Mançini përjashton Tevezin nga Mançester Siti
Argjentinasi nuk pranoi të futej në fushë gjatë ndeshjes kundër Bajernit të Mynihut
Karlos Tevez i ka dhënë fund aventurës së tij me Mançester Sitin. Sulmuesi argjentinas është përjashtuar nga trajneri Roberto Mancini, pasi refuzoi të hynte në fushë kur skuadra e tij po humbiste 2-0 në ndeshjen e fundit kundër Bajernit të Mynihut. Ky veprim i Tevez ka qenë pika që ka derdhur gotën në raportin e tij të vështirë me teknikun italian. Pas ndeshjes, ky i fundit ka deklaruar se futbollisti nuk bën pjesë në planet e tij, ndërsa për argjentinasin ky vendim i ka dhënë një goditje të rëndë karrierës, e cila kishte nisur zbritjen që në fund të merkatos së verës. “Ai i ka mbyllur hesapet. Nuk pranoi të hynte në fushë kur unë i thashë ta bënte këtë gjë. Është e papranueshme dhe Tevez nuk do të luajë më kurrë sa unë të jem trajneri i Sitit. Ditët e ardhshme do të flas me presidentin. Nuk dua që kjo situatë të përsëritet”, u shpreh Mançini pas humbjes 2-0 në Allianz Arena. Karlos Tevez ishte një nga lojtarët më të kërkuar, por nuk arriti të firmoste asnjë kontrratë me skuadrat e tjera, duke u detyruar të qëndronte kundër dëshirës së tij te Mançester Siti. Më pas, me afrimin në skuadër të lojtarëve si Kun Aguero apo Samir Nasri, ai humbi vendin në formacion, ndërsa tani rrezikon edhe të ardhmen e tij në kampionatet e ndryshme të Europës, te klubet që janë në gjendje të kënaqin kërkesat ekonimike të sheikëve të Sitit.
Argjentinasi duhet të presë merkaton e janarit për të gjetur një skuadër të re, por mundësitë që ai të luajë me një klub të madh janë shumë të pakta. Ekipet me emër janë përforcuar gjatë merkatos së verës, ndërsa nuk mund të shpenzojnë shumë për një lojtar që nuk luan në Ligën e Kampioneve. Të gjitha këto projektojnë një të ardhme larg Europës për Karlos Tevez, ku më i mundshëm është opsioni për një rikthim të mundshëm në kampionatin brazilian me Korinthiasin, një skuadër kjo që në merkaton e fundit ofroi 40 milionë euro për të marrë shërbimin e sulmuesit.