Kalim ilegal në kufi, ndalohen 5 afganë, në pranga trafikanti shqiptar

Policia e Gjirokastrës në sajë të një operacioni anti-trafik ka bërë të mundur kapjen e 5 shtetasve të huaj të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin. Burime nga policia bëjnë me dije se në aksin rrugor Gjirokastër -Tepelenë janë kapur 3 shtetas afganë dhe një çift nga Algjeria si dhe është arrestuar edhe drejtuesi i automjetit i cili po transportonte shtetasit e huaj.
Sipas policisë, është arrestuar 54-vjeçari Arsim Lanica pasi po tranportonte me mjetin e tij taksi 5 të huajt dhe konkretisht tre të rinj nga Afganistani dhe një çift i fejuar nga Algjeria. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit Afganë dhe Algjerianë kanë hyrë nëpërmjet kufirit jeshil nga Kakavija dhe për t`ju shmangur postobllokut të Policisë në Jergucat, kanë kaluar me këmbë nëpërmjet shtratit të Lumit Drino dhe kanë hipur në makinë në afërsi të fshatit Grapsh .
Sipas policisë, në fillim ata janë ndihmuar të kalojnë kufirin nga një shtas shqiptar nga Tirana dhe më pas ata kanë hipur në automjetin tip Furgon të shtetasit të sipërpërmendur për t`i transportuar në Tiranë me destinacion Malin e Zi kundrjet vlerës 1500 Euro për person.
Nga ana e policisë së qarkut Gjirokastër ka nisur procedimi penal ndaj drejtuesit të automjetit, Arsim Lanica, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", si dhe vijojnë hetimet për të parë nëse edhe ky shtetas është pjesë e grupit që merret me trafikun e shtetasvëve të huaj nga Athina për në Malin e Zi.
Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim shtetasi nga Tirana S.M, që banon përkohësisht në Athinë i cili është adhe organizatori kryesor i këtij trafiku të goditur edhe më parë nga ana e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme , pasi ky shtetas dhe dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim më parë nga policia, një nga Tepelena dhe një nga Tropoja , të cilët organizojnë dhe zhvillojnë trafikun e shtetasve të huaj afganë, algjerianë, marokenë , sirianë , nga Athina në Shqipëri e më pas në Malin e Zi , kundrejt vlerës 1500 euro për person.