E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seminar për rolin i komunitetit shkencor në mbrojtjen civile

TIRANË - Në kuadër të përmirësimit dhe rritjes së nivelit të Shërbimit të Emergjencave Civile, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me organizatën italiane “Formez”, organizuan dje në mjediset e Hotel Tirana Internacional, seminarin me temë, “Roli i Komunitetit Shkencor në kuadër të Mbrojtjes Civile”. Takimi u përqendrua në shkëmbimin e eksperiencave dhe informacioneve, që mund të aplikohen në Shërbimin e Emergjencave Civile në realitetin tonë, përgatitjen e programeve për reduktimin e rreziqeve, si edhe planifikimin për përballimin e emergjencave në të gjitha nivelet. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, e vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe ndërkombëtare në kuadër të përmirësimit ligjor si dhe ngritjen e strukturave të reja funksionale operative në nivel kombëtar dhe lokal si një domosdoshmëri për reagimin me efikasitet ndaj fatkeqësive natyrore. “Bashkëpunimi me institucionet e Gjeoshkencës do të jetë prioritar për Drejtorinë e Emergjencave Civile, me qëllim përgatitjen e studimeve dhe projekteve të posaçme për parashikimin, parandalimin dhe përballimin me dinjitet të katastrofave natyrore”, - theksoi Olli. Ndërsa, drejtori i Departamentit italian të Mbrojtjes Civile, Elvezio Galanti, i pranishëm në këtë aktivitet, tha se “reflektimi për vazhdimësinë e mbrojtjes civile duhet të konsiderohet, si një koncept gjithëpërfshirës”. Duke sjellë eksperiencën e vyer të Italisë në sistemin e mbrojtjes civile, zoti Galanti, u ndal edhe në nevojën e krijimit dhe financimit të grupeve kërkimore shkencore, për fushat të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fatkeqësitë natyrore, me qëllim ndërtimin e skenarëve të mundshëm në kuadër të mbrojtjes civile”. Nisur nga eksperiencat në vend dhe ato ndërkombëtare, u arrit në përfundimin se roli i Komunitetit Shkencor në kuadër të Mbrojtjes Civile gjatë katastrofave natyrore dhe humanitare, duhet të marrë një dimension më të madh dhe vendimtar.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›