E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vokshi: Mungesa e opozitës në Kuvend, ngërç për reformat



Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, anëtare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, flet për gazetën “standard”, duke bërë një analizë të situatës ekonomike në vend, të buxhetit të qeverisë dhe mirëmenaxhimit të tij si dhe të mungesës së kolegëve opozitarë në Kuvend. Këtë të fundit ajo e cilëson një problem të madh për reformat e vendit, pasi, sipas Vokshit, duhet jo vetëm numri, por dhe mendimi e konsensusi i deputetëve të opozitës për të mundësuar kalimin e ligjeve. Ndërkaq, ajo mendon se vetëm koordinimi i integrimit do të përshpejtojë anëtarësimin në BE, duke pasur parasysh këtu bashkëpunimin mes të gjitha ministrive të qeverisë aktuale.

Znj. Vokshi, ju jeni anëtare e Komisionit të Ekonomisë të Kuvendit Popullor në një periudhë sfiduese për ekonominë e vendit. Si ju duket shëndeti i saj?

Është e vërtetë që pothuajse të gjitha ekonomitë në mbarë botën kanë kaluar një krizë të rëndë financiare. Rasti i ekonomisë sonë është një nga rastet e veçanta dhe pozitive. Sikurse e ka përcaktuar ish-Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Anne-Margaret Westin në një nga intervistat që ka dhënë përpara se sa të largohej: “Shqipëria është një “success story”, pra një histori suksesi. Janë politikat e qeverisë shqiptare ato që gjatë viteve të fundit kanë mundësuar një qëndrueshmëri makro-ekonomike. Kjo duket qartë nëse kemi parasysh disa nga treguesit kryesorë: kështu, mund të flasim për një rritje 6 deri në 8 për qind në vitet e fundit, norma e inflacionit është mbajtur në kufirin e caktuar 2-4 për qind (në fund të vitit 2008, inflacioni shënonte 3.3%, në fund të këtij viti mendohet të jetë rreth 2% dhe në vitin që vjen parashikohet 3.3% ) etj. Po cila është politika më e suksesshme e qeverisë? Besoj që të gjithë biem dakord që politika më e suksesshme e saj është rritja e shpenzimeve për investime sidomos në infrastrukturën publike. Kjo ka sjellë përfitime në disa drejtime: e para, tregjet janë afruar më shumë për njerëzit e kjo ka nxitur më tej sipërmarrjen private. Së dyti, investimet publike u kanë krijuar më shumë akses njerëzve për të përfituar shërbimet, sidomos në arsim dhe shëndetësi. Së treti, është arritur që tregu i Shqipërisë të integrohet më mirë në tregun rajonal, gjë që ka nxitur jo vetëm shkëmbimet tregtare në rajon, por ka tërhequr edhe shumë investime të huaja në vend. Pra, mund të them që ekonomia shqiptare gëzon shëndet dhe ka perspektivë të garantuar rritjeje.

A gjykoni se e kemi kaluar periudhën më të vështirë të përballimit të pasojave të krizës botërore financiare dhe ekonomike?

Gjykoj se vendi ynë nuk u prek në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kriza në sajë të politikave qeveritare që nxitën investimet dhe konsumin. Sidoqoftë, Shqipëria nuk është e izoluar dhe kriza u ndie, sidomos me rënien e eksporteve, për shkak të uljes së kërkesës nga vendet partnere. Po ashtu, pati dhe një lloj uljeje të remitancave nga emigracioni si dhe një panik psikologjik mes njerëzve, për arsye se kriza përfshiu edhe vendet në rajon. Ndërkohë që sot liderët botërore po deklarojnë çdo ditë që kriza ka filluar të tejkalohet, Shqipëria, nga ana e saj, edhe këtë vit ka vijuar rritjen, edhe pse është e kuptueshme me ritme pak më të ngadalësuara. Pikërisht dje në Komitetin e Planifikimi Strategjik në Këshillin e Ministrave është diskutuar situata makroekonomike dhe buxheti për vitet në vijim. Parashikohet që vitin që vjen të ketë ritme më të lata të rritjes.

