E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “Qeveria po eviton kartat e identitetit nga zgjedhjet”



Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka deklaruar se procesi i tenderit për prodhimin e kartave të identitetit ka pasur abuzime dhe shkelje ligjore. “Gjatë zhvillimit të këtij tenderi, procesi i hartimit të termave të referencës dhe ndryshimi i tyre shumë pak kohë para zhvillimit të tenderit dhe jashtë afateve e bëjnë procesin e dyshimtë, jo transparent, përjashtues, duke cenuar rëndë paanshmërinë dhe barazinë e pjesëmarrësve në një tender të tillë kaq të rëndësishëm”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së nënvizoi se metodat e ndjekura nga qeveria rrezikojnë që shqiptarët të mos pajisen me karta identiteti në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.
“Qeveria duhet të subvenciononte për kartat e shqiptarëve dhe t’i shpërndante falas ato dhe për një gjë të tillë nevojiten rreth 35 milionë euro. Problem tjetër i madh i tenderit është mungesa e kohës për përgatitjen e Kartave para zgjedhjeve të vitit 2009. Dy problemet e fundit bëjnë të pamundur realizimin e një standardi aq të rëndësishëm të kërkuar nga ndërkombëtarët dhe të pranuar nga politika për kryerjen e zgjedhjeve të ardhshme me karta identiteti që eliminojnë manipulimin dhe votimin e shumëfishtë, fenomen që ka dëmtuar rëndë zgjedhjet dhe vërtetësinë e rezultatit të tyre”, - tha Vasili.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›