E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në NATO, Kuvendi organizon maratonë


TIRANË- Dhjetë ditë në pritje të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë simbolike, organizoi maratonën, "Unë në NATO". Fëmijët e shkollave nëntëvjeçare startuan maratonën e tyre nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, deri tek sheshi "Nënë Tereza", ku iu dorëzuan dhe kupat nga Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli.

"Me sloganin ,"Unë në NATO", fakt është maratona që, shqiptarët, gjatë këtyre viteve kanë realizuar dhe kanë dalë kampionë, ajo kupa që ju morët është kupa që prindërit tuaj marrin më 4 prill 2009 në Strasbrug/Keln, ku Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota. Shqipëria do të vazhdojë maratonën e saj, sepse shqiptarët kanë gara të tjera shumë të rëndësishme.


Ne ndihemi krenarë që në një periudhë rekord kemi bërë të mundur atë që dukej e parealizueshme vetëm pak vite para",- tha Topalli. Më tej, Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga fëmijët, mbylli aktivitetin e maratonës, me një vizitë tek mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.


Vazhdon rrjedhja e anëtarësisë së LSI-së. Meta bën thirrje nga Shkodra, për kartat

---------------------------------------------------------------------------------------------

Lushnjë, 150 anëtarë të LSI-së ikin tek PS-ja


TIRANË- 150 anëtarë të LSI-së në Lushnjë, kanë lënë teserat e partisë ku bënin pjesë, për t'iu bashkuar Partisë Socialiste. Vendimi është bërë publik dje, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në Gorre të Lushnjës, me drejtuesit e LSI-së dhe anëtarët e komunave Gradishtë, Kolonjë, Bubullimë. Qëllimi i takimit ishte roli i LSI-së në zhvillimet aktuale politike. Gjatë takimit, anëtarët kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e drejtimit të partisë, duke deklaruar se e kanë humbur besimin. Ata kanë akuzuar kreun e partisë, Ilir Meta, se nuk dëgjon fjalën e anëtarëve, duke theksuar më pas se i janë bashkuar PS-së.


"Të votojmë PS-në",- ka qenë njëra nga kërkesat e të larguarve nga LSI-ja. Kjo nuk është e para rrjedhje brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi edhe më parë asaj i janë larguar anëtarët dhe këshilltarët, duke iu bashkuar Partisë Socialiste. Ndërkohë, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në takimin e djeshëm të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, ka deklaruar se LSI-ja do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me PS-në pas zgjedhjeve të 28 qershorit.


Ai ka theksuar gjithashtu se nuk do të ketë bashkëpunim PD-LSI pas zgjedhjeve e, për pasojë, koalicion mes tyre. Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve që të pajisen me karta identiteti, pasi, sipas tij, ky proces është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për të garantuar zgjedhjet parlamentare, por edhe në kuadër të konsolidimit të shtetit shqiptar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›