Sa e çorodit ekonominë dhe vendimmarrjen ekonomike mungesa e opozitës në Parlament?

Unë jam deputete e re, kështu që nuk është se e kam parë se si mund të ulen dhe bashkëbisedojnë deputetët e pozitës dhe opozitës si në Komisione Parlamentare, ashtu edhe në seanca plenare. E kam ndjekur vetëm nëpërmjet televizionit. Por mund t’ju them për eksperiencën në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku diskutohen projektligje shumë të rëndësishme ekonomike me impakte të mëdha si ekonomike, por edhe sociale. Nëse nuk arrihet kuorumi i caktuar, atëherë mbledhjet e komisionit nuk mbahen. Kjo gjë shpeshherë sjell që projektligje ekonomike që mund të jenë shumë të rëndësishme të shtyhen e kështu reforma të caktuara ekonomike dhe sociale të vonohen në kohë, e për rrjedhojë edhe impakti i parashikuar i reformave po ashtu të vonohet. Nga ana tjetër, mendoj se në radhët e deputetëve të opozitës ka figura të shquara në fushën e mendimit ekonomik, pjesëmarrja e të cilëve do të siguronte një vlerë të shtuar në mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Pavarësisht se ne mundohemi nëpërmjet analizave, hulumtimeve, vrojtimeve që bëjmë për çdo projektligj, pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës mund të bënte që cilësia e ligjeve të ishte akoma dhe më e lartë. Pra, është një ngërç që mund të ketë pasoja si në cilësinë e përmirësuar të ligjeve ekonomike, ashtu edhe mund të sjellë vonesa në miratimin e disa projektligjeve.

Do të doja të theksoja që mungesa e opozitës në Parlament bën që procesi i liberalizimit të vizave, aq i rëndësishëm për ne shqiptarët, por edhe procesi i integrimit në tërësi të vonohet për shkak të asaj që një pjesë e kushteve që duhen plotësuar janë politike dhe kanë të bëjnë si me gjyqësorin, ashtu dhe me dialogun politik, i cili duhet të rikthehet sa më parë. Të gjithë organizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe raportin e fundit të progresit 2009 për Shqipërinë, të përgatitur nga Komisioni Evropian, shprehin qartë këtë kërkesë/kusht dhe theksojnë faktin që mungesa e dialogut politik po pengon ecurinë e disa prej reformave më të rëndësishme për vendin. Duke iu rikthyer klimës dhe politikat pro-biznes të ndërmarra nga qeveria këto katër vitet e fundit dhe në vijim në këtë katërvjeçar, një nga ligjet e rëndësishme, i cili është vonuar dhe përmendet në çdo raport është ligji për Gjykatën Administrative. Ky ligj do të krijonte një klimë akoma dhe më të mirë për biznesin i cili do të kishte një gjykatë të vetën, me ekspertë ligjorë që e njohin biznesin. Është një ngërç që duhet zgjidhur sa më parë. Edhe unë gjej rastin t’i bashkohem zërave të kolegëve të mi, liderëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë që opozita të kthehet në Parlament. Opozita duhet tashmë të kapërcejë interesin e vogël privat, personal e të ngushtë të kryetarit të saj. E ftoj atë që të shikojë një interes më të lartë, atë kombëtar. Jam e sigurt që prania e opozitës në Kuvend do të përshpejtonte më tej edhe reformat drejt procesit të integrimit.

Pas një periudhe gati 13-vjeçare (1992-2005) kur parashikimet e FMN-së për rritjen tonë ekonomike përputheshin me ato të qeverisë, ka ndodhur një “divorc”. Qeveria ka rritur vitet e fundit investimet publike, ndërkohë që syri konservator i FMN-së nuk ka qenë aprovues. Cili mendoni se duhet të jetë tek ne roli i kësaj strukture të financave ndërkombëtare?

