E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kakome, protesta zhvendoset në qendër të fshatit

26/02/2005  Në birucat e komisariatit 7 persona të arrestuar

SARANDË – Banorët e Nivicës, e kanë zhvendosur dje protestën në qendër të fshatit, ndërsa kanë vazhduar punimet për hapjen e rrugës së fshatit turistik të Kakomesë.

Protesta

Rreth 300 banorë nga kjo zonë kanë protestuar për disa orë kundër punimeve në Kakome. Një nga kërkesat e tyre të reja ishte për lirimin e të ndaluarve, që ndodhen në qelitë e komisariatit të policisë në Sarandë.

Gjatë kësaj proteste janë vërejtur forca të shumta policore në afërsi të fshatit, të cilat kanë vëzhguar tubimin. Gjatë grumbullimit të banorëve janë dëgjuar thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe largimin e forcave të policisë nga zonat e banuara me nivicjotë.

Përgjatë gjithë kohës që vazhdoi protesta, nuk ka patur incidente gjatë ditës, ndërkohë që nuk janë parë lëvizje edhe gjatë orëve të natës në qendër të fshatit. Sipas banorëve mësohet se çështja e pronësisë së Kakomesë do të ndiqet tashmë në rrugë ligjore.

Ndërkaq, punimet për zgjerimin e rrugës që të çon në gjirin e Kakomesë vazhduan dje normalisht nën kujdesin e forcave të shumta të policisë të pranishme në Grykën e Prodanit që prej ditës së hënë të kësaj jave kur nisi dhe protesta tashmë e përfunduar e komunitetit nivicjot për ndërprerjen e punimeve.

Arrestimet

Policia lokale bëri të ditur se 7 perosna, protestues të ndaluar ditën e enjte, ndodhen ende në qelitë e këtij komisariati nën masën e arrestit në flagrancë, ndërkohë që nuk është marrë masa e sigurisë për ta nga organet përkatëse gjyqësore.

Të njëjta burime saktësuan se të ndaluarit akuzohen për organizim të tubimit të paligjshëm dhe ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome.

Ndërkohë, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit, ka bërë të ditur se “janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar kryerjen normale të aktivitetit për ndërtimin e një fshati turistik në zonën e Kakomesë, në Sarandë. Nisur nga situatat e krijuara si pasojë e kundërshtimit të banorëve të zonës, për të siguruar personelin, që do punojë në këtë aktivitet si dhe për parandalimin e çdo akti të kundraligjshëm që mund të kryhen nga individë të veçantë, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, është hartuar një plan i veçantë masash, duke angazhuar në këto shërbime edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe repartin ‘Delta Force’”.

Të arrestuarit

Vladimir Kumi 43 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë, kryeplak i fshatit;

Koço Dhuli 61 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë;

Odise Papadhima 51 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë;

Odise Dukshi 42 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë;

Jani Nika 47 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë;

Ilia Munguli 33 vjeç, banues në Sarandë;

Ervis Papadhima 20 vjeç, banues në Nivicë, Sarandë;

Banorët e Kakomesë, bashkëbisedojnë me ligjvënësit

Policia nuk lejon deputetët të takojnë të arrestuarit

SARANDË – Deputetët e opozitës ndalohen të takohen me banorët e arrestuar të Nivicës.

Mbrëmjen e së enjtes, 4 deputetë të opozitës shkuan dhe takuan banorët e Nivicës. Rreth orës 23.00 të mbrëmjes së enjte, deputetët Fatos Beja, Sali Shehu, Aleksandër Garuli dhe Alfred Cako, realizuan një takim në qendër të fshatit me banorët. I pranishëm në këtë bashkëbisedim ishte dhe kreu i degës së partisë demokratike në Sarandë, Ylli Piro, dhe nënkryetari i bashkisë në këtë qytet Robert Maci. Nga ana e tyre, banorët bënë prezente dhunën e policisë, sipas tyre, të ushtruar në protestën e zhvilluar në “Grykën e Prodanit” pak orë përpara këtij takimi.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të eliminohet gjakderdhja në protestat e komunitetit, i cili, sipas ligjvënësve, ka të drejtë në problemet e ngritura në tubimin e ditëve të fundit.

Pas këtij takimi, deputetët Beja, Shehu, Garuli e Cako janë drejtuar për të zhvilluar një takim me të ndaluarit në komisariatin e policisë në qytetin e Sarandës.

Pas tentativave të shumta nuk është bërë e mundur një takim me shefin e këtij institucioni, Gjon Suli.

Pas kontaktimit me telefon celular me ministrin e Rendit, Igli Toska, është realizuar një takim me shefin e rendit në komisariatin e Sarandës, Dashamir Bendaj.

Në këtë takim, Bendaj i ka njohur deputetët opozitarë me zhvillimet e fundit dhe ka deklaruar, se policia ndodhet në Kakome vetëm për të mbrojtur mjetet dhe punëtorët e firmës ndërtuese “Guri i Bardhë” që do të kryej punimet për ndërtimin e fshatit turistik në këtë zonë.

Deputetët kanë kërkuar nga ana e tyre që të mos keqtrajtohen të ndaluarit në përleshjen e ditës së enjte në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë dhe në vendin ku u bllokuan punimet e firmës ndërtuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›