E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni i Pogradecit shpëton nga ujërat e zeza

Një nga armiqtë më të mëdhenj të liqenit të Ohrit rezulton të jetë lumi Sateska, i cili është në pjesën maqedonase

POGRADEC – Duke nisur që nga dita e djeshme, në territorin e plazhit në Pogradec nuk do të derdhen më ujëra të zeza, çka përbën një lajm të mirë për të gjithë ata që e kanë adhuruar këtë qytet dhe e kanë vlerësuar për të kaluar ditët e tyre të pushimit. Ky veprim është pjesë e fazës së parë të një projekti të bankës gjermane “KFV”, të realizuar nga një firmë austriake, të cilët kanë marrë përsipër pastrimin e liqenit. Pas fazës së parë, pritet tashmë lidhja e re e ujërave të zeza nga lagjet e qytetit me sistemin e ri qendror. Kështu, kjo verë në Pogradec pritet të ketë një liqen shumë më të pastër, brenda parametrave të lejuara për një plazh normal. Por, tashmë ata që përbëjnë një rrezik për liqenin janë lumenjtë që derdhen në të, pasi ujërat e tyre ende janë të pakontrolluara. Për këtë specialistët thonë se “do t’i disiplinojnë patjetër”. Por, në pjesën maqedonase të liqenit është një “armik” që po i shkakton dëme të pallogaritshme liqenit të Ohrit. Ky është lumi Sateska, i cili buron rrëzë malit Bistra të Debërcës së Epërme në qafën e malit Presek në mes të komunave Ohër dhe Kërçovë. Në të kaluarën vinte deri Volinë, ku dhe devijonte në të djathtë. Por në vitet ’60, me ndërtimin e hidrocentraleve mbi Drinin e Zi, duke u nisur në mënyrë të njëanshme për plotësimin e nevojave energjitike, u bë një kanal i gjatë rreth 5 km duke e kthyer Sateskën në liqenin e Ohrit me qëllim të rritjes së potencialit të ujit dhe të nivelit të liqenit për të prodhuar energji elektrike. Inxhinieri maqedonas Mate Gogoski thotë për gazetën “Shekulli” se nëpërmjet këtij lumi u futën në liqen 200 milionë m3 ujë dhe më vonë u dëshmua se nuk iu arrit qëllimit për ta përdorur këtë lumë për energjitikë. Sateska humbi funksionin energjitik dhe krijoi vetëm probleme të shumta ekologjike. Nga hulumtimet është vënë re se ky lumë mbart çdo vit 104 mijë m3 masë mbeturinash. Po ta shumëzosh këtë numër me 45 vjetët e krijimit të tij del qartë dëmi ekologjik që çon në shkatërrimin e fundi të liqenit. Me shtimin e popullatës në brigjet e liqenit Sateska sot mbart me vete shumë materiale kimike, mbeturina teknologjike dhe shumë mbeturina pesticidesh, të cilat derdhen në të. Inxhinieri Gogoski, i cili ka kryer një studim të posaçëm, thotë se ka një degradim gradual të këtij ekosistemi. Shoqata ekologjike “Enhalon” në Strugë, e cila është në mbrojtje të liqenit e ka shpallurlumin Sateska si një nga armiqtë e përbetuar që do të zhdukë liqenin e Ohrit, ndërsa e vetmja alternativë rezulton kthimi i Sateskës në shtratin e vjetër të tij në Drinin e Zi. “Ka ardhur koha, - thotë specialisti Mate Gogoski, - që ekologjistët maqedonas dhe ata të Shqipërisë me pushtetarët respektivë të të dy vendeve dhe ministrive të mjedisit, që mblidhen aq shpesh duke konsumuar më shumë darka dhe dreka sesa projekte me bereqet, të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, pasi nuk ka mbrojtje të liqenit të Ohrit derisa Sateska të derdhet në të”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›