Paditet në prokurori kreu i Bashkisë së Laçit
Paditet në prokurori kryetari i Bashkisë së Laçit, Luigj Isufi.
Denoncuesi i tij ka qenë Pash Nokaj dhe akuzat janë për “shpërdorim detyre” dhe “marrje ryshfeti”. Ndërsa ka kërkuar mbrojtje të veçantë nga ana e policisë, Nokaj pretendon se është kërcënuar me jetë nga njerëz të njohur të kryebashkiakut të Laçit. Mësohet se Pash Nokaj ka jetuar deri në vitin 1995 në qytetin e Laçit dhe më pas ka emigruar në Amerikë, ku ka marrë edhe nënshtetësinë. Një vit më parë ai është kthyer në Laç, ku është njohur me tjetërsimin e pronës së tij, një sipërfaqe toke në qendër të qytetit. Nokaj pohon se ndonëse Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka njohur pronën, dy qytetarë të Laçit, nëpërmjet kryebashkiakut Isufi, kanë arritur t’i marrin pronën me dokumente të falsifikuara. Ai pretendon se zyra e regjistrimit në Laç u ka dhënë certifikatë pronësie dy vëllezërve Ilir dhe Sabah Lika me pa të drejtë.