E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra sekrete e KQ, 200 kuadro dërgohen në zonat malore

13/02/2005  1967

Hysni Kapo harton një vendim të rezervuar si sekret të arkivuar menjëherë mbi letrën e Komitetit Qendror për të dërguar në kooperativat e reja bujqësore malore kuadro nga zonat fushore. Zonat malore ishin streha e fundit e partisë për ngritjen e kooperativave bujqësore.

Në një letër të posaçme të KQ të PPSh-së, në vitin 1967 dërgohen në zonat malore mbi 200 kuadro nga zonat fushore.

Të gjithë duhet të punonin si vullnetarë në kooperativat malore. Çdo kuadër që shkonte nga zonat fushore në ato malore, duhej të bënte punë të detyruar njëvjeçare, duke qëndruar pranë kryesisë së koopertivave malore.

Partia me vendim të KP-së jepte orientime, që të dërguarit në kooperativat malore të ishin të gjithë komunistë, për të forcuar organizatat bazë të partisë.

Për herë të parë zbardhet e plotë dokumentacioni mbi letrën e KQ të PPSH dërguar KP të PPSh, dërguar komitetit të partisë së rretheve mbi kuadrot që dërgohen në kooperativat e reja bujqësore. Cilat ishin vendimet që merrte partia për krijimin e kooperativave të reja bujqësore? Sa kooperativave u ngritën brenda vitit 1967 në zonat malore?

Enver Hoxha jep porosi që të gjithë kuadrot që do të punonin në hapjen e kooperativave të reja bujqësore në zonat malore, duhet të ishin komunistë. Mbi 200 kuadro dërgohen drejt zonave malore. Kongresi i V i PPSh-së u bë burimi frymëzues për zbatimin e detyrave të saj.

Zbardhet i plotë dokumentacioni mbi letrën sekrete të KQ-së.

***

Letër e KQ të PPSH dërguar KP të PPSH, dërguar KP të rretheve mbi kuadrot që dërgohen në kooperativat e reja bujqësore

Partia e Punës e Shqipërisë

Komiteti Qendror

Nr.140 prot.

Tiranë, më 28.02.1967

Sekret

Lënda: Mbi kuadrot që do të dërgohen në kooperativat e reja malore.

Komitetit të Partisë së Rrethit

Arkiva

Siç jeni në dijeni, duke iu përgjigjur thirrjes së Kongresit V të Partisë, fshatarësia e zonave malore përqafoi në masë rrugën e kolektivizimit të bujqësisë. Gjatë këtyre 4-5 muajve u ngritën mbi 500 kooperativa të reja bujqësore në 12 rrethe, duke përfunduar kështu kolektivizimin e bujqësisë.

Me qëllim që të vihen në jetë porositë e Kongresit V-të të Partisë dhe të shokut Enver, në drejtim të ndihmës së gjithanshme që u duhet dhënë këtyre kooperativave të reja, qysh tani në fillim, përveç masave të tjera është menduar të dërgohen të paktën 200 kuadro nga kooperativat e vjetra të zonës fushore, si kryetarë, n/kryetar, llogaritarë, brigadierë, agronomë të mesëm e të lartë etj., sipas pasqyrës së bashkangjitur.

Këto kuadro duhet të venë mbi baza vullnetare dhe t’u propozohet kooperativave që i dërgojnë, që t’i shpërblejnë

vetë ato, për gjithë periudhën e kohës që do të shërbejnë në kooperativat malore.

Këta do të qëndrojnë jo më pak se një vit në kooperativat ku do të ngarkohen dhe do të punojnë si bashkëpunëtorë të ngushtë të kryesisë së këtyre kooperativave, duke u dhënë eksperiencën e tyre për forcimin ekonomik-organizativ të kooperativave të reja.

Është mirë që shumica e këtyre kuadrove të jenë komunistë, mbasi kështu do të ndihmojnë më shumë edhe në forcimin dhe gjallërimin e jetës së brendshme të partisë, në organizimin bazë të këtyre kooperativave.

Këto kuadro të vijnë në Tiranë më 10 mars 1967, në Teknikumin e kooperativave bujqësore, ku do të zhvillohet një seminar njëjavor me ta nga Ministria e Bujqësisë dhe pas kësaj do të nisen në vendet e caktuara.

Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH

Hysni Kapo

AQSH. Viti 1967

Komunistët vullnetarë në kooperativat malore

“Këto kuadro duhet të venë mbi baza vullnetare dhe t’u propozohet kooperativave që i dërgojnë, që t’i shpërblejnë

vetë ato, për gjithë periudhën e kohës që do të shërbejnë në kooperativat malore.

Këta do të qëndrojnë jo më pak se një vit në kooperativat ku do të ngarkohen dhe do të punojnë si bashkëpuntorë të ngushtë të kryesisë së këtyre kooperativave, duke u dhënë eksperiencën e tyre për forcimin ekonomik-organizativ të kooperativave të reja.

Është mirë që shumica e këtyre kuadrove të jenë komunistë, mbasi kështu do të ndihmojnë më shumë edhe në forcimin dhe gjallërimin e jetës së brendshme të partisë, në organizimin bazë të këtyre kooperativave.

Këto kuadro të vijnë në Tiranë më 10 mars 1967, në Teknikumin e kooperativave bujqësore, ku do të zhvillohet një seminar njëjavor me ta nga Ministria e Bujqësisë dhe pas kësaj do të nisen në vendet e caktuara”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›