E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kakomea çlirohet nga policia

03/03/2005  Vazhdojnë punimet për fshatin turistik, banorët kanë zgjedhur rrugën ligjore

SARANDË - Efektivat e shumtë policore, të pranishëm në Kakome gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit,janë larguar për në qytetet Vlorë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër dhe Tiranë, nga ku kishin ardhur përforcime për të përballuar protestën e fshatit Nivicë javën e kaluar.

Nga 130 policë, që ndodheshin në grykën e Prodanit, kur nisi protesta, tani në këtë zonë ndodhen vetëm 30 prej tyre, pas largimit të pjesës më të madhe, sepse edhe situata është qetësuar.

Sipas burimeve zyrtare nga komisariati i policisë në Sarandë punimet për ndërtimin e rrugës, që të çon në Kakome, vazhdojnë qetësisht dhe nuk ka patur grumbullime të reja nga banorët e fshatit Nivicë, që prej një periudhe 4 ditore. Aktualisht ka përfunduar ndërtimi i gjysmës së rrugës që të çon në Kakome.

Të njëjtat burime vunë në dukje se efektivat policore të pranishme aktualisht në Kakome, do të jenë prezente dhe në të ardhmen për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve të nisura.

Mëse 130 forca policore nga komisariate të ndryshme të vendit dhe forca të reparteve të ndërhyrjes së shpejtë zbarkuan në Kakome më 25 shkurt, kur nisi protesta e fshatit Nivicë për pengimin e punimeve për ndërtimin e një fshati turistik në Kakome. Pas kësaj u desh që policia të përdorte forcën për të shpërndarë protestuesit, duke i keqtrajtuar e ndaluar 7 prej tyre, mes tyre kryeplakun e fshatit Nivicë, i cili ndodhet ende në arrest shtëpie, masë e marrë nga gjykata e Sarandës.

Tashmë protestuesit kanë deklaruar se po e ndjekin problemin e pronësisë së zonës turistike në Kakome me procedurat e nevojshme dhe hapësirat që lejon ligji për kthimin e pronave ish-pronarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›