka marrë në pyetje rreth 15 banorë, por asnjë prej tyre nuk ka ndihmuar për identifikimin e kufomës. "Dyshohet se viktima nuk i përket zonës, por ai është sjellë i vrarë në kanal, pranë fshatit Grabian", - thanë burimet policore, duke shtuar se ai ishte dëmtuar me mjete të mprehta në pjesën e fytyrës, syve dhe kokës. Më pas është hedhur në kanal, ku i është vënë flaka. Sipas burimeve të policisë së Lushnjes mësohet se kufoma është gjetur në vendin e quajtur 3 Urat në fshatin Grabian. Nga informacionet e para pas këqyrjes së kufomës, është konstatuar se i paidentifikuari mund të jetë vrarë, e më pas të jetë djegur. “Ai u gjet nga disa barinj që në atë moment kanë qenë duke kaluar pranë fshatit Grabian”, - thanë burimet policore, duke sqaruar se është ngritur një grup hetimor që po merret me këtë ngjarje. Nuk ka ende asnjë të dhënë, qoftë për motivet, qoftë për autorësinë e krimit, pasi puna vështirësohet nga që viktima ka mbetur pa identifikuar.
Detaj
20 ose 22 vjeç mund të jetë viktima i gjetur në Grabian, i masakruar e i djegur