E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngiste në gjendje të dehur, ndalohet nga policia

Tiranë – Policia kreu arrestimin në flagrancë të Artur Asllanit, 43 vjeç, banues në Tiranë. Kapja e tij u bë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore, pasi u kap në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë, duke drejtuar automjetin e shërbimit publik tip - autobus, me targa TR 1383 N, në gjendje të dehur. Pas verifikimeve të menjëhershme doli se drejtuesi i këtij mjeti po qarkullonte pa kategorinë përkatëse të patentës si dhe leje drejtimi të falsifikuar. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke mos zbatuar dispozitat e Ligjit Nr. 8378, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, Xheladin Selimaj, 62 vjeç, me detyrë përgjegjës i Parkut të Autobusëve të firmës “Ferlut”. Për këtë të fundit dyshohet se gjatë marrjes në punë të shtetasit Artur Asllani nuk ka kryer verifikimet e dokumentacionit të paraqitur për shofer, duke rrezikuar të sjellë pasoja shoqërore. U kryen veprimet procedurale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti TR 1383 N, tip autobus, dëshmia e aftësisë së Artur Asllanit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “falsifikimit të vulave dhe formularëve” dhe “drejtimit të mjetit në gjendje të dehur”.

Grindet me vëllain, e godet me thikë në gjoks

Tiranë - Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Z, 14 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi më datë 16 shkurt 2008, rreth orës 11:00, në ambientet e banesës së tij, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me thikë vëllain e tij, shtetasin Gentian Zotaj, 16 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.

Kundërshtoi dhe fyeu policin, ndalohet

Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të Edmond Vrapit, 32 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Yzberisht, i dënuar më parë për “vjedhje”. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e diel rreth orës 21:00, ndaj tij është depozituar një kallëzim penal nga një punonjës policie, i cili deklaron se duke qenë në krye të detyrës është kundërshtuar, fyer, goditur dhe kanosur nga shtetasi Edmond Vrapi. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë rendit publik”, “goditjes për shkak të detyrës”, “kanosjes për shkak të detyrës” si dhe të “fyerjes për shkak të detyrës”.

Gjendet kufoma e një 50-vjeçari pa identitet

Tiranë – Është gjetur i vdekur një person dhe policia po punon për identifikimin e tij. Ditën e diel, rreth orës 07:30, seksioni Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit morën njoftim se në rrugën “28 Nëntori” në Tiranë, në afërsi të stacionit të autobusëve, mbi trotuar është gjetur i vdekur një person i seksit mashkull, i moshës rreth 50 – 55 vjeç, me gjatësi 1.72 cm. U kryen veprimet procedurale, por nuk është bërë ende i mundur identifikimi i viktimës dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore dyshohet se viktima ka vdekur si rezultat i një ataku kardiak i ndikuar nga ulja e temperaturave të ditëve të fundit. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›