Mendoj se bëhet gabim që shpeshherë përdoret fjala “divorc” ose ndarje e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Qeveria ka pasur dhe do të ketë marrëdhënie të mira me këtë organizëm ndërkombëtar, që është dhe një nga institucionet më të specializuara në ekspertizën financiare në të gjithë botën. Ajo që ka ndodhur dhe që është keqinterpretuar këto kohët e fundit, është që Shqipëria tashmë e ka kapërcyer pragun e vendeve me të ardhura të ulëta për frymë dhe bën pjesë në kategorinë e vendeve me të ardhura mesatare për frymë. Kjo ka bërë që edhe marrëveshjet e mëparshme trevjeçare të mos aplikohen më për vendin tonë. Të tilla marrëveshje janë të orientuara vetëm tek vendet e varfra. Tani që Shqipëria i ka mbi 4,000 dollarë për frymë të ardhurat, bashkëpunimi me FMN-në është “graduar” në një marrëveshje tjetër, e cila bazohet tek neni 4 i vetë Marrëveshjes së Themelimit të FMN-së. Të gjitha vendet anëtare të FMN-së (Shqipëria është një prej 186 vendeve anëtare) i bazojnë marrëdhëniet e tyre me FMN-në tek ky nen. Po çfarë presupozon kjo marrëdhënie e re? FMN, në mënyrë periodike, dërgon në Shqipëri misione për të analizuar dhe vlerësuar politikat ekonomike dhe financiare të ndërmarra nga qeveria në një periudhë kohe të caktuar, vlerëson ecurinë e reformave dhe jep këshillime dhe rekomandime për qeverinë. Në të njëjtën kohë, misioni i FMN-së sheh nëse këto politika ndikojnë jo vetëm në stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, por edhe në atë të vendeve përreth saj. Një problem që mbetet është mospërputhja e shifrave të Prodhimit të Brendshëm Bruto ndërmjet qeverisë dhe FMN-së. Në fakt, ka qenë FMN e cila e ka ndryshuar së fundmi parashikimin e saj për rritjen ekonomike të vendit (nga më pak se 1 për qind që e parashikoi fillimisht, në misionin e fundit deklaroi që mund të jetë edhe 2 për qind). Vlerësimi i FMN-së bëhet në bazë të disa agregateve, ndërkohë që Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT), që është dhe institucioni i përcaktuar me ligj që të përllogarisë Prodhimin e Brendshëm Bruto, inflacionin si dhe tregues të tjerë, e përllogarit atë mbi bazën e prodhimit të 24 sektorëve të ekonomisë. Kjo ka bërë që qeveria të ketë një shifër të ndryshme nga FMN, shifra e të cilës në mënyrë të konsiderueshme është më e ulët. Duke qenë se kjo nuk është serioze dhe çon në debate që sjellin një frymë jo të mirë dialogu, qeveria shqiptare i ka kërkuar FMN-së që: ose të sjellë një ekspert të përhershëm pranë INSTAT-it, i cili të shikojë metodologjinë e përdorur, të japë rekomandime etj., ose të monitorojë në vazhdimësi përllogaritjen e PBB nga ana e INSTAT-it në mënyrë që të dilet me një shifër të vetme. Pritet që në bazë të kësaj forme të re të bashkëpunimit me FMN-në, në shkurt 2010 të vijë një mision i FMN-së, i cili do të negociojë me qeverinë për përcaktimin e atyre që quhen “rregullat fiskale” (fiscal rules) mbi bazën e të cilave do të ndërtohet marrëveshja për vitet në vijim.

A nuk ngjan e fryrë shifra qeveritare prej 5.2% e rritjes ekonomike?

Nuk është aspak e fryrë. Rritja ekonomike ishte parashikuar 6.8%. Parashikohet që për shkak të efekteve të krizës, rritja gjatë këtij viti të jetë 4.5 deri në 5 për qind. Kjo vijon të ngelet një rritje shumë pozitive, gjë që nuk vërehet në vendet e tjera të rajonit tonë. Ka vetëm 2-3 raste në botë që shënohen të kenë këtë ritëm rritjeje. Për vitin 2010 parashikohet që rritja të vazhdojë me 6.8% dhe mbi 7% në vitin 2011. Përfundimisht, për shkak të efekteve të krizës, rritja e parashikuar mund të ulet me rreth 2% dhe nuk ka aspak fryrje.

Kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë se do të përvijojë rritjen e pagave të buxhetorëve, si dhe të pensioneve. Sërish FMN është në parim kundër. Po ashtu, të ardhurat nga tatimet dhe taksat nuk janë shumë optimiste dhe nuk duket të mbështesin fondet shtesë që nevojiten për këto rritje. Ku do t’i gjejmë këto para?

Edhe në katërvjeçarin që kaloi, premtimi i Kryeministrit për dyfishimin e pagave, sidomos atyre në shëndetësi dhe arsim, u pa me shumë skepticizëm, sidomos nga opozita. Kjo e fundit e debatoi dhe e kundërshtoi deri në momentin që ky premtim u bë realitet, prandaj të gjithë duhet të kenë besim se pagat dhe pensionet do të vijojnë të rriten dhe për vitet në vazhdim ashtu sikurse është premtuar. Rritja e rrogave nuk është lënë në dorë të fatit, që nëse rriten të ardhurat mbi parashikimin do të mund të rriten rrogat. Në të kundërt, rritja e pagave dhe pensioneve është e parashikuar dhe konsoliduar në buxhetin e shqyrtuar para disa ditësh në Komitetin e Planifikimit Strategjik.

Qeveria e PD-së e katër viteve të kaluara ka qenë quajtur qeveria “në dietë”. Si do ta përkufizonit ju qeverinë e koalicionit Berisha-Meta nga këndvështrimi ekonomik?

Në fund të fundit, të gjitha objektivat politike kanë ndikime në ato ekonomike. Kjo do të thotë që nëse një nga objektivat e qeverisë është që të jetë në dietë, qeveria do të vijojë të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të qenë e tillë, pavarësisht koalicioneve të detyruara nga zgjedhjet. Numri i ministrive nuk u rrit, së fundmi miratuam një nga ligjet aq të përfolura dhe debatuara kohët e fundit për transportin e funksionarëve të lartë të shtetit etj. Në vitet që vijnë pritet që personeli qeveritar të reduktohet me rreth 10% dhe shpenzimet operative me rreth 25%.

Investimet e huaja për këtë vit (e fundit është kredia 110 milionë euro që kompania Bankers Petroleum mori për investime në naftën shqiptare në zonën Patos-Marinzë), ndryshe nga sa mund të mendohej, nuk janë tkurrur. Si mund të ndodhë kjo, kur këto investime në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në tërësi nëpër botë janë në rënie?

Mendoj se është rrjedhim i politikave të suksesshme qeveritare pro-biznes. Përderisa Shqipëria vijon të konsiderohet “success story” investitorët e huaj nuk janë larguar. Në fushën e naftës dhe gazit, është jo vetëm Bankers Petroleum, por edhe kompani të tjera me emër në botë. Këto ditë mediat folën për investimin e një kompanie gjermane shumë të fuqishme, të quajtur “Praktiker”. Gjykoj se investuesit e huaj kanë krijuar tashmë besim në politikat favorizuese të qeverisë, duke qenë se Shqipëria ka barrën më të ulët fiskale në rajon. Po ashtu, po konsolidohet taksa e sheshtë, me gjithë debatet që shoqëruan futjen e saj. Nga ana tjetër, politikat fiskale u ndërthurën me shumë efikasitet me reformën rregullatore, e cila përmirësoi ndjeshëm kushtet për licencim. Kemi “one stop shop” (zyrë me një ndalim të vetëm), ku biznesi licencohet brenda një dite dhe me një kosto shumë më të ulët se më parë. Nga 399 ditë që duheshin më parë për regjistrimin e një biznesi, tani duhen vetëm 40 ditë, duke shkurtuar në maksimum të gjitha procedurat e tepërta burokratike. Kjo reformë rregullatore po vazhdon. Po hapen zyra “one stop shop” për sektorë të tjerë të rëndësishëm si minierat dhe në tërësi për të gjithë sektorin e energjisë. Kjo flet për një përmirësim të mëtejshëm të mjedisit për biznes, gjë që nënkupton edhe më shumë investime të huaja të kompanive potenciale të rëndësishme në vendin tonë.

