Kalu: Pika e dobët është Vidiç
Sulmuesi i Çelsit, Solomon Kalu, mendon se skuadra e tij ka gjetur pikën e dobët të Mançester Junajtid në finalen e Ligës së Kampioneve. Ai ka këshilluar shokët e skuadrës të sulmojnë gjithmonë në krahun ku aktivizohet mbrojtësi Nemanja Vidiç, i cili ka pasur disa dëmtime gjatë muajve të fundit. Megjithëse prapavija e Mançester Junajtid ka pësuar vetëm 22 gola gjatë kampionatit që sapo përfundoi, Kalu është i sigurt se ajo nuk është aq e fortë sa duket. "Ne vazhdojmë të besojmë se ka disa pika të dobëta në mbrojtjen e tyre, të cilat mund t‘i shfrytëzojmë dhe të shënojmë gola. Ata janë si të gjithë të tjerët, Ferdinand është një mbrojtës i shkëlqyer, ndërsa edhe Vidiç është i tillë. Por Vidiç nuk ka luajtur shumë pasi ka qenë i dëmtuar, ndaj mund të jetë një pikë e dobët e kundërshtarëve, nga e cila mund të shënojmë gol", tha Kalu.