S’ka surpriza te Vllaznia, është Haxhiosmanoviç trajneri i ri
Nuk kanë kaluar sa 72 orë nga dorëheqja e Agim Canaj nga posti i trajnerit të Vllaznisë dhe menjëherë drejtuesit e klubit kuqeblu kanë gjetur pasuesin. Kështu, dje është zyrtarizuar në këtë post një ish-trajner të Vllaznisë, malazezi i njohur Dervish Haxhiosmanoviç. Në një konferencë për shtyp, por edhe para lojtarëve të ekipit shkodran, presidenti Fushaj ka zyrtarizuar Haxhiosmanoviçin si trajnerin e ri të Vllaznisë. Malazezi po në të njëjtën periudhë një vit më parë është kthyer tek Vllaznia, duke zëvendësuar atëherë Mirel Josën. Me ekipin shkodran “Deda”, ka provuar të gjitha trofetë që ekzistojnë në Shqipëri. Ai është fitues i Superkupës, kampionatit dhe pas 21 vitesh i ka dhënë Vllaznisë dhe Kupën e Shqipërisë. Ai ka drejtuar këtë ekip për të parën herë në sezonin 2000-2001, duke u shpallur menjëherë kampion me të. Që nga kjo periudhë dashuria e Dedës me Vllazninë nuk është zbehur për asnjë moment. Pavarësisht se Dervishi Haxhiosmanoviçi mund të quhet trajneri i emergjencës për shkodranët, sepse në çdo kohë është i gatshëm, vetë tekniku nuk duket se është i këtij mendimi. “Nuk kam ngurruar dhe nuk ngurroj në asnjë moment për t’i thënë po Vllaznisë. Sa herë që kam ardhur këtu kam dëshiruar të jap maksimumin për këtë ekip. Këtë dëshiroj dhe kësaj here”, -thotë fillimisht Deda. - “E kam ndjekur këtë ekip dhe përmes kronika në nga Tv-të shqiptare në Malin e Zi dhe po ashtu kam diskutuar për këtë ekip. Pra e njoh këtë ekip dhe gjendjen e tij”, - vazhdon trajneri i ri i kuqebluve. Tani objektivi i kuqebluve është i njohur. Ish-tekniku Canaj këtë ekip e ka lënë në vendin e dytë me pikë të barabarta me Tiranën e vendit të parë. Një sezon më parë pikërisht në javën e 23-të, Haxhiosmanoviç ka marrë si për koincidencë Vllazninë pas një humbje të shkaktuar po nga ekipi i Teutës, dhe më pas ka fituar Kupën me këtë skuadër. Tani objektivi është për titull kampion.