E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati: Në Kupën e Italisë, me të rinjtë

Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka reaguar dje ndaj kritikave të bëra nga Roma, duke aluduar edhe për një paraqitje me të rinjtë në finalen e Kupës së Italisë. Por më pas ai e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, duke konfirmuar se zikaltërit do ta respektonin këtë turne. "Zoti president, a do ta fitojmë edhe Kupën e Italisë", ishte pyetja e një tifozi. "Në Romë unë do të dërgoja të rinjtë...", ishte përgjigjja enigmatike e Moratit. Por pasi ka dalë pak orë më vonë nga zyra e tij, presidenti i Interit ka ndryshuar komentin e tij, duke bërë të qartë se ajo ishte thjesht një batutë e rastit. "Kjo ishte vetëm një batutë, Kupa e Italisë do të respektohet në mënyrën më të mirë të mundshme. E rëndësishme është të mos ekzagjerohet duke e dramatizuar këtë ndeshje mes dy skuadrave që kanë zhvilluar një kampionat të shkëlqyer. Sipas mendimit tim, Roma ka qenë fantastike, pasi ka arritur të mbledhë shumë pikë duke luajtur mirë, ndaj besoj se do të jetë mirë që kjo ndeshje të luhet pa inat", deklaroi ai. Morati ka preferuar të mos reagojë ashpër edhe ndaj Daniele De Rosit, i cili një ditë më parë reagoi duke deklaruar se kampionati kishte qenë i manipuluar dhe se Interi kishte marrë shumë ndihma. "E kuptoj se kur përfundon një kampionat mund të kesh për të thënë shumë gjëra që mban brenda, sidomos nëse je lodhur shumë dhe mendon se e ke merituar, ashtu si De Rosi. Nuk duhet të jesh kritik ndaj asaj që thotë një futbollist i lodhur dhe i inatosur në fund të një ndeshjeje. Ndaj nuk ka asnjë kritikë ndaj tij, në të kundërt, ka mirëkuptim", deklaroi presidenti i zikaltërve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›