E Diel, 1 Nëntor 2026

Pinari: “Unë shes armë, nuk merrem me sigurinë e tyre”

Drejtori i MEICO-s kërkon arrest shtëpie derisa të mbarojnë hetimet. Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Apelit Tiranë vendosi dje të lërë në qeli ish-drejtorin e kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, një nga tre të ndaluarit për ngjarjen e ndodhur në Gërdec mesin e muajit të kaluar. Gjykata e Apelit shqyrtoi paraditen e djeshme vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila disa ditë më parë vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për të pandehurin Pinari, ndaj të cilit është ngritur akuza "shkelje e rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Shqyrtimi i këtij vendimi erdhi pas ankimimit të mbrojtjes së të pandehurit Pinari, i cili nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Ai u përfaqësua nga avokatët mbrojtës Ardian Leka dhe Artan Zeneli, të cilët pretenduan se masa e ndalimit dhe e sigurisë për klientin e tyre nuk është e ligjshme.
Masa
Sipas avokatëve mbrojtës, i pandehuri Pinari nuk paraqet rrezikshmëri, ndaj dhe kërkuan një masë më të lehtë sigurie. Mbrojtja argumentoi se klienti i tyre ishte jashtë Shqipërisë kur ndodhi ngjarja në Gërdec dhe se më pas ai u paraqit vetë në organin e Akuzës. Përsa i takon veprës penale për të cilën akuzohet Pinari, mbrojtja pretendoi se kompania “MEICO” ka në fokus të veprimtarisë së saj tregtinë e municioneve luftarake (blerjen dhe shitjen e mallit) dhe jo sigurimin dhe ruajtjen e municioneve luftarake. Nisur nga këto, mbrojtja vlerësoi të padrejtë si masën e ndalimit, ashtu edhe masën e sigurisë ndaj Ylli Pinarit.
Prokuroria
Të kundërtën pretendoi përfaqësuesja e Prokurorisë së Apelit, Thëllëza Alko, e cila e vlerësoi të ligjshëm ndalimin e të pandehurit Pinari për të shmangur ndonjë mundësi largimi të tij nga Shqipëria. Gjithashtu ajo pretendoi se masa e ndalimit është marrë në kuadër edhe të sigurimit të provave për çështjen nën hetim. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Edmond Islamaj, vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" që gjykata e Shkallës së Parë mori pak ditë më parë ndaj të pandehurit Ylli Pinari. Në përfundim të kësaj seance avokatët që mbrojnë Pinarin thanë në një prononcim për gazetën “Albania” se do të bënin rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Apelit. Ylli Pinari, ish-drejtor i kompanisë “MEICO”, në varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, u ndalua me akuzën “shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” pas shpërthimit më 15 mars në fabrikën që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës, rreth 24 kilometra larg Tiranës. Së bashku me të në pranga u vendosën dhe administratori i firmës “AlbDemil”, Mihal Delijorgji dhe drejtori Teknik i kësaj firme, Dritan Minxholi. Delijorgji dhe Minxholli pritet të paraqiten në Gjykatën e Apelit këtë të enjte po për rivlerësim mase sigurie.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›