E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaleidoskopi

Në Galerinë e Arteve të Kosovës u mbajt konferenca e parë në lidhje me edicionin e nëntë të ekspozitës ndërkombëtare në fushën e arteve bashkëkohore, ‘Muslim Mulliqi’, me ç’rast u prezantua edhe koncepti kuratorial i ekspozitës.

“S’është e thënë që gjithnjë të jetë e bukur, përveç nëse është e bukur”, kështu titullohet koncepti kuratorial i edicionit të nëntë të ekspozitës ndërkombëtare në fushën e arteve bashkëkohore, çmimit ‘Muslim Mulliqi’.

Për të prezantuar konceptin kuratorial të edicionit të këtij viti, përveç Erzen Shkolollit, drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, në konferencën për media që u mbajt në GAK qenë të pranishëm edhe kuratorët e ekspozitës, Charles Esche, i cili është drejtor i muzeut Van Abbe të Holandës, dhe Galit Eliat, e cila është kuratore dhe hulumtuese në po të njëjtin muze.

Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli e hapi konferencën duke treguar se edicioni i 9-të i çmimit ‘Muslim Mulliqi’ do të zgjerohet dhe këtë vit do të përfshijë edhe hapësira të tjera ekspozuese, ndër to edhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës. Po ashtu, ai tregoi se duke filluar nga ky vit, ekspozita do të mbahet nga muaji maj deri në muajin korrik.

Ndërsa Charles Esche, bashkëkurator i ekspozitës, i cili njëherit ka kuruar edhe Bienalen e Stambollit në vitin 2005, tha se si pjesë e ‘Muslim Mulliqit 2012’ do të ekspozohen edhe vepra arti nga koleksioni i muzeut Van Abbe.

Esche po ashtu e falënderoi Shkolollin për ftesën që ia ka bërë dhe për mundësinë që ia ka dhënë për të zbuluar artin në Kosovë.

“Është një mundësi e mirë për të hyrë më thellë në situata të veçanta për të parë artistët e rinj dhe të vjetër të këtij vendi dhe për të mësuar se si historia gjatë dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të fundit ka ndikuar në fushën e artit”, tha Esche.

Ai theksoi se kanë filluar të njihen me artistët kosovarë që kanë konkurruar, pasi që disa prej tyre kanë konkurruar me nga vetëm një punim, kështu që sipas tij, është më rëndësi të shihen edhe punimet tjera të këtyre artistëve.

Ndërsa Galit Eliat, ish-drejtoreshë e galerisë ‘Digital Lab’ në Izrael, foli për konceptin kuratorial të ekspozitës. Ajo tha se ekspozita do të jetë një mundësi që artistët të reflektojnë për metaforën e Kaleidoskopit dhe nënkuptimin e të bukurës në shekullin XXI.

Konkursi është mbyllur më 20 shkurt dhe 46 krijues nga fusha e skulpturës, pikturës, fotografisë, instalacionit, video performancës kanë konkurruar me punimet e tyre. Ne ekspozitë do të marrin pjesë 25 artisë nga Kosova dhe të huaj.

Ata do të marrin pjesë me imazhe, aksione, platforma apo video, të cilat përbëjnë copëza të një tërësie më të madhe. Bashkërisht ata do t'ua mundësojnë shikuesve të kalojnë nga njëri punim te tjetri, të vendosin se ku dëshirojnë të pauzojnë e të marrin frymë, si dhe kur ta zbulojnë atë bukurinë e pazakontë të kaleidoskopit rrotullues.

Ekspozita do t’i bëjë bashkë artistët kosovarë dhe ata të huaj në shqyrtimin e metaforës së Kaleidoskopit dhe të fshehurave të tij.

Sipas kuratorëve, Kaleidoskopi u shpik si një pajisje shkencore, synimi i së cilës ishte prodhimi i imazheve krejtësisht të rreme, të cilat do të gjykoheshin për nga cilësitë e tyre estetike. Ai u shfaq si konkurrent i fotografisë dhe pajisjeve të ndërlidhura ‘televizive’, siç ishin teleskopi dhe televizori, të cilat kapnin momente nga realiteti dhe i projektonin në distancë. I pari prodhonte një gjithësi të pafundme imazhesh imagjinare, ndërsa të dytat regjistronin në mënyrë të saktë atë që ‘shihnin’ dhe ua transmetonin këtë imazh të tjerëve përmes aparateve televizive.

“Megjithatë, në botën e sotme, e veçanërisht në një shtet të ri si Kosova, i cili po bën hapat e tij të parë në një botë me shumë të panjohura, kjo ndarje mes imagjinares dhe të vërtetës gjithnjë e më shumë po e humb rëndësinë. Në fakt, në kulturën bashkëkohore ne mund të flasim edhe për telekaleidoskopin – një pajisje e vetme që mbledh, riprodhon, organizon dhe ndan në copëza pikëpamjet tona mbi realitetin. Ai njëkohësisht na sqaron dhe na ngatërron, ndërkohë që gjykimet mbi të bukurën dhe të vërtetën na i bën më të vështira dhe më vendimtare”, kanë shpjeguar kuratorët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›