E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalo:”Kisha besimin e Enverit pacient”

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Në intervistën e mëposhtme, mjeku i njohur Isuf Kalo, si drejtor i Qendrës së Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore në Shqipëri, flet për procesin e akreditimit të spitaleve në vendin tonë. Si ka vijuar ky proces qysh tre vjet më parë, kohë kur dhe është krijuar qendra e akreditimit në vendin tonë... A jemi ne gati për akreditim dhe a do të detyrohen të gjitha spitalet të akreditohen ose jo... Në cilën fazë të procesit jemi aktualisht dhe cilat janë standardet që duhet të plotësojnë institucionet shëndetësore para se të akreditohen....
I pyetur nga “Ballkan”, si mjeku personal i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, se sa të vërtetë e quan ai deklaratën mediatike të kryeministrit Berisha (dhënë pak ditë më parë për një gazetë gjermane) se 15 vitet e fundit të jetës së tij, ish-diktatori Hoxha nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore për të drejtuar vendin dhe se drejtimin e vendit e pati marrë në dorë bashkëshortja e tij, zonja Nexhmije Hoxha, zoti Kalo është mjaftuar me një përgjigje të shkurtër, duke lënë të nënkuptohet qëndrimi i tij është në përputhje me “Urdhrin e Hipokratit”. “Zoti Berisha nuk ka qenë mjek personal i Enver Hoxhës, pra nuk mund ta dijë me saktësi diagnozën e sëmundjes së tij”-tha Z. Kalo.

Zoti Kalo, a ka shërbim cilësor në spitalet shqiptare, i plotësojmë standardet? Sa të sigurt janë pacientët për mjekimin që marrin?

Çështja e cilësisë së sistemit shëndetësor dhe të institucioneve shëndetësore lidhet me një sërë kërkesash të domosdoshme që ka sot popullata. Çështja është e thjeshtë. Një person që është i sëmurë do të dijë se cili spital është më i miri apo më kompetent. Pacientët duhet të jenë të sigurt se spitali që kanë zgjedhur për t u kuruar, të jetë i kontrolluar apo i akredituar nga njësi apo ekspertë që merren me këtë proces, pasi vetë pacienti nuk është në gjendje ta dallojë që në fillim se cili i plotëson standardet dhe cili jo. Sot për sot, ndodh ajo që qytetari i sëmurë apo klienti drejtohet në një spital bazuar në opinion. Pra pacientët pyesin njerëz të afërt, të cilët janë vizituar aty para tyre. Dikush thotë dhe vlerëson faktin që një spital ka mjekë të mirë, të sjellshëm, ambient të pastër, të presin mirë, kanë aparatura të kohës etj.

Ç është në të vërtetë akreditimi i spitaleve?
Akreditimi është një çështje tjetër më e thellë që në të vërtetë konfirmohet zyrtarisht nga një ekip i specializuar që ato shërbime që x spital pretendon se i disponon, i ka brenda standardeve dhe kjo shoqërohet me një certifikatë akreditimi. Pra, nëpërmjet verifikimit tregohet nëse një spital e plotëson nivelin e standardeve të kërkuara ose jo. Shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur këtu forcohet ideja që nuk mund të ketë akreditim nëse më parë nuk plotësohen standardet. Kjo punë është bërë nga qendra jonë, pra standardet janë bërë dhe ekzistojnë, por procesi i akreditimit është ndryshe nga procesi i kontrollit, inspektimi, i cili shkon, kontrollon, gjen ndonjë gabim, merr masa deri në shkurtimin e punonjësve etj. Akreditimi në vetvete është një proces i përmirësimit të ndërgjegjshëm, pra ku vetë institucioni ka marrë një vendim dhe do të fitojë një certifikatë që t i bëhet publikisht e njohur që ky spital është i verifikuar në ndryshim nga të tjerët që mund të bëjnë reklamë për cilësinë e tyre por që këtë nuk mund ta verifikojnë zyrtarisht, siç mund ta tregojë certifikata e akreditimit e varur në mur. Pra akreditimi ndihmon pacientin të seleksionojë kush bën reklamë pa bazë për të mashtruar njerëzit dhe kush është vërtet spital cilësor.