Banka e Shqipërisë uli interesin e saj bazë nga 5.75 në 5.25%. Po kërkon të nxisë bizneset dhe qytetarët t’u drejtohen bankave për huamarrje, duke shpresuar se bankat ndërkohë do t’i ulin përqindjet e interesit të kredive. Mendoni se do t’ia arrijë në këtë mision të saj? A mund ta ndihmojnë Parlamenti dhe qeveria?

Gjykoj se kjo politikë e Bankës Qendrore që synon rritjen e kredimarrjes nga privatët është e drejtë dhe mbase paksa e vonuar. Qeveria, nga ana e saj, po ndihmon me nismat e veta zhvillimin e bizneseve, sidomos kreditimin e bizneseve të vogla e të mesme (SME). Janë një sërë linjash të kredive të buta të financuara si nga buxheti ashtu edhe nga donatorë, si p.sh. Italia, për thithjen e investimeve dhe rritjen e kapaciteteve të SME-ve. Këto ndërhyrje synojnë të nxisin punësimin, për të arritur në atë që është dhe objektivi madhor i qeverisë për këtë katërvjeçar (160 mijë vende të reja pune). Po ashtu, sapo miratuam në Parlament një ndryshim në ligjin për ndihmën shtetërore që prek disa kategori të SME-ve. Nëpërmjet kësaj ndihme, qeveria ndërhyn në treg, sidomos në ato tregje që kanë mangësi për të rritur konkurrueshmërinë. Kategoritë që do të ndihmohen janë: ndërmarrjet e reja (ndihma shtetërore shkon për ndihmë për sipërmarrjet SME-të të krijuara vitin e kaluar), të cilat kanë vështirësi për shkak faktorëve të ndryshëm si mungesë informacioni etj. Një kategori tjetër janë bizneset e orientuara nga teknologjia dhe inovacioni, ato që janë të orientuara nga mbrojtja e mjedisit si p.sh. ato që përdorin forma alternative të krijimit të energjisë etj.

Në vend ndihet uri për euron, ndërsa për monedhën kombëtare Kryeministri shprehet se nuk ka personalitet historik (përmend edhe Skënderbeun) që ta shpëtojë. E sheh si dukuri procesin e euroizimit të ekonomisë sonë dhe zëvendësimit gradual të lekut nga euroja apo parashikon zhvlerësim të fortë të monedhës sonë?

Euroizimi është një proces që do të ndodhë në përgatitjen e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Ai është i padiskutueshëm, por është në perspektivë. Është një proces i tërë negociatash intensive që do të bëhen me Bankën Qendrore Evropiane dhe me Komisionin Evropian, për përcaktimin e mënyrës se si do të bëhet futja e euros si monedhë zyrtare në Shqipëri. Nga ana tjerrë, do të doja të theksoja se nuk ka pasur dhe nuk ka zhvlerësim të lekut në Shqipëri. Leku vazhdon të mbetet një nga monedhat më të qëndrueshme në rajon. Edhe në pikun e krizës, rënia e lekut ka qenë minimale, në krahasim me rënien e monedhave të tjera të rajonit. Mendoj se leku do të vijojë të jetë i qëndrueshëm.

Ju vini nga një detyrë e koordinimit të ndihmës dhe asistencës së huaj për vendin tonë. Sa ndikuese në ekonominë shqiptare ka qenë kjo asistencë e huaj?

Kam drejtuar Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj. Në fakt, është një koncept i ri i futur. Shkon në linjë me mirëqeverisjen dhe me politikat efektive dhe eficiente që po ndjek qeveria. Nëpërmjet strategjive të hartuara dhe të koordinuara nga ana e këtij departamenti, qeveria ka tashmë të listuara objektivat e saj afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Edhe burimet e brendshme dhe të huaja të financimit po orientohen tashmë kundrejt këtyre objektivave. Departamenti ka ndihmuar që nëpërmjet implementimit të sistemit të planifikimit të integruar ndihma e huaj të bëhet më efektive dhe më eficiente. Ministria e Financave gjatë negociatave me ministritë e linjës për hartimin e buxhetit afatmesëm bën të mundur që objektivat e listuara nëpër strategji dhe në atë kombëtare për zhvillim dhe integrim te mos mbeten thjesht një listë dëshirash, por të realizohen në kohë rekord. Edhe asistenca e huaj, që është e konsiderueshme (në vitet 2000-2008 kjo ndihmë ka arritur në mbi 2.9 miliardë euro), e dhënë në formë grantesh dhe kredish koncesionare apo jokoncesionare tashmë nuk po orientohet më nga dëshirat e donatorëve, por drejt financimit të objektivave strategjike të qeverisë, duke rritur në të njëjtën kohë efikasitetin e përdorimit të burimeve financiare.

