E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaloi pa leje kufirin, shkarkohet shefi i Komisariatit të Devollit



DEVOLL- Kaloi pa leje në tokën greke, shkarkohet nga detyra. Burime të sigurta thanë për gazetën se është larguar nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë së Devollit, Artan Braholli. Motivacioni për largimin e tij ishte shkelja e rregullave në detyrë. Lirimi i tij nga detyra ka ardhur pasi ditën e shtunë Braholli kaloi territorin shqiptar në doganën e Kapshticës për të hyrë në atë grek, i veshur me uniformën e policisë, me pretekstin e kryerjes së një veprimi personal në një prej dyqaneve Free Shop që ndodhen në doganën e Kapshticës. Për kalimin në tokën greke ish-shefi i Komisariatit të Devollit nuk kishte marrë leje, në një kohë që të gjithë punonjësit e policisë, kryesisht ata në nivele të larta, siç është një komisar policie, janë të detyruar të marrin leje te ministri i Brendshëm apo drejtori i Policisë së Shtetit për largimin nga territori i vendit. Veprimi i Brahollit është zbuluar nga forcat e SHKB-së, të cilët kanë njoftuar autoritetet në Drejtorinë e Policisë se Korçës dhe me pas ato në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Menjëherë më pas ka ardhur vendimi për lirimin nga detyra të komisarit Briholli, ndaj të cilit mendohet se do të ketë edhe ndjekje penale.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›