Kalendari, Vllaznia i var shpresat tek UEFA-FIFA
Çështja e shumëpërfolur e vendit të parë në kampionat tani për shkodranët kalon vetëm nga organizmat më të lartë të futbollit evropian dhe atij botëror. Drejtuesit e Vllaznisë i kanë mbështetur shpresat e tyre vetëm në këto dy organizma pas përgjigjes negative nga drejtuesit e FSHF-së, që caktoi Tiranën në vendin e parë e jo skuadrën shkodrane. Që dje në mëngjes drejtuesit e klubit kuqeblu i kanë dërguar një letër krerëve më të lartë të futbollit evropian dhe atij botëror për të marrë sa më shpejt në shqyrtim çështjen e tyre. “Në futbollin tonë e keqja më e madhe është se nuk ekziston drejt ligji për sportin. Ne kemi plotësisht të drejtë në kërkesat tona përsa i përket vendit të parë i cili na takon vetëm neve. Vendimi i drejtuesve të FSHF-së nuk na ka bindur dhe ne që sot (dje) në mëngjes i jemi drejtuar organizmave më të lartë të futbollit UEFA-s dhe FIFA-s që të marrë në shqyrtim çështjen tonë. Ne besojmë se këto organizma do të na kthejnë shpejt përgjigjen. Megjithatë, kjo tanimë nuk varet nga dëshira jonë. Ne në këtë drejtim do të këmbëngulim. Jemi në pritje të një përgjigje e cila mund të na vijë edhe sonte (mbrëmë), shpresat janë për të na kthyer përgjigjen pozitive, por kjo tani varet vetëm prej tyre”, është shprehur vetë Fushaj, i cili tanimë beson vetëm në atë përgjigje. Letrat që janë dërguar duket se janë dhe hapi i fundit që drejtuesit e klubit shkodranë do të ndërmarrin për këtë çështje. Një pyetje të tillë numri një i presidencës shkodrane i është përgjigjur shkurt. “Nuk është në interesin e Vllaznisë për të shtyrë asnjë javë të këtij sezoni. Nuk fitojmë gjë me një veprim të tillë”.
Tirana
Lojtarët e Tiranës shprehen të kënaqur me kalendarin e fazës së tretë, nisur dhe nga fakti i rëndësishëm se me Vllazninë, rivalen kryesore në kampionat, do ta luajnë takimin e fundit në kryeqytet. Në të vërtetë lojtarët e Tiranës shprehen optimistë për rezultate më të mira në këtë fazë të fundit dhe besojnë se do ta kenë siguruar titullin kampion para javës së fundit të kampionatit, me bindjen e plotë se në këtë fazë skuadra do të gjejë lojën dhe rezultatet e duhura dhe rrjedhimisht do ta mbajë kreun deri në fund. Por të kënaqur me kalendarin janë dhe drejtuesit e klubit, të cilët ishin të bindur se vendimi i FSHF ishte i bazuar mbi rregulloren dhe kësisoj Tirana do të renditej e para në klasifikim në përfundim të dy fazave të para të sezonit, falë golavarazhit më të mirë se skuadra shkodrane.