Sa rol mund të luajnë fondet IPA të Bashkimit Evropian në gjallërimin e investimeve private në ekonominë tonë?

Fondet IPA kanë zëvendësuar fondet CARDS dhe përbëjnë një ndihmë të konsiderueshme për vendin tonë. Vetëm për vitet 2007-2009 kapin shifrën 160 milionë euro. Programimi i këtyre fondeve bëhet nëpërmjet negociatave të institucioneve të qeverisë shqiptare, të koordinuara nga Ministria e Integrimit, për sektorët në nevojë, mbi bazën e dokumenteve kryesore strategjike të qeverisë. Mund të përmendim kështu investimet për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Kavajë, Shkodër, Korçë etj., investimet në arsim, në rrugë rurale, drejtësi, gjykata etj.

A mund të ndikojë Parlamenti dhe qeveria në rastet kur donatorët vonojnë realizimin e një ndërhyrjeje në ekonomi?

Mund të flas për një rast konkret: Sapo miratuam në Parlament projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për “Programin e mbrojtjes së mjedisit të liqenit të Shkodrës”, një projekt që synon në të njëjtën kohë përmirësimin e sistemit të kanalizimeve dhe ujësjellësve në Shkodër dhe në zonat përreth qytetit. Është një projekt që për vetë specifikën e tij (janë disa donatorë që vendosin fondet në një projekt, në mënyrë që projekti të jetë më i integruar dhe më eficient) merr mbase shumë kohë, sesa kur është një donator i vetëm. Vetëm për studimin e fizibilitetit dhe dizenjos së detajuar të projektit ishin dashur rreth 7 vjet. Ne i rekomanduam Ministrisë së Financave, Ministrisë së Jashtme dhe Këshillit të Ministrave që të negociohet me qeverinë gjermane që marrëveshjet financiare dhe ndërqeveritare të vijnë në të njëjtën kohë për t’u miratuar në qeveri dhe Parlament, gjë që do të shkurtonte shumë disa nga procedurat burokratike shpeshherë të imponuara nga donatori.

A gjykoni se duhet rritur pikërisht tani çmimi i energjisë elektrike, duke pasur parasysh vështirësitë që po kalon vendi nga prekja prej krizës?

Grafiku i rritjes së çmimit është pjesë e marrëveshjes së qeverisë me kompaninë që ka privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Është një rritje e domosdoshme. Nuk mund të mënjanohet, por qeveria ka parashikuar edhe si zë më vete në buxhetin e vitit 2010 një fond të veçantë për kompensimin e kësaj rritjeje të çmimit të energjisë, sidomos për shtresat në nevojë.

ǒdo t’u këshillonit ministrave të qeverisë Berisha-Meta që të bënin dhe të mos bënin gjatë vitit të parë të veprimtarisë së tyre?

Së pari, është ende herët dhe mendoj që duhet t’u lëmë ca kohë ministrave të Qeverisë së Integrimit Evropian e më vonë mund të themi se çfarë nuk duhet të bëjnë. Një këshillë të vetme do të kisha për ta: të përqendrojnë vëmendjen e tyre në mirëkoordinimin e punës për të plotësuar sa më parë të gjitha kushtet për procesin e liberalizimit të vizave (aq i domosdoshëm për një popullsi që 25% të saj e ka jashtë kufijve) dhe koordinimit të punëve mes ministrive për sfidat integruese. Jam e bindur që një koordinim dhe administrim më i mirë i tërë proceseve integruese do të bënte të anëtarësoheshim në BE shumë më shpejt nga sa e mendojmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›