E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallëzim penal skandalit 250 milionë me uniformat

13/02/2005  Ekspertët e policisë denoncojnë dëmin e tenderit që u zhvillua në verën e vitit 2004

TIRANË –Të hënën e kësaj jave, në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme ka mbërritur një kallëzim penal për abuzimet financiare me uniformat e policisë. Dëmi financiar i përllogaritur në mënyrë paraprake është 250 milionë lekë të vjetra. Denoncuesit kanë përcaktuar se dëmi përbën elementin penal thelbësor, nga i cili mund të marrin shkas ligjor hetimet e Prokurorisë. Ditën e parë të javës, korrieri zyrtar e ka dorëzuar materialin kallëzues në Prokurorinë e Përgjithshme, bashkë me një rekomande të posaçme. Denoncimi është protokolluar në zyrat e organit të akuzës, ndërsa burimet e këtij institucioni nuk e konfirmuan lajmin. Ato thanë se nuk janë njohur ende me materialin apo informacionet rreth tij.

Skandali

20 mijë palë këmisha dhe po kaq këpucë janë blerë për Policinë e Shtetit, me anë të tenderit të organizuar në datat 22 dhe 23 korrik 2004. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve të policisë, një pjesë e të cilëve kanë punuar edhe për tenderin në fjalë, vlera e mallrave të blera ndryshon me shumën e parave të përcaktuara në dokumentacionin dhe vlerën e tenderit. Ekspertët që kanë hartuar kallëzimin penal, kanë vlerësuar se cilësia e këmishave dhe këpucëve të blera për policinë është më e dobët dhe më pak e kushtueshme se cilësia dhe vlera e përcaktuar në kërkesat e tenderit.

Dëmi

Për ekspertët, vlera reale me të cilën janë blerë uniformat e policisë, me fondin e xhiruar për tenderin e korrikut është e ndryshme. Diferenca mes këtyre dy vlerave është cilësuar si dëm financiar nga ekspertët e policisë, të cilët kanë bërë kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme. Pasi ky institucion të fillojë shqyrtimin e materialeve të denoncimit, pritet që Drejtoria e Krimit Ekonomik të fillojë hetimin. Kallëzimi i fundit për tenderat e uniformave në Ministrinë e Rendit, nuk është materiali i parë që mbërrin në Prokurori për çështje të tilla. Prokuroria e Tiranës, prej tre vitesh ka hetuar tendera të tjerë në kuadër të dosjes “Reparti 100”. Këta tendera, të cilësuar me dëm ekonomik, nuk kanë patur si objekt vetëm blerjen e uniformave, por edhe të mjeteve që përdoren nga policia në ushtrimin e detyrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›