A çon në mbylljen e një spitali procesi i akreditimit?
Akreditimi nuk synon mbylljen e një spitali. Por synon që të krijojë një konkurrencë midis spitaleve që janë të akredituar dhe atyre që s janë të akredituar. Më pas ti, si klient, ke të drejtën të zgjedhësh tek cili dëshiron të mjekohesh. Pastaj, nëse zgjedh një spital jo të akredituar, në bazë të besimit tënd vetjak, kjo është përgjegjësia jote, por certifikata e akreditimit e tregon më së miri cilësinë e një spitali.

A mund të flasim ne sot në Shqipëri për spitale të akredituar?
Aktualisht, ne në Shqipëri nuk kemi asnjë spital të akredituar, pasi nuk ka përfunduar procesi i akreditimit. Ashtu si folëm edhe më lart, si fillim spitalet duhet të plotësojnë standardet, pastaj të arrihet pak e nga pak te akreditimi, i cili po ashtu nuk është një proces i përhershëm, por duhet ripërsëritur. Procesi i akreditimit tek ne ka bërë hapa përpara dhe është në rrugën e duhur. Ne u kemi dhënë spitaleve standardet që të njihen me to, kemi bërë dhe një ushtrim paraprak që ka të bëjë me vetëvlerësimin e spitaleve (kjo është një fazë e procesit të akreditimit) ku vetë spitali, i pari, kontrollon apo teston veten se ku është me standardet dhe e cakton vetë se kur e ndien se është gati. Një shembull sqarues do të ishte, një student para provimit, i cili teston veten se sa ka thithur nga libri që ka studiuar.

A është i detyrueshëm procesi i akreditimit për një spital?

Faktikisht kjo është një pyetje që na ka lindur edhe neve nga procesi i akreditimit: a jemi ne gati për akreditim dhe, nëse duhet ta bëjmë akreditimin si një proces të detyrueshëm për një spital apo do t ua lëmë në dorë vetë spitaleve të zgjedhin nëse e duan akreditimin ose jo. Këto janë dy alternativa për të cilat nuk është vendosur ende, por qe në mendojmë ta bëjmë të detyrueshëm si proces duke u bërë një “presion” spitaleve në të mirë të tyre. Por kjo nuk do të thotë që kur të vijë koha, nëse një spital nuk është i akredituar kjo do të çojë domosdoshmërisht në mbylljen e tij. Jo, nuk është ky qëllimi ynë, pasi dhe këto spitale kanë funksionuar në shërbim të pacientëve deri më tani. Ideja është si shembulli i studentit që morëm pak më sipër, që nëse nuk e kalon një herë klasën mund të vijë në vjeshtë. Pra edhe spitaleve do t u lihet koha e nevojshme për t u përmirësuar dhe që më pas të jenë gati për akreditim. Vetë spitali, nëse do të dojë të mbijetojë, duhet t i nënshtrohet këtij procesi, pasi në të kundërt pacientët do të tërhiqen, mjekët nuk do të duan të punojnë në një spital të tillë etj. Pra do të ulet interesi.

Cili është roli i MSH-së në procesin e akreditimit?

Në bashkëpunim edhe më Ministrinë e Shëndetësisë ne do të zyrtarizojmë standardet dhe do t ua bëjmë të njohur edhe një herë spitaleve më hollësisht duke krijuar edhe grupe pune. Po ashtu, të bëjnë edhe një proces të vetëvlerësimit (spitalet) i cili nuk është kaq i thjeshtë. Spitali vetë i di ku i ka dobësitë ndaj dhe aty duhet të përqendrohet për t u përmirësuar dhe për të shkuar drejt akreditimit. Por nga ana tjetër duhet thënë edhe që spitali do edhe ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi nga njëra anë mund të ketë në dorë gjëra që mund të rregullojnë vetë, por edhe gjëra që s varen nga spitali që kanë të bëjnë me investimet apo fondet. Këtu do të duhet edhe serioziteti i MSH-së dhe i spitaleve.

