Kalimash, Ministria: Situata nuk paraqet asnjë rrezikshmëri
Situata në Tunelin e Kalimashit nuk paraqet asnjë rrezikshmëri. Ky është reagimi i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve pas deklaratës së ardhur nga Partia Socialiste, e cila kërkonte llogari për tunelin e Kalimashit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Transporteve theksoi se në datën 5 nëntor ka ndodhur një shembje në galerinë jugore, por nuk ka pasur asnjë dëmtim. Në të njëjtin reagim, ministria thekson se nuk ka pasur asnjë të lënduar nga punonjësit dhe se ngjarje të tilla janë të zakonshme në tunele. Ministria tha më tej se tuneli ndodhet i mbyllur pikërisht për shkak se po bëhen punime dhe se tuneli nuk do të hapet deri në momentin e mbylljes së punimeve nga kompania. “Më datë 5 nëntor, rreth orës 10:00 , në galerinë jugore të tunelit ka ndodhur një rënie e masivit shkëmbor si pasojë e fenomeneve gjeologjike të strukturës shkëmbore. Asnjë nga punonjësit e kompanisë nuk është dëmtuar dhe nuk ka pasur dëme në mjete”, - tha në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, Arminda Qylafku. Më tej, në këtë deklaratë zëdhënësja tha se ministria ka njoftuar publikun se tuneli është i mbyllur dhe që po bëhen ende punime. “Galeria ku ndodhi shembja, - tha më tej zëdhënësja, - nuk ka qenë e hapur për trafikun dhe masat e sigurisë janë në nivelin më të lartë”. “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në njoftime të mëparshme në kohë pat informuar publikun për mbylljen e rrugës për punime të mëtejshme në të dy galeritë e tunelit. Rënia e masivit shkëmbor ka ndodhur në galerinë jugore. Kjo galeri nuk ka qenë asnjë ditë e hapur për trafikun rrugor”, - tha zëdhënësja.
Në të njëjtën deklaratë, ministria konfirmoi se tuneli do të hapet në momentin që punimet do të përfundojnë përfundimisht, duke siguruar se aksidente të tilla nuk do të ndodhin në përdorimin e rrugës. “Fenomene të tillë janë frekuente në punimet në tunele. Rrjedhimisht, situata nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi tuneli, sikurse ju kemi njoftuar më parë, do të hapet vetëm pasi të jenë përfunduar të gjitha punimet”, - tha në fund të fjalës së saj zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve, Arminda Qylafku.
Nga ana tjetër, gjatë paradites zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, kërkoi informacion nga Ministria e Transporteve për tunelin e Kalimashit. “Partia Socialiste përsërit sot kërkesën e saj për ministrin Olldashi për të bërë transparencë të plotë mbi ngjarjen në tunelin Thirrë-Kalimash. Ministri Olldashi, që është personi direkt përgjegjës për këtë çështje, nuk ngurron të dalë e të flasë mbi gjithçka, madje edhe për lulishtet në Tiranë dhe hesht për një prej detyrave kryesore të tij. Ne sot vazhdojmë t’i kërkojmë ministrit të zbardhë çfarë fshihet pas ngjarjes në tunelin e Kalimashit”, - deklaroi zëdhënësja e PS-së, Imeraj.