E Shtunë, 31 Tetor 2026

NYT: I pengon fisi

Në vitin 1911, gazeta amerikane ‘The New York Times’ (NYT) bëri një përkufizim interesant të asaj se përse shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet. Me këtë përshkrim librin e tij “Siguria Kombëtare në Shqipëri” e fillon edhe Veli Avni Haklaj.

“Fizikisht, shqiptarët janë raca më e shkëlqyer në Evropë. Ata janë shumë të përsosur, dhe një racë shumë e talentuar… Por, për shkak të shkallës së ulët të qytetërimit, faji i tyre rezulton të jetë se ata nuk mund të rrokin idenë e shtetit.

Fisi është organizimi i tyre më i lartë; ata nuk janë në gjendje të shohin rëndësinë e kombinimit të fisit me organizmin më të lartë të bërjes së një shteti.

Por, kjo gjë do të ndodhë”, shkruante për shqiptarët gazeta ‘The New York Times’ në vitin 1911. Kështu e fillon librin e tij “Siguria Kombëtare në Shqipëri”, nga viti 1925 deri më 1939, edhe autori shqiptar, Veli Avni Haklaj.

Përmes dokumenteve të kohës, fotografive e fakteve të shumta, Haklaj i identifikon aktorët dhe rolin e tyre në skenën shqiptare politike të kohës, por edhe përpjekjet në formimin e një shteti, i cili në thelbin e tij ka sigurinë kombëtare.

Në librin “Siguria Kombëtare në Shqipëri (nga viti 1925 deri më 1939)” trajtohen çështje të ndryshme, si roli i forcave të armatosura në sigurinë e brendshme, rreziqet dhe kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë, ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të sigurisë kombëtare, roli i Fuqive të Mëdha dhe marrëdhëniet me fqinjët ballkanikë, etj. Ndryshe, në faqet e librit ndeshen edhe shumë figura me peshë në historinë e Shqipërisë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, Sulejman Delvina, Prenk Previzi, Fiqiri Dine, Hysni Dema, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›