Spitalet private do t i nënshtrohen procesit të akreditimit njëlloj si ato publike?
Sigurisht që po, madje me një vëmendje më të madhe do të shtoja, pasi ne nuk dimë ç bëhet me to, nuk kemi informacion të bollshëm. Akreditimi do të ndjekë të njëjtat standarde si në spital publik ashtu edhe në atë privat. Kur flasim për standarde në spital, kemi parasysh që ne akreditojmë institucionin spitalor në tërësi, shërbimin ndaj pacientit, menaxhimin e spitalit, laboratorët e të tjerë sektorë. Pra ka 17 fusha ku do të fokusohet akreditimi dhe gjithsej janë 260 standarde që një institucion spitalor duhet t i plotësojë, të cilat ne i kemi adaptuar nga disa modele të huaja. Është një projekt i Bankës Botërore, i cili do të ndihmojë për të krijuar një sistem akreditimi. Ne kemi pasur sot kontaktin e parë me një agjenci gjermane. Pra, bazuar në të gjitha propozimet, do të përzgjidhet ai i duhuri nga qeveria.

Jemi vonë ne si shtet në procesin e akreditimit të spitaleve?
Nuk jemi vonë, përkundrazi, jemi në avangardë. Pasi akreditimi në shëndetësi ka ecur shumë më ngadalë si industri, krahasuar me të tjerat apo edhe arsimi. Shëndetësia edhe në Bashkimin Evropian nuk ka gjetur një metodë të përbashkët, secili vend vepron sipas mënyrës së tij. Jo të gjitha vendet kanë nxjerrë standarde dhe kanë ngritur qendra akreditimi siç edhe po funksionon tek ne që prej 3 vitesh. Ne si qendër akreditimi realizojmë kontekstin klinik dhe teknik, por nuk jemi vendimmarrës administrativë në kuptimin që sa vetë duhet të shkojnë për të bërë akreditimin në spitale, si do të zgjidhen, si do të trajnohen, sa kohë do të zgjasë akreditimi, krijimi i bordeve, sa do të jetë pragu që do të kalojë klasën një spital 70 % të plotësimit të standardeve, më pak apo më shumë, çfarë do të bëhet me spitalet që s do t i plotësojnë standardet, a do të ketë dënime apo shpërblime (bonuse) sipas cilësisë së arritur ose jo, e të tjera elemente. Akreditimi sot për sot mund të fillojë bazuar në disa standarde që ne i gjykojmë si të arritshme, por që do të ndryshojnë me kohën. Si fillim duhet krijuar kultura e vetëvlerësimit. Ne kemi caktuar pesë udhëzues klinikë për të mos ua lënë mjekëve autonominë e vendimmarrjes sipas dëshirës personale për shërbimin ndaj pacientëve. Gjithçka duhet harmonizuar sipas një disipline të caktuar ashtu si një muzikant e ka të shkruar në pentagram melodinë që do të luajë, ashtu dhe një mjek duhet t i ketë të shkruara udhëzuesit klinikë.

Zoti Kalo, jashtë çështjes së akreditimit, si një pyetje të fundit të intervistës me ju, do të donim një koment tuajin lidhur me një çështje, e cila është përfolur shumë në media ditët e fundit dhe me të cilën ju keni një lloj lidhjeje, le ta quajmë. Si ish-mjek personal i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, sa e vërtetë është për ju deklarata e kryeministrit Sali Berisha lidhur me sëmundjen e ish-diktatorit Hoxha? Është thënë se në 15 vitet e fundit të jetës së tij, ish-udhëheqësi Enver Hoxha ka qenë i sëmurë dhe se nuk e ka drejtuar ai vendin, por ka qenë bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha, udhëheqëse?

Nuk kam dëshirë të jap komente rreth kësaj çështjeje. Por them që zoti Berisha është i lirë të bëjë deklarata rreth kësaj çështjeje, por zoti Berisha nuk ka qenë mjek i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Mua më është dhënë besimi atëherë të isha mjek i familjes Hoxha dhe si çdo mjek nuk ma lejon etika të thyej besimin e një pacienti apo të familjes së tij, duke bërë publike gjendjen e tij shëndetësore. Askujt nuk do t i pëlqente që të tregonim diagnozën e tij në mënyrë publike, qoftë ky një pacient i thjeshtë apo udhëheqës i një sheti. Ndaj nuk kam komente të tjera rreth kësaj çështjeje.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›