E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndëshkohen shoferët, rekord gjobash brenda pak orësh

ELBASAN – Një batërdi gjobash për drejtuesit e automjeteve. Brenda pak orësh Policia Rrugore në qarkun e Elbasanit ka gjobitur drejtuesit e 162 automjeteve, në një aksion të ndërmarrë që nga mbrëmja e së dielës deri në orët e para të së hënës. Specialisti i Policisë Rrugore pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, Koço Simaku, tha se “gjatë këtij aksioni u bllokuan 5 mjete si dhe u pezulluan tre leje drejtimi për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe mungesë dokumentacioni”. Aksioni në fjalë, vijoi Simaku, ndërmerret për të evituar në maksimum aksidentet si dhe për të ndëshkuar të gjithë ata drejtues që ecin me shpejtësi tej normave të lejuara, pa rripin e sigurimit apo qarkullojnë nën efektin e pijeve alkoolike.

E denoncoi bashkëshortja për dhunë, arrestohet

SHKODËR – Më në fund ka vendosur të denoncojë në polici bashkëshortin për ushtrim dhune, gjë që ka sjellë forcat e komisariatit të policisë që të bëjnë prangosjen e tij ditën e hënë. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se G. Rrjolli, banues në lagjen “Tom Kola” të qytetit të Shkodrës, akuzohet se keqtrajtonte në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij për motive të dobëta. Të njëjtat burime thanë se pas marrjes së denoncimit, policia ushtroi një kontroll në banesën e 50-vjeçarit ku u gjet dhe një armë zjarri pa leje. Bashkëshortja e Rrjollit ka bërë një denoncim disa ditë më parë. Mësohet se ai do të përgjigjet për veprat penale “keqtrajtim” dhe armëmbajtje pa leje.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›