Tërhiqet Riberi: Nuk dua të iki
Ndoshta është kujtuar pak vonë, por tashmë Frenk Riberi tenton të sqarojë situatën e tij me drejtuesit dhe tifozët e Bajernit të Mynihut. Vetëm pak kohë më parë, francezja "L‘Equipe" kishte cituar mesfushorin që deklaronte: "Dëshiroj të largohem nga Bajerni, por do të iki vetëm nëse transferohem te Reali i Madridit". Këto fjalë shkaktuan mjaft pakënaqësi në klubin bavarez. Ndërsa zërat që vinin nga Spanja, për oferta multimilionere të Florentino Perez dhe sjellja e dyshimtë e lojtarit në ditët e para të grumbullimit, krijuan idenë se ai ishte në prag të lamtumirës. Gjithsesi, Riberi është shfaqur publikisht për të përgënjeshtruar gjithçka është folur. Në intervistën për të përditshmen "TZ", ai tha: "Absolutisht, nuk kam thënë se dua të largohem. Deklaratat e mia u keqinterpretuan. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me Bajernin: nëse do të ketë oferta konkrete nga Reali do të ulem me drejtuesit dhe të diskutojmë. Ndërkohë, nuk dua të flas më për këtë temë". 26-vjeçari konfirmoi edhe dëmtimin e lehtë në